Ndërsa katër gjysmëfinalistët e Kupës së Botës do të konkurrojnë për një vend në finale, paraqitjet e portierëve të tyre i kanë bërë ata pretendentë të barabartë për “Dorezën e Artë”. Njëri midis Hugo Lloris, Thibaut Courtois, Jordan Pickford dhe Danijel Subasic do të marrë çmimin që do të ofrohet për portierin më të mirë të turneut. Kompanitë e basteve japin shanse të ngjashme për të katër ata, me Llorisin që është favoriti, siç jepet edhe për ekipin e tij të Francës për fitimin e trofeut të madh.
Manuel Neuer (2014), Iker Casillas (2010), Gianluigi Buffon (2006), Oliver Kahn (2002) dhe Fabien Barthez (1998) kanë arritur të fitojnë pesë çmimet e fundit të “Dorezës së Artë”.
Thibaut Courtois, belgu është portieri më i mirë në Kupën e Botës deri më tani sipas shifrave. Me 18 pritje në turne, Courtois është portieri i tretë më i mirë pas eleminimit të Guillermo Ochoa dhe Kasper Schmeichel. Megjithatë, gardiani i “Chelsea” ishte më vendimtar, sidomos në ndeshjen çerekfinale kundër Brazilit, kur ai shmangu finalizimin e Neymar, pas një loje në të cilën ai ishte mbresëlënës. Megjithatë, komentet e tij mbi lartësinë e Jordan Pickford gjatë ndeshjes mes dy ekipeve kanë shkaktuar polemika (belgu deklaroi se ai mund ta kishte pritur gjuajtjen e Adnan Jonuzajt, pasi ai është më i gjatë si portier se Pickford).
Jordan Pickford, portieri i “Everton” ka ndalur mallkimin e penalltive angleze dhe provoi se Anglia mund të prodhojë lojtarë të cilësisë së lartë edhe mes portierëve. Në ndeshjet kundër Kolumbisë dhe Suedisë ai ishte një hero dhe ndihmoi përpjekjet e ekipit anglez për të arritur në gjysmëfinale të turneut.
Danijel Subasic, portieri 33-vjeçar ka arritur të ndalojë katër 11-metërsha gjatë gjithë turneut, Ishte gjenerata e artë e Luka Modriç që nuk u dorëzua edhe në kohët më të errëta duke ja rritur vetëbesimin skuadrës. Në duelin dramatik kundër Rusisë në çerekfinale, Subasic ishte në prag të largimit nga fusha për shkak të shqetësimit në kofshën e tij, por ai qëndroi për të pritur 11-metërshin e Fedor Smolovit.
Hugo Lloris, edhe pse pësoi tri gola nga Argjentina, Lloris shkëlqeu kundër Uruguajit duke e mbajtur rrjetën të paprekur, që e ndihmoi ekipin e tij të kalonte në raundin e ardhshëm. Me tetë pritje deri më tani në këtë turne, portieri i “Tottenham Hotspur” mund të bëhet portieri i dytë francez që do t’i jepet “Doreza e Artë”.