Facebook ka arritur marrëveshje prej më shumë se 200 milionë euro, për të transmetuar ekskluzivisht ndeshjet e Premier Ligës në vendet aziatike nga viti i ardhshëm.Kjo është një arritje e madhe për rrjetin social, pas dështimit për t’i siguruar të drejtat e transmetimit nga rrjetet televizive si Bein Sports dhe Fox Sports Asia, në ankandin për të drejtat e transmetimit në Tajlandë, Vietnam, Kamboxhia dhe Laos.
Marrëveshja do të implementohet në fillim të sezonit 2019-2020 dhe do të vazhdojë deri më 2022 – që do të thotë se Facebook do të transmetojë të gjitha 380 ndeshjet e Premier Ligës në ato vende, transmeton Gazeta Express. Facebook po përpiqet të rrisë portofolin e tij të sporteve. Rrjeti social ka mbuluar ndeshje të bejsbollit, basketbollit dhe ndeshje të Ligës së Kampionëve në SHBA përmes partneritetit me Fox Sports. Besohet se Premier Liga ka diskutuar edhe me YouTube dhe Netflix rreth të drejtave të transmetimit në pjesë të tjera të botës.Pavarësisht se transmetimi i Premier Ligës nga Facebook do të bëhet në disa pjesë të Azisë, kjo mund të jetë e rrezikshme, pasi njerëzit do të mund të përdornin shtesa të ndryshme të shfletuesit të internetit, për t’i ndryshuar IP-të dhe vendndodhjen.Shtesa vps si HOLA, mund të ndryshojë vendndodhjen tuaj në internet, thjeshtë duke zgjedhur në listën e vendeve një vend në të cilën dëshironi të dukeni se jeni. /Express/