Maqedonia zyrtarisht mori ftesën për anëtarësim në NATO. Ftesa tashmë është në duart e kryeministrit Zaev, të cilën e ka vlerësuar si historike por edhe si ftesë që garanton të ardhme më të mirë për qytetarët e Maqedonisë. Sipas Zaevit, Maqedonia me anëtarësimin në NATO bëhet më e sigurt dhe bashkë me NATO-n bëhet pjesë e mekanizmit ndërkombëtar për të luftuar kërcënimet globale siç janë terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.
Të jeni të sigurt se anëtarësimi ynë edhe më shumë do ta konsolidojë demokracinë në rajon dhe do ta rrisë stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe do të shërbejë si shembull pozitiv për Ballkanin Perëndimor. Angazhimi i fuqishëm i qeverisë për të zgjidhur çështjet e hapura me fqinjët dha rezultate. Shpreh falënderime ndaj kryeministrit grek Cipras dhe atij bullgar Borisov për ndarjen e vizionit të përbashkët me ne, vizion ky që sjell sukses në rajon dhe në Evropë – deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg tha se të gjithë në Maqedoni duhet t’i gëzohen ditës së sotme.
Besoj se marrëveshja për emrin është në të mirën e vendit tuaj dhe të rajonit më të gjerë. Ju përgëzoj për guximin politik dhe i përgëzoj të gjithë ata që morën pjesë për përkushtimin për ardhmëri më të mirë. Ky kompromis i hapi rrugën vendit tuaj që të bëheni anëtare e plotfuqishme e NATO-s -deklaroi Jon Stolltenberg, sekretar i prëgjithshëm i NATO-s.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s njoftoi se pa bisedimeve teknike do të fillojnë përgatitjet për anëtarësim të plotë të Maqedonisë në NATO si vend i 30-të, me të drejtë vote të barabartë në Aleancë./am/