E çfarë do të bëja pa domatet?!” thotë një amvisë italiane. Një pyetje të ngjashme e dëgjon të shprehet nga një mori kuzhinierësh të tjerë, kudo përreth botës. Vërtet, domatja është një nga përbërësit kryesorë për recetat e gatimit, në shumë kultura. Ata që kanë kopsht në shtëpi, mbjellin domate më shumë se çdo bimë tjetër.
Një e kaluar interesante
Në Meksikë aztekët e mbollën domaten për ta përdorur si ushqim. Nga fillimi i shekullit të 16-të, kur pushtuesit spanjollë u kthyen në Spanjë, morën edhe domaten me vete. Huazuan fjalën nahuatliane tomatl, dhe e quajtën tomate. S’kaloi shumë e spanjollët që jetonin në Itali, në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme, po shijonin këtë ushqim të ri të shijshëm.
Nga fundi i këtij shekulli, domatja u fut edhe në Evropën Veriore.
Larmi dhe përhapje e jashtëzakonshme
Çfarë ngjyre kanë domatet? Ka shumë të ngjarë që përgjigjja të jetë “e kuqe”. Por, a dini se ka lloje me ngjyrë të verdhë, portokalli, rozë, vjollcë, kafe, të bardhë, ose jeshile, disa madje janë edhe me vija? Jo të gjitha vijnë të rrumbullakëta. Disa janë të sheshta, vezake ose në formë dardhe. Mund të jenë të vogla sa një kokërr bizele ose të mëdha sa një grusht.
Domatja është e përhapur gjerësisht: gjendet në veri, deri në Islandë, por edhe në jug, deri në Zelandën e Re. Prodhuesit më të mëdhenj janë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës Jugore. Vendet me klimë të ftohtë i varin shpresat tek të mbjellat nëpër serra, kurse vendet jopjellore, i rritin të mbjellat me anë të teknikave hidroponike—që do të thotë, se nuk i mbjellin në tokë, por në një solucion ushqyes.
Diçka për shëndetin dhe sugjerime të tjera
Temperaturat e ulta ia prishin shijen domates, kështu që, mos i vini domatet në frigorifer. Për ta përshpejtuar pjekjen e tyre, mund t’i lini në parvazin e dritares që t’i zërë dielli, ose mund t’i vini në një tas dhe t’i lini në temperaturën e dhomës, bashkë me një kokërr domate ose banane të pjekur mes tyre. Një mënyrë tjetër është duke i vendosur në një çantë letre të trashë me ngjyrë kafe të errët për disa ditë.
Domatet të bëjnë shumë mirë për shëndetin. Kanë vitaminën A, C dhe E, si edhe kalium, kalcium dhe kripëra minerale. Kërkime të tjera po zbulojnë se ato janë gjithashtu një burim i shkëlqyer likopeni, një lëndë antioksiduese shumë e fortë, që thuhet se zvogëlon rrezikun e disa sëmundjeve, si për shembull, të kancerit dhe të sëmundjeve të zemrës. Domatet përmbajnë 93 deri në 95 për qind ujë dhe për ata që e kanë merak peshën: ato kanë pak kalori.
Të shijshme si do që t’i përdorësh
Kur blini domate, çfarë lloji zgjidhni? Të kuqet, lloji më i zakonshëm i domateve, përdoren shumë për sallatë, supë dhe salcë. Domatet e vogla sa një qershi me ngjyrë të kuqe, portokalli ose të verdhë, që janë të ëmbla sepse përmbajnë mjaft sheqer, janë shumë të shijshme kur hahen të gjalla. Nëse po bëni pica ose makarona, ndoshta domatet me tulë të fortë që kanë formë vezake si të kumbullës, do të ishin një zgjidhje e mirë. Domatja e madhe zemërkau—quhet kështu se e ka brumin të fortë dhe të ngjeshur—është ideale për t’u mbushur dhe për t’u bërë në tavë. Domatja jeshile, disa herë me vija të dallueshme, është një përbërës i shkëlqyer që mund t’ua shtojmë ushqimeve të tjera. Vërtet, domatja u jep shije dhe ngjyrë të veçantë një numri të madh gatimesh me perime, vezë, makarona, mish dhe peshk. Nëse nuk gjeni dot domate të freskëta, pa dyshim që mund të blini prodhime me domate të përpunuara në dyqanet që keni përreth.
Lufton çdo sëmundje
Domatja është vetëm një shembull i ushqimeve të mrekullueshme që janë krijuar për kënaqësinë tonë.
Domatja është një bimë barishtore, e cila përdoret për tu ushqyer duke e bërë gjellë, sallatë etj. Përveç se është e shijshme, domatja ka dhe disa elementë shumë të nevojshëm për organizmin e njeriut. Përmendim këtu karotenin, vitaminën C, vitaminën A, antocianin likopenin. Likopeni gjendet me shumicë te domatja dhe është një element natyral me veti shumë të forta antioksiduese.
Likopeni është një mbrojtës shumë i mirë kundër rrezeve UV. Nga një studim i bërë është zbuluar se likopeni mbron ndaj kancerit të prostatës. Njerëzit që konsumojnë të paktën 2 herë në jave domate janë më pak të ekspozuar ndaj sëmundjeve kanceroze, përmendim ketu: kancerin e mushkërive, të prostatës, të gjirit, të mëlçisë, të zorrës së trashë.
Është e këshillueshme që domatja të konsumohet e freskët, pasi vlerat ushqyese janë në përqindje më të lartë. Lëngu i freskët i domates mund të përdoret dhe kundër sëmundjeve inflamatore të lukthit. Domatja e freskët, ndihmon në ripërtëritjen e qelizave të lëkurës dhe jo rrallë herë përdoret nga femrat, si një produkt kozmetike.
Domatet ndihmojnë në parandalimin e kancerit në gji
Ka ardhur koha që gratë duhet të konsumojnë më shumë domate, për të parandaluar kancerin e gjirit. Nëse e bëni këtë gjë në mënyrë të përhershme, jo vetëm që po mbani trupin në formë por njëkohësisht ulni rrezikun e kancerit që është përhapur më shumicë edhe në shqipëri. Kjo falë likopenës, një substancë antioksiduese e cila gjendet me sasi të mëdha tek domatet. Ato përmirësojnë metabolizmin e yndyrave dhe sheqerit. Është shkencërisht e vërtetuar se mbipesha dhe obeziteti rrisin rrezikun e zhvillimit të kësaj patologjie, ndaj marrja e likopenës nëpërmjet domates, kontribuon në prodhimin e një hormoni i cili kontrollon peshën dhe metabolizmin e sheqerit dhe yndyrave ne gjak. Kjo bën që kjo substancë të jetë tepër e rëndësishëm në uljen e rrezikut nga kanceri i gjirit.