Nuk mund të fillojnë me punë para vendosjes së filtrave, pasi njëra palë nuk do të jetë e kënaqur – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër
Nuk do të lejojmë rifillimin me punë të Jugohromit pa përmbushjen e standardeve ekologjike, prandaj qytetarët nuk duhet të kenë frikë. Filtrat duhet të ndërtohen – u shpreh Koço Angjushev, zv.kryeminister për çështje ekonomike.
Këto kanë qenë deklaratat e ditëve të fundit, të kryeministrit Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministrit Koço Angjushev. Por bazuar në një dokument deri tek i cili ka ardhur televizioni Alsat, e që flet për takimit e një viti më parë të përfaqësuesve të Eco-Guerilës me kryeministrin Zaev dhe zv.kryeministrin Angjushev, mësohet se këto të fundit kërkojnë nga Ecoguerila që të nënshkruajë një marrëveshje me të cilën Jugohrom do kthehet në funksion ndërkohë që po punohet për filtrat por me kusht që paralelisht të fillojë të punojë me dy furrat më të vogla.
“Qëllimi është që punëtorët të kthehen në vendet e tyre të punës, me këtë të marrin dhe rroga, në të njëjtën kohë, do lejonim që “Jugohrom Feroajllos” të fillojë me punë me 30 për qind të kapaciteteve të veta, që do të thotë, kyçja e dy furrave më të vogla me fuqi prej 22 MVV që të punojnë deri në sezonin e dimrit.
Ndërkohë, pronari i “Jugohrom Feroajllos”, do të duhet të deponojë garanci bankare me të cilën do të obligohet që në afat prej tetë muajsh ta përfundojë procedurën e vënies së filtrave”.
Siç mëson Alsat, përfaqësuesit e Eco-guerilës në takim nuk janë pajtuar. Gjatë ditëve të fundit, ata dolën me një konferencë për media, ku njoftuan se në adresë të tyre, së fundmi kanë arritur edhe kërcënime.
Ditëve të fundit persona të ndryshëm kanë përcjellë porosinë bashkë me oferta financiare që Ecoguerila të hesht dhe të mos reagojë për Jugohromin – deklari Arianit Xhaferi, Ecoguerila.
Nga Ecoguerila u kërkua kontroll ndërkombëtar edhe pas vendosjes së filtrave!
Por kjo kërkesë e Ecoguerilës si duket ka shqetësuar drejtorin e Jugohromit, Vasko Skenderoski, i cilli për mediat, ditë më parë deklaroi se, me këtë kërkesë Ecoguerila vihet mbi institucionet dhe Ligjet e vendit.
Expertët thonë se edhe pas vënies së filtrave që aktualisht janë duke u vendosur tek Jugohromi, do të filtrohen vetëm grimcat pm 10, por jo edhe grimcat pm 2.5 dhe tymi.
Përndryshe, Maqedonia e ka nënshkruar dhe ka detyrim ta respektojë Konventën e Arhusit për qasje në informacione, pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje për pyetjet që lidhen me ambientin jetësor.
Bashkim Sulejmani