Franca dhe Kroacia u ndanë me një rezultat 4-2 në finalen e Botërorit “Russia 2018”, ku pas kësaj ndeshje francezët pas 20 vitesh janë kurorëzuar përsëri si Kampionë Bote.
Finalja e Rusi 2018 mes Francës dhe Kroacisë ka qenë një ndeshje shumë e veçantë, por mbi të gjitha ka dhuruar disa statistika e kuriozitete të rralla.
Këto janë rastësitë e çuditshme që kanë të bëjnë me Perunë e Danimarkën, pa harruar këtu edhe rekordin e interistëve.
4 – Franca, me moshën mesatare 26 vite e 11 ditë, u bë përfaqësuesja e katër më e re në moshë që fiton Botërorin. Më e reja ishte e Brazilit në vitin 1970 (25 vjet e 70 ditë).
0 – Franca u bë përfaqësuesja e parë në historinë e të gjithë Botërorëve që fiton titullin me sulmuesin e saj titullar (Zhiru) që nuk ka bërë qoftë edhe një gjuajtje të vetme në kuadrat në ndeshjet që ka luajtur.
2 – Lukas Hernandez dhe Antuan Grizman janë dy lojtarët e parë të historisë së Atletiko Madrid që fitojnë një Kupë Bote.
Peruja – Kampione në Kupat e Botës ku ka marrë pjesë Peru:
1930: Uruguai (luajti kundër Perusë)
1970: Brazil (luajti kundër Perusë)
1978: Argjentina (luajti kundër Perusë)
1982: Italia (luajti kundër Perusë)
2018: Franca (luajti kundër Perusë)
Danimarka – Përfaqësuesja e Danimarkës ka hyrë në histori si e vetmja që e cila ka luajtur kundër dy finalistëve të një turneu dhe nuk është mposhtur nga asnjë prej tyre (pa përfshirë penalltitë), duke mos qenë gjithashtu asnjëherë në disavantazh në këto sfida.
12- Dejan Lovren u bë lojtari i 12 në histori që humb në të njëjtin vit edhe finalen e Ligës së Kampioneve, edhe atë të Botërorit. U bashkohet emrave si Balak, Rumenige, Lidholm e Roben.
11- Rafael Varane u bë futbollisti i 11 i cili fiton në të njëjtin vit edhe Ligën e kampioneve, edhe Kupën e Botës. I bashkohet emrave si Bekenbauer, Myler, Roberto Karlos e Karrembë.
3 – Didier Deshamp u bë personi i tretë pas Mario Zagallo dhe Franc Bekenbauer që fiton Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner.
2 – Kilian Mbape, në moshën 19 vjeç e 207 ditë, u bë adoleshenti dhe njëkohësisht futbollisti i dytë më i ri që shënon në finalen e Kupës së Botës që në periudhën kur shënoi Pele (17 vjeç e 251) ditë) në finalen e Botërorit 1958.
2 – Gol dhe autogol në të njëjtën ndeshje Botërori. Ajo që bëri Mario Manxhukiç ka vetëm një precedent në vitin 1978, në ndeshjen kur Brandts i Holandës realizonte kundër Italisë.
1 – Pol Pogba u bë lojtari i parë i Manchester United që shënonte në finalen e një Botërori.
2 – Ivan Perisiç barazoi Marko Materacin si lojtarët e vetëm që kanë shkaktuar penallti dhe shënuar gol në finalen e Kupës së Botës. Të dy, si lojtarë të Interit.
8 – Interi është skuadra lojtarët e të cilës kanë shënuar më shumë gola në finalet e Botërorëve (8), duke lënë pas Santos (5) dhe Juventus (5)
1 – Mario Manxhukiç u bë lojtari i parë që shënonte autogol në historinë e finaleve të Botërorëve. Më pas, ai u bë futbollisti i 5 që ka shënuar edhe në një finale të Champions, edhe në një të Kupës së Botës.
19 – Vazhdon rekordi i dyshes Pogba-Kante. Kjo ishte ndeshja e 19 kur ata luajnë së bashku si titullarë të Francës. Përfaqësuesja nuk ka humbur asnjë prej këtyre takimeve (15 fitore, 4 barazime).