Kuvendi i Shqipërisë nuk ka arritur të kalojë në votim projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi nuk kishte numrat e duhur për të shkuar në këtë proces.
Miratimi i këtij projektligji kërkon minimalisht 84 vota, çka përbënte edhe një sfidë për mazhorancën qeverisëse.
Opozita ndërkohë kishte braktisur këtë seancë plenare, duke mos marrë pjesë fare si në diskutim, ashtu edhe në votim.
Ishte pikërisht kjo arsyeja që votimi i projektligjit të dështojë, pasi në Kuvend nuk ishin 84 deputetë të pranishëm.
Kërkesa për shtyrjen e votimit të këtij projektligji u dorëzua në Kryesinë e Kuvendit nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, me argumentin se në sallë mundgonte opozita, raporton Tch.
Më herët, ish ministri i Drejtësisë, Nasip Naço doli në një konferencë për shtyp ku shprehu qëndrimin se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të votonte këtë projektligj, që sipas tij “i hap udhë emërimeve nepotike në sistemin e drejtësisë”.