Nga Ndue Ukaj
Petro Marko, në librin e kujtimeve të tij, tregon pse nuk u bë anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë? Këtë e kam thënë – thotë ai – se “në Berat, në tetor të vitit 1944, kur u ktheva me dyqind vullnetarë shqiptarë, Sejfulla Malëshova më porositi: Kjo parti është një parti terroriste e krijuar nga serbët, prandaj ti mos e hap gojën për asgjë që shikon, të paktën për një vit.
Fjalët e Sejfulla Malëshovës, njërit nga njerëzit më të shquar të demokracisë sonë, që vuajti gjithë jetën dhe që u varros me karron e plehrave në Fier, qenë për mua shpëtim”.
Këtë që e thotë Marko, e përforcon në kujtimet e tij, edhe Zef Pllumi, i cili thoshte se, politika shqiptare komuniste, atëbotë projektohej në Beograd dhe ishte kryekëput kundër Kosovës.
Rrënjët e komunizmit nga tokat shqiptare nuk janë shkëputë, ato janë retushuar dhe shfaqur në variante tjera ideologjike, prandaj, nuk është larg mëndësh që, ky diskurs, i cili iu fryn kaq shumë përçarjeve ndërmjet shqiptarëve, të projektohet në Beograd, por edhe në qendra të tjera të armiqve historikë të shqiptarëve.
A duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre zërave?
Pa dyshim se po, por duhet t’i analizojmë brenda kontekstit dhe sfondit historik dhe atëherë shfaqet më e kristalizuar narrativa e tyre.
Shqipëria, për Kosovën, nuk mund të jetë Mustafa Nano, dhe nuk mund të jetë as ai fundërrina, pronari i një hoteli që fyen rënd një qytetar të Kosovës.
Shqipëria, nuk është as politika e papërgjegjshme e banditëve: të majtë ose të djathtë. Sepse, ata e kanë mandatin e tyre, dhe, për të këqijat që kanë bërë dhe për ato që s’i kanë bërë, do t’i gjykojë, vlerësojë apo mallkojë historia.
Shqipëria është rrëfim ynë i përbashkët i thadruar në ndërgjegjen e secilit shqiptar.
Është historia e Gjergj Kastriotit.
Është historia e Pjetër Budit,
Rrugët Bogdanit.
Veprat e Vëllezërve Frashëri,
Veprimtaria gjigante e Fishtës dhe e Françeskanëve.
Është Shqipëria e Gurakuqit, Mjedës, Nolit, Konicës, Kutelit, Merxhanit, Harapit, dhe shumë e shumë të tjerëve.
Është Shqipëria e jashtëzakonshme e At Zef Pllumit dhe Petro Markos.
Është Shqipëria Havzi Nelës, e Genc Lekës dhe Vilson Bllomishti, dhe e mijëra viktimave që ranë në altarin e drejtësisë dhe dashurisë për vendin dhe drejtësinë e tij.
Shqipëria jonë e përbashkët është përtej marrive dhe poshtërsive të Mustafa Nanos dhe sojit të tij, që më shumë se çdo gjë e duan protagonizmin publik.
Shqipëria, për mua, është vendi i mijëra njerëzve të mirë që jetojnë me dinjitet. Është Shqipëria e miqve të mi të shumtë, të kulturuar dhe të ditur.
Prandaj, mjaft më! Mos i fryni zjarrit të përçarjeve!