Ballina Aktualitet Opinione “U betua se do vazhdonte rrugën e shokut Enver!” Vijon sherri Demalia-Çashku,...

“U betua se do vazhdonte rrugën e shokut Enver!” Vijon sherri Demalia-Çashku, flet regjisori: Nuk isha bashkëpunëtor, përgjigje për shpifësin nga Amerika

Nga Kujtim Çashku 

Në një bombardim shpifjesh e gënjeshtrash, herë pas here shfaqet prej së largu një zë që s’pushon së shpifuri ndaj meje dhe  nga ku, nga Amerika, ku shpifja s’ka kurrfarë lidhje me lirinë e shprehjes, madje dhe atje si kudo dënohet me Kod Penal. Këto rreshta po i shkruaj për Syçin (Ilir Demalian), të cilin dikur e kam pasur në një grup xhirimi në Kinostudio.

Ilir, mos shpif më nga Amerika. Unë kam jetuar e studiuar në Amerikë. Shpifja atje nuk të bën disident dhe as të ditur. Madje, mos shpif më, se shpifja nuk të faktorizon as këtu në Shqipëri, përveç kolovitjes në karuselin mediatik.

Madje sot, asnjë i mençur nuk rend më pas ndonjë guri të hedhur nga dikush… Mos shpif më, se shpifja nuk të çliron ty nga komplekset e trashëguara, helmet apo makthet shpirtërore e mendore të akumuluara ndër vite.

Mos shpif më, se nuk është shpifja ajo që mund të të bëjë ty apo këdo tjetër gazetar, shkrimtar, politikan apo qytetar fisnik. Mos shpif më, se koha e vajtojcave jashtë dhe brenda Shqipërisë, që thonë se “ai vend s’bëhet kurrë”, ka mbaruar që në shekullin e kaluar.

Ilir, mos shpif më ndaj meje. Unë njoh ligjin dhe drejtësinë si provë të së vërtetës dhe këtë do të bëj. Lëri vetes, së paku, imazhin kur këndoje ndonjë këngë popullore në autobusin e Kinostudios kur dëgjonim e kërcenim rock-un e ndaluar gjatë xhirimeve të «Balada e Kurbinit», si film anti otomano-bolshevik. Dhe tani më qartë akoma, mos shpif ndaj meje se unë, Kujtim Çashku, kurrë nuk kam qenë anëtar i ndonjë partie në atë apo këtë regjim. Kurrë nuk kam qenë në ndonjë shërbim apo bashkëpunim organesh të fshehta apo të dukshme të atij apo këtij regjimi në atë apo këtë kohë. Partia ime ka qenë dhe mbetet, arti, kinematografia dhe të drejtat e njeriut.

Pas vdekjes së Enver Hoxhës, në atë kohë disa krijues bënë kërkesë anëtarësimi në parti dhe u pranuan. Mes tyre isha dhe unë, por u refuzova.

Pas saj, unë prisja çdo ditë të arrestohesha, u konsiderova me biografi të keqe. Por edhe nëse kolegë të mitë u pranuan, shpreh konsideratat për ata të cilët bënë përpjekje deri në fund në Kinostudio, që ai regjim të shembej nga brenda. Pra, qartësoj se në parti, unë nuk pranohesha, sepse mamaja ime konsiderohej si familje Stërmasi, antikomuniste.

Daja im, si ish-student i “Harry Fultz”-it konsiderohej agjent amerikan. Njëri djalë i dajës i arratisur, dhe dy të tjerët në burgje. Njëherësh, me dhjetëra njerëz të mamasë u pushkatuan, u internuan, u burgosën dhe u persekutuan barbarisht nga diktatura komuniste. Po kështu, mamaja i përkiste familjes patriotike, Prezë-Kalaja dhe kushëriri e miku im, Burhan Kalaja, (ndjesë që nuk po listoj emrat e të tjerëve), që ishin të parët që thyen dyert e ambasadave me makina në qershor 1990.

Ai dhe këto njerëz të guximshëm nuk morën kurrë pozën e heronjve të përmbysjes së diktaturës. Në familjen time, babai ishte komunist i idealeve të fitores mbi fashizmin dhe nazizmin. Ai nuk bënte pjesë në nomenklaturë dhe mbeti inspirues i ndershmërisë sime. I jam mirënjohës atij, pasi na rriti dhe na edukoi me dashuri për kombin, ne pesë fëmijët e tij, në një varfëri ekstreme.

Mos shpif më, Ilir, për mua. Unë kurrë nuk kam shkruar asnjë rresht asnjëherë në asnjë artikull për vdekjen apo jetën e Enver Hoxhës. Unë kam bërë filmin artistik «Ballë përballë» me Piro Milkanin, që të fiksoja në imazhe, ty dhe kujtdo tjetër ndarjen përfundimtare nga bota bolshevike, duke përligjur në imazhe ndarjen historike për çdolloj nostalgjiku të asaj apo kësaj kohe. Imazhet e këtij filmi studiohen edhe sot, për të kuptuar dinamikën e hartave militare të botës në Mesdhe, Ballkan e kudo tjetër, sikurse po ndodh dhe me imazhet historike të filmit “Kolonel Bunker”.

Sa për Enverin, filmi “Pas vdekjes”, të cilin e realizova nën diktaturë dhe u censurua, në 1980-n kur Enveri ishte ende gjallë, ky film është i mjaftueshëm për të kuptuar ti dhe gjithë të tjerët se ç’mendoja unë për Enverin dhe diktaturën e tij.

Mos shpif më Ilir. Mua, në lëvizjen studentore, te greva e urisë së studentëve, te hedhja e monumentit të diktatorit, te forumi i të drejtave të njeriut, te burgjet ku gjendeshin të burgosurit politikë, e kudo tjetër, nuk më çoi Ramiz Alia apo ndonjë parti e majtë apo e djathtë përveçse bindja ime individuale.

Unë, as Ramizin dhe as Enverin nuk i kam takuar kurrë në jetën time. Askush s’mundet, as dje e as sot të më përdorë mua, përveçse liria dhe pavarësia që kam krijuar përmbi gjysmë shekulli aktivitet intensiv, liri dhe pavarësi, për të cilën luftoj dhe punoj çdo ditë e çdo sekondë në vendin ku jetoj edhe sot.

Nuk dua të zgjatem më tej dhe të bie në kurthin e gazeta-shitjeve, anonimitetit të thashethemnajave online, apo centrifugave mediatike, por si qytetar shqiptar dhe si një Human Rights Advocate Training Program of Columbia University, di fort mirë, se çdo qytetar amerikan njeh ligjet dhe US Code për –SHPIFJEN- ku sanksionohet se çdo akt apo proces shpifjeje, akuzë e rreme, apo përgojim i ngjashëm, që pretendohet si formë e vërtetë e të shprehurit dhe si e tillë krijon dëme të reputacionit apo shqetësim emocional, duke e paraqitur personin në një dritë të rreme… dënohet.

Po kështu në Kodin Penal shqiptar – Shpifja- dhe përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohen…

Koha e haxhiqamilëve, Ilir, ka mbaruar. Unë s’kam më kohë për të humbur, me shpifarakë që helmojnë çdo ditë shqiptarët dhe Shqipërinë, por personalisht jam i vendosur të bëj gjithçka për të mbrojtur të vërtetën sepse besoj tek ajo, besoj te liria, drejtësia dhe fuqia e ligjit në Amerikë, në Europë dhe tash e tutje edhe këtu në Shqipërinë tonë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews