Ballina Lajme PROTESTAT

PROTESTAT

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →
Nga Xhelal Zejneli
Politika e një shteti determinohet nga shumë faktorë. Një prej tyre është ai historik. Por, shqiptarët nuk mund të thonë: “Kemi mbetur prapa ngase kemi qenë pesë shekuj nën sundimin osman”. Shqiptarët e kanë shpallur pavarësinë para 114 vjetëve. Gjermania e mori veten njëzet vjet pas mbarimit të Luftës II Botërore. Pak më vonë u bë fuqia ekonomike e katërt në botë. Shqipëria nuk ia del ta marrë veten as edhe pas 114 vjet shpalljeje të pavarësisë. A thua përse është kështu?! Një shtet me dy dete nuk mund të shqitet nga kriza! 
Faktor tjetër që ndikon në parandalimin e zhvillimit të Shqipërisë janë edhe aspiratat hegjemoniste dhe pushtuese të fqinjëve grabitqarë, siç janë Greqia, Serbia, Mali i Zi – të mbështetur nga Rusia sllave ortodokse. 
Faktor tjetër që ndikon në proceset e përgjithshme në Shqipëri është ndërthurja e interesave të fuqive të mëdha, siç janë ShBA-ja dhe Rusia. Fuqia e madhe e caktuar pretendon  ta ketë Shqipërinë në zonën e vet të interesit si dhe në sferën e vet të ndikimit.
Ndaj Shqipërisë synojnë të ushtrojnë ndikim edhe Fuqitë e Mëdha evropiane – Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia. 
Turqia hiqet si fuqi rajonale. Ajo ka pretendime për të ushtruar ndikim mbi Shqipërinë mbi bazën e fesë islame. Ankaraja synon t’i ketë nën ndikimin e saj Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi me arsyetimin se këto vende kanë qenë pesë shekuj nën pushtetin e Portës së Lartë. 
*   *   *
Shqipëria, njashtu si e gjithë bota shqiptare, synojnë integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, domethënë në organizmat euroatlantikë.
Klasa politike e botës shqiptare është proevropiane, properëndimore, proamerikane. Qeveritarët dhe pushtetarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, përfshi edhe shqiptarët në Greqi, janë properëndimorë.
*   *   *
Në protestat në Shqipëri marrin pjesë grupe të ndryshme. Me fjalë të tjera, nuk kemi të bëjmë me protestues homogjenë, por me një konglumerat protestuesish. Ka që thonë se në protesta janë të përfshirë edhe individë apo grupe të cilësuar si Antifa*. Në skenë mbase mund të ketë edhe kuaj Troje. 
Sidoqoftë, protestat në Shqipëri kanë prapavijë të thellë sociale. Këtë e di kryeministri Rama dhe jo vetëm ai. E dinë dhe të tjerë, e dinë të gjithë.   
 Shënim: Antifa (shkurt për anti-fashist) është një lëvizje politike e majtë dhe e decentralizuar që kundërshton fashizmin, racizmin, neonazizmin dhe ekstremizmin e djathtë. Ajo nuk ka një udhëheqje qendrore apo strukturë formale kombëtare, por përbëhet nga grupe autonome vendore dhe veprimtarë të pavarur.
*   *   *
Shënim: Funksionarë të lartë që janë dënuar për korrupsion dhe që janë nën hetim – Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë hetime dhe ka shqiptuar dënime për një numër zyrtarësh të lartë politikë në Shqipëri, duke përfshirë ish-kryeministra, ish-ministra dhe kryetarë bashkish. 
Funksionarë të lartë të dënuar apo që janë në procedurë hetimi dhe gjykimi:
  Belinda Balluku (ish-Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë): Është marrë zyrtarisht e pandehur në tetor 2026. Akuzohet për pesë vepra penale, përfshirë “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shkelje e barazisë në tenderë” (për çështjet si Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e jashtme e Tiranës), si dhe “Fshehje të pasurisë” dhe “Pastrim parash”. SPAK i ka sekuestruar dy vila luksoze në bregdet. 
Ilir Meta (ish-Presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë së Lirisë) që nga 21 tetori 2024 ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” pas një urdhri të SPAK-ut. Akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim ose fshehje pasurie. 
Sali Berisha (ish-Kryeministër, ish-President dhe kryetar i PD-së): Ndodhet nën hetim dhe procedurë gjyqësor për akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ndaj tij u aplikua edhe masa e sigurisë “arrest shtëpie”.  
Erion Veliaj (Kryetar i Bashkisë së Tiranës): U vu nën hetim dhe u procedua në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderët publikë dhe pastrim parash (rasti që ka të bëjë me kompaninë “5D” dhe me skemat klienteliste me lejet e ndërtimit).  
Ilir Beqaj (ish-Ministër i Shëndetësisë): Është nën hetim dhe i arrestuar për çështjen e abuzimeve me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Ndihmës (SASPAC). Akuzohet edhe për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” lidhur me koncesionin e sterilizimit në shëndetësi.  
Arben Ahmetaj (ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë) përballet me dy kategori   akuzash: ato të ngritura nga SPAK lidhur me aferën e inceneratorëve dhe akuzat publike për trafik armësh dhe korrupsion shtetëror.
Ish-funksionarë të lartë të dënuar me vendim të formës së prerë ose në shkallë të parë
Lefter Koka (ish-Ministër i Mjedisit): Është dënuar me burgim për përfshirjen e tij në aferën e korrupsionit në inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit, nën akuzat për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.  
Alqi Bllako (ish-deputet dhe ish-Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit): Është dënuar për të njëjtën dosje të inceneratorëve. Akuzohej për falsifikim dokumentesh dhe për korrupsion.  
Saimir Tahiri (ish-Ministër i Brendshëm): Ka vuajtur dënim me burg pasi u shpall fajtor për “Shpërdorim detyre”. Hetime zbuluan lidhje të zyrtarëve të policisë me rrjetet e trafikut të lëndëve narkotike.
Fatos Tushe (ish-Kryetar i Bashkisë Lushnjë): U dënua për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderët publikë.
Sipas raporteve vjetore të fundit të SPAK-ut, vetëm gjatë vitit të kaluar u morën në hetim për korrupsion 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Disa prej tyre u dërguan për gjykim ose morën dënime formale nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).  
*   *   *
Është për t’u habitur se si protestat në Shqipëri shpërthejnë në një kohë kur SPAK-u vepron në mënyrë intensive për ta pastruar hapësirën e ndotur nga vjedhësit e shtetit, nga politikanët dhe nga pushtetarët e korruptuar!  
*   *   *
Nuk mund të thuhet se Shqipëria në dekadat e fundit nuk ka ecur para. Të thuhet se ajo nuk ka shënuar përparim, do të ishte nihilizëm. Si në kohën e qeverisjes së PD-së, ashtu edhe në atë të PS-së, ajo ka shënuar progres. Ka shënuar zhvillim ekonomik, zhvillim në lëmin e infrastrukturës, në fushën e turizmit, në ndërtimin e rrjetit rrugor, në ndërtimin e autostradave. Në Shqipëri kanë hyrë investime edhe nga jashtë. Përparimi ekonomik i Shqipërisë ka ndihmuar edhe në zbutjen e problemeve sociale. 
Sidoqoftë, probleme ka. Të rinjtë nuk ia dalin të krijojnë familje ngase s’kanë banesa. Çmimi i tyre është i shtrenjtë. Pa kulm mbi kokë, ata s’kanë se si martohen. Një prej faktorëve të kësaj gjendjeje të rëndë është shkalla e lartë e korrupsionit dhe vjedhjet nga funksionarët e nivelit të lartë. 
Në dhjetëvjeçarët e fundit Shqipëria ka zënë miq në mbarë botën. Jo vetëm në Evropë, por edhe përtej saj. Ajo nuk është e veçuar (e izoluar). Zhvillon politikë vepruese. Shqipërinë e kanë vizituar liderë të Evropës, të NATO-s dhe të vendeve të tjera të botës. 
Kryeministri Rama është kujdesur që Shqipëria të ketë marrëdhënie të baraspeshuara me Italinë, me Greqinë dhe me Turqinë. 
*   *   *
Emigrimi i të rinjve drejt Perëndimit –Shumë shqiptarët e kanë lënë vendin dhe kanë ikur jashtë “për një jetë më të mirë”. Ata e kanë lënë mëmëdheun, si gjatë qeverisjes së PD-së, ashtu edhe gjatë qeverisjes së PS-së. 
Çfarëdo qeverie të kemi në Shqipëri, vala e dhimbshme e shpërnguljes së shqiptarëve për në Gjermani dhe gjetkë, s’ka për t’u ndalur. 
S’ka dyshim se me zbutjen e korrupsionit dhe të vjedhjeve nga funksionarët e nivelit më të lartë të pushtetit, shpërngulja e të rinjve për në Perëndim mund të reduktohet. Reduktimi i korrupsionit dhe i vjedhjeve nga politikanët, mundëson çeljen e vendeve të reja pune. 
Në Shqipëri ka pasur korrupsion dhe vjedhje nga politikanë dhe funksionarë të nivelit më të lartë të pushtetit, si në kohën e qeverisjes së PS-së, ashtu edhe në kohën e qeverisjes së PD-së. 
Që nga fillimi i pluralizmit e deri më sot, deputetët e Shqipërisë, si të PS-së, ashtu edhe të PD-së, nuk e kanë përfaqësuar interesin e popullit, por interesat e veta. Po të ishte ndryshe, d.m.th. po ta kishin përfaqësuar interesin e popullit, Shqipëria do të ishte bërë shtet ligjor, shtet i së drejtës. Edhe pas 36 vjet “demokracie”, Shqipëria vazhdon të jetë shtet partiak, shtet i politizuar, vazhdon të jetë një ndër shtetet me shkallën më të lartë të korrupsionit, shtet me korrupsion përmasash astronomike.        
*   *   *
Kryetari i PD-së Sali Berisha synon dhe pretendon që të vihet në krye të protestave, në krye të protestuesve. Synon t’i përvetësojë protestat dhe t’i shfrytëzojë ato për qëllime dhe interesa të PD-së apo për interesat veta personale. Sipas tij, ata që bërtasin “… Berisha në burg” janë njerëz të paguar. 
Synimi i Berishës për t’u dalë zot protestave kurrë s’ka për t’u realizuar. Ndihma më e madhe e Berishës për PD-në është të japë dorëheqje dhe të largohet nga skena. Për meritat e tij le të shkruajë historia. Ai ka kontribuar në vitin 1991 në rënien e regjimit monist; në kohën e qeverisjes së tij, më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, gjatë qeverisjes së tij u ndërtua Rruga e Kombit; në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, më 10 qershor 2007 Berisha e priti në Tiranë presidentin amerikan Xhorxh Bush (George W. Bush). Me këtë rast, Presidenti Bush paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës gjë që ndodhi më 17 shkurt 2008, në orën 15:39.     
*   *   *
Shqiptarët u përkasin tre religjioneve – katolike, ortodokse dhe islame. Si çdo kund, edhe ndër shqiptarë ka ateistë. 
Dhunimi i “Lahutës së Malcís” të Gjergj Fishtës – Më 19 tetor 2026, një grup protestuesish dhunuan dhe dëmtuan monumentin e “Lahutës së Malcís” të Fishtës. Vepra u sulmua dhe u prish gjatë protestës në qendër të Lezhës. Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu e dënoi ashpër aktin duke i publikuar pamjet dhe duke e quajtur aktin përdhosje të simbolit të identitetit kombëtar. Monumenti u hoq për t’u dërguar për riparim. Askush s’e di arsyen e sulmit ndaj poemës epiko-lirike të Homerit shqiptar. A thua për arsye se autori i saj ka qenë prift katolik. Protestuesit në një anë kërkojnë arsim më cilësor, kurse në anën tjetër e përdhosin eposin kombëtar të letërsisë shqiptare.  
Ndër protestues mund të ketë ndonjë grup veprimi i të cilëve mund shkaktojnë dhe të yshtin urrejtje dhe përçarje fetare. Faktorët e jashtëm, të implikuar në protestat në Shqipëri, nuk çajnë kokën për harmoninë fetare në Shqipëri.      
*   *   *
Si çdo vend i botës, edhe Shqipëria ka vende që nuk ia duan të mirën. Kundër integrimit të Shqipërisë apo të botës shqiptare në BE dhe në NATO janë Rusia, Serbia, Greqia. 
Politikën e përtashme të qeverisë shqiptare nuk e pranon Irani.
Shënim: Në Shqipëri janë vendosur muxhahedinë iranianë, të cilët i përkasin Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK). Ndryshe njihen si opozitë iraniane në ekzil. Vendosja e tyre nisi në vitin 2013 nën qeverinë e Sali Berishës, pas një kërkese dhe marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OKB-në. Ky proces vazhdoi në vitin 2014 si dhe vitet në vijim nën qeverinë e Edi Ramës, duke u ofruar atyre strehim për arsye humanitare pasi rrezikonin eliminimin fizik në kampet ku ndodheshin në Irak. Rreth 3.000 deri në 3.500 anëtarë të MEK-ut jetojnë në kampin e fortifikuar, të quajtur Ashraf-3, që ndodhet në Manzë të Durrësit. Prania e MEK-ut e ka vendosur Shqipërinë në shënjestër të vazhdueshme  të Teheranit, gjë që kulmoi me sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës digjitale të Shqipërisë në vitin 2022. Kjo çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
*   *   *
Ka shtete që veprojnë për destabilizimin e Shqipërisë. Ata punojnë nëpërmjet shërbimeve sekrete, të fshehta të tyre. Shtete të interesuara për destabilizimin e Shqipërisë mund të jenë: Rusia, Serbia, Greqia, Irani etj. Kur politika e Shqipërisë është në kundërshti me interesat e Ankarasë, edhe Turqia nuk do të ishte për një Shqipëri të qëndrueshme.
Shënim: Më 8 janar 2020, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e quajti Shqipërinë “një vend evropian shumë i vogël, por shumë i djallëzuar.”
*   *   *
Protestuesit në Tiranë heqin Nunciatura Apostolike flamurin e Vatikanit – Gjatë një proteste në Tiranë, disa protestues hoqën dhe dogjën flamurin e Vatikanit nga Nunciatura Apostolike. Protestuesit sulmuan përfaqësinë e Selisë së Shenjtë (Nunciaturën Apostolike), hoqën flamurin e Vatikanit dhe thuhet se e dogjën atë. Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (KISH) e dënoi ashpër këtë akt, duke e quajtur të papranueshëm dhe duke bërë thirrje për qetësi, paqe e dialog. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i dënoi aktet e vandalizmit dhe njoftoi se autorët do të përgjigjen para ligjit. Gjatë ditëve në vijim, Përfaqësia e Vatikanit ka qenë sërish objekt sulmesh nga protestues të tjerë. 
Nuk është në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të sulmohet Përfaqësia e Vatikanit. Vatikani ka ndikim në politikën perëndimore dhe ka qëndrim miqësor ndaj shqiptarëve. Dy papë e kanë vizituar Shqipërinë: Papa Gjon Pali i Dytë (Karol Józef Wojtyła, 1920-2005) dhe Papa Françesko (Jorge Mario Bergoglio; Buenos-Aires, Argjentinë, 1936 – 2025). Papa Gjon Pali i Dytë e vizitoi Shqipërinë më 25 prill 1993. Papa Françesko e vizitoi Shqipërinë më 21 shator 2014. 
*   *   *
Nuk përjashtohet mundësia që shtetet e sipërthëna të jenë mbështetës të protestave në Shqipëri. Shtetet e lartpërmendura mund ta kenë në Shqipëri edhe kolonën e pestë të tyre. 
Shënim: Kjo shprehje i përket gjeneralit spanjoll Emilio Mola dhe jo drejtpërdrejt Francisco Frankos, ndonëse lidhet ngushtë me Luftën Civile Spanjolle (1936–1939) dhe me regjimin e Frankos. Nga kjo thënie ka lindur edhe termi i njohur botërisht “Kolona e Pestë” (Quinta columna).
*   *   *
Shqipëria është shtet i vogël ndaj s’e ka të lehtë të mbrohet nga ndikimet e huaja apo të jashtme. Shërbimet e shteteve të jashtme veprojnë në shumë mënyra: I blejnë mediumet, i paguajnë drejtuesit e mediumeve, i paguajnë gazetarët, redaktorët, kryeredaktorët, analistët politikë, ndërtuesit e opinioneve, pronarët e mediumeve. Ata veprojnë edhe nëpërmjet klerikëve të caktuar. Ndikimet nga vendet arabe apo nga vendet islamike mund të ushtrohen nëpërmjet klerikëve myslimanë, kurse ndikimet nga vendet sllave apo ortodokse ushtrohen nëpërmjet klerit ortodoks. 
Askush s’mund t’ia dalë ta largojë Shqipërinë dhe botën shqiptare nga orientimi perëndimor, euroatlantik. BE-ja dhe ShBA-ja janë të pranishme në Shqipëri që në fillim të pluralizmit, d.m.th. që nga viti 1991. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndaj një destabilizim i theksuar i saj nuk mund të ndodhë. 
Skena politike në Shqipëri nuk ka opozitë politike. Partia Demokratike ka kohë që nuk është reformuar, ka kohë që nuk është përtërirë as ripërtërirë. Nuk është mirë që një parti politike të udhëhiqet me dekada nga njerëz të njëjtë, nga udhëheqës të moshuar. Politikanë e moshuar duhet të tërhiqen vullnetarisht dhe t’ua lënë vendin të rinjve. Ndryshe, gjithmonë kanë për të mbetur në opozitë. 
Në partitë shqiptare nuk ka fije fryme demokratike. Partitë shqiptare nuk kanë dallim të madh prej partive të kohës moniste. Në atë kohë askush s’ka mundur ta çelë gojën për të paraqitur ndonjë mendim ndryshe. Edhe sot është kështu. Kush mendon ndryshe, mbetet në margjina. Në partitë shqiptare mbizotëron oportunizmi, konformizmi dhe poltronizmi. Mbizotëron despotizmi, autoritarizmi, autokracia. Ato sjellin tirani dhe totalitarizëm pashmangshëm që përfundon në diktaturë. 
Institucionet publike në Shqipëri janë të politizuara dhe të partizuara. E politizuar dhe e partizuar është administrata publike, të politizuar janë arsimi, shëndetësia, diplomacia etj.
Që prej vitit 1991 deri më sot në Shqipëri mbizotëron nepozizmi. Politikanët dhe pushtetarët i punësojnë dhe i emërojnë nëpër pozita të larta bijtë e vet, djemtë dhe vajzat e veta, nipat dhe mbesat, kushërinjtë etj. Në Shqipëri nuk vlen gjithaq në je ti i aftë, i talentuar, i ndershëm, i moralshëm, parimor, i zgjuar, i punës etj. Në ke të njohur, do të bëhesh diçka, ndryshe do të rish në shtëpi, me diplomë fakulteti do të punosh si kamerier, do të emigrosh për në Gjermani dhe gjetkë. 
Është e dhimbshme të thuhet se në Shqipëri hasen edhe veprime të pamoralshme, të pandershme. Ç’janë ato Reality show (Reality television) në shtetin, ekonomikisht më të pazhvilluar të kontinentit?! Ç’janë ato skena koncertesh muzikore si në San Remo të Italisë?! Ç’janë ato veshje të shtrenjta të këngëtareve të caktuara, që në një moment të caktuar rezultojnë me moral të dyshimtë. Kush i mbulon ato veshje të shtrenjta?! Prej nga paratë?!
Nuk mbahet shteti me politikën panem et circenses (bukë dhe argëtim; bukë dhe lojëra; bukë dhe cirqe).   
*   *   *
– Për organizimin e protestave ka pasur pretekste të caktuara. Një prej tyre ka qenë investimi i huaj në Zvërnec. Sali Berisha vlerëson se projekti i Zvërnecit është projekti më i madh investues i huaj në qeverisjen 13-vjeçare të Edi Ramës dhe e mbështet atë. Me fjalë të tjera, Berisha e mbron projektin e Jared Kushner-it, dhëndrit të presidentit të ShBA-së Donald Tramp. Grua e Kushnerit është e bija e Trampit, Ivanka. Jared Kushner është hebre. Vlera e investimit llogaritet në mbi 4 miliardë euro (ose dollarë, sipas disa referencave) nga kompania South Adriatic Development (ZSAD). Ndër investuesit është edhe Jared Kushner-i. Sipas pohimeve të tij, toka nuk i është dhënë falas nga qeveria, por është blerë privatisht për rreth 230 milionë euro. Protestuesit apo ndonjë grup i tyre, janë kundër investimit të një hebreu në Shqipëri.
– Ka grupe protestuesish që thonë se investimi i sipërthënë e nxjerr Shqipërinë në shitje. 
Vendet si Rusia, Serbia, Greqia etj. janë kundër një investimi të tillë në Shqipëri. Hyrjen e një hebreu në Shqipëri nuk e mirëpret as Turqia. Rrjedhimisht, shërbimet e shteteve të lartpërmendura i mbështesin protestat në Shqipëri. 
Presidenti Tramp e mbështet Izraelin dhe e sulmon Iranin. Në protesta mbase janë të përfshirë grupe që janë pro Iranit dhe kundër Donald Trampit dhe kundër Izraelit. 
– Prej 25 janarit deri më 27 janar të vitit 2026, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën ndërkombëtare për luftë kundër antisemitizmit, kryeministri Edi Rama bëri një vizitë pune në Jeruzalem. Vizita e kryeministrit Rama në Izrael dhe fjalimi i tij në Kuvendin e këtij shteti, nuk është pritur mirë as nga Irani dhe as nga Turqia. 
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, më 12 tetor 2026 zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. U prit nga krerët më të lartë të shtetit. Gjatë kësaj vizite u nënshkrua Marrëveshja për bashkëpunim të përgjithshëm. Kjo marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Afrimi i Shqipërisë me Izraelin nuk pritet mirë nga shtete të caktuara, si Turqia, Irani etj. Këto janë dy shtete të mëdha dhe shërbimet e tyre nuk e kanë vështirë të implikohen dhe të ushtrojnë shantazh apo ndikim në një vend të vogël si Shqipëria. Nga sa më sipër rezulton se politika shqiptare duhet të marrë mësim nga protestat e tashme. Politika është mjeshtri e së mundshmes. Udhëheqësi politik, para se të ndërmarrë një veprim politik, duhet t’i analizojë pasojat eventuale. “Nuk duhet parë vetëm si rrjedh lumi, por edhe ku derdhte” thotë Jakov Xoxa. 
– Korrupsioni apo vjedhja e pasurive të shtetit janë një prej shkaqeve kryesore të protestave. Sot këtë e shohin të gjithë. E sheh edhe Edi Rama, e shohin edhe pjesëtarët e qeverisë së tij. Vjedhje dhe korrupsion në Shqipëri do të ketë edhe kur të krijohet një qeveri e re, por jo në këto përmasa të frikshme. Në Shqipëri është vjedhur që nga viti 1991 e deri më sot. Cilado parti që ka qenë në pushtet – ka vjedhur. Korrupsion ka pasur, si gjatë qeverisjes së PS-së, ashtu edhe gjatë qeverisjes së PD-së. Kanë vjedhur pushtetarë të pushtetit qendror. Kanë vjedhur pushtetarë të pushtetit vendor. Vjedhës në radhët e ministrave, në radhët e deputetëve. Vjedhje në dogana, korrupsion në radhët e organeve të rendit, ryshfet dhe mitë në spitale, korrupsion nga profesorë universitarë. Vjedhje nga kryetarë bashkish. Korrupsion në sektorin e urbanizmit. Vjedhja e parave të BE-së të destinuara për subvencionimin e bujqësisë. Vjedhje të mëdha në tenderë. Për vjedhje ndodhet nën arrest kryetari i bashkisë së kryeqytetit. Po kështu edhe ish-kryetari i shtetit. 
Ndër protestues ka grupe të caktuara që nuk protestojnë kundër korrupsionit në Shqipëri por kundër politikës së kryeministrit Rama, që e konsiderojnë të afërt me Izraelin.   
– Prej viti 1991 e deri më sot, në Shqipëri nuk janë mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike. Pala humbëse thoshte: “Oponentët i kanë blerë votat dhe i kanë përdorur të gjitha format, mjetet dhe mënyrat për t’i fituar zgjedhjet. Vetëm disa ditë para zgjedhjeve, pensionistëve ua kanë rritur pensionet, ua kanë shlyer gjobat të gjobuarve para shumë kohësh, i kanë shantazhuar punëtorët e administratës publike, kanë bërë punësime të paligjshme mu në prag të zgjedhjeve.” 
Vjen një ditë kur vjedhja e votave në zgjedhje kthehet si bumerang.
*   *   *
Janë vjedhur paratë e qytetarëve. Hajdutët janë të pandërgjegjshëm. Politikanët vjedhacakë, në saje të vjedhjes dhe korrupsionit, mitës dhe ryshfetit, krijojnë klasën e lartë të shoqërisë, borgjezinë. Oligarkët janë borgjezia e shoqërisë. Borgjezia e një vendi duhet të krijohet me punë të ndershme dhe jo me veprime të paligjshme apo të kundërligjshme. Borgjezia e një vendi nuk krijohet brenda natës. Për t’u krijuar, asaj i duhen dekada. 
Si rrjedhojë e pasurimit brenda natës krijohen edhe dallime shoqërore. Dikush jeton si në ëndrra, kurse të tjerët – mezi e sigurojnë bukën e gojës. Përqindja e atyre që jetojnë mirë është e vogël, kurse e atyre që mezi e lidhin fillimin me fundin e muajit përbën rreth 90 për qind të shoqërisë. Vjen një kohë kur kjo gjendje bëhet e padurueshme. Si pasojë, pakënaqësia shpërthen si vullkan. Të rinj dhe të reja të diplomuara rinë pa punë. Janë lënë në margjinat e shoqërisë. Ata janë kryesisht bij dhe bija të shtresave të ulëta të shoqërisë. Ata nuk kanë të njohur për t’u dalë në ndihmë. Të gjendur në situatë të tillë, kjo kategori e shoqërisë detyrohet të lërë vendin dhe t’i marrë në sy rrugët e botës. Të shpërngulet, për të mos u kthyer më kurrë. 
Protestat në Shqipëri nuk mund të shpjegohen me ndikimin e shërbimeve sekrete të huaja, të shërbimit rus, serb, grek, iranian, të shërbimeve sekrete turke etj.
*   *  *
Protestat në Shqipëri janë pasojë e problemeve sociale, të grumbulluara me dekada. “Akulli i trashë një metër nuk është bërë për një natë” ­thotë një fjalë popullore kineze. Vjen një ditë kur këto probleme shpërthejnë. Ti me vila të shtrenjta, jo një por më tepër se aq, me vetura të shtrenjta, me pallate, me banesa në zonat e veçanta të qytetit, ti fëmijët i dërgon për “studime” nëpër universitetet e vendeve perëndimore, ti i kalon pushimet e verës po edhe të dimrit në vendet ezoterikë të botës, kurse unë nuk mund t’i blejë fëmijës tim fletore, vizatim dhe ngjyra. Djali apo vajza jote punësohet sa çel e mbyll sytë, kurse unë pres punë me vite. Çfarë kapitalizmi është ky?! Ky nuk është, as komunizëm, as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. Kujt i duhet demokracia në varfëri, në skamje dhe mjerim. Ç’demokraci është ajo?! Unë se jeta argat dhe shërbëtor kurse ti dhe bijtë e tu – padronë.
Abuzime dhe korrupsion në shtetin, ekonomikisht më të pazhvilluar në Evropë dhe në rajon. Shqiptarët duhet të manifestojnë aftësi shtetformuese. Me hajdutëri dhe korrupsion nuk ndërtohet shteti dhe nuk mbahet shteti. 
Përkundër shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik, Shqipëria duhet t’i kushtojë rëndësi edhe Kosovës. Ta mbrosh Kosovën të paktën në rrafshin diplomatik, nuk konsiderohet politikë nacionaliste dhe paternalizëm, nuk paraqet destabilizim të rajonit. Serbia, Rusia, Greqia, Irani etj. nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Madje shtetet si Rusia, Greqia, Irani etj. e çojnë mirë me Serbinë. 
Grupe të caktuara të protestave duhet ta dinë se shqiptarët janë popull evropianë, ndaj s’ka teori që t’i bashkohen ndonjë blloku tjetër politik, ideologjik apo fetar. Shqiptarët s’e kanë dot vendin në BRIKS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut) Ky forum përbëhet prej anëtarëve që deri dje kanë qenë në konflikt midis tyre. Feja e shqiptarit është shqiptaria. Feja e shqiptarit është gjuha shqipe.
*   *   *
Në protesta marrin pjesë edhe persona me maska në fytyrë. Nuk protestohet kundër korrupsionit me maskë në fytyrë. Protestuesit e maskuar të çojnë të mendosh se ata nuk protestojnë për problemet e qytetarëve, nuk kanë dalë të protestojnë kundër korrupsionit dhe abuzimeve llojesh të ndryshme. Ata s’mund të quhen as protestues politikë, s’mund të quhen protestues që kanë kërkesa politike. Mos dhëntë Zoti që të tillët të jenë mercenarë të shërbimeve të huaja – ruse, serbe, greke, iraniane. Sidoqoftë, nuk dimë kush janë të rinjtë e maskuar që protestojnë. Nuk duhet t’i paragjykojmë. Shumë prej tyre mund të kenë halle dhe probleme ekonomike e sociale.  
Po të formojnë protestuesit parti politike apo të dalin në zgjedhje si një subjekt politik, mund të fitojnë një numër simbolik deputetësh, d.m.th. mund të fitojnë një numër të vogël mandatesh.  
*   *   *
Në Shqipëri nuk ka për të pasur revolucion. Koha e revolucioneve ka kohë që ka përfunduar. S’ka revolucion në Evropën e shekullit XXI. Revolucioni i parë dhe i fundit në Evropë ka qenë ai i vitit 1789 në Francë, i njohur si Revolucioni Francez apo siç e quan dikush – Revolucioni Borgjez Francez. Çdo revolucion tjetër që vjen pas këtij të sipërthënit, s’është veçse imitim i tij.    
*   *   *
  „Revolucioni i ha bijtë e vet“ (ose „Revolucioni është si Saturni – i ha fëmijët e vet“) – është një metaforë e njohur historike dhe politike që tregon se si një lëvizje revolucionare, pasi ngrihet për të përmbysur një regjim, fillon t’i eliminojë udhëheqësit e vet, themeluesit e lëvizjes apo mbështetësit e saj, gjatë luftës për pushtet dhe për shkaqe ideologjike. Shprehja ka lindur gjatë Revolucionit Francez (1789) kur udhëheqësit e revolucionit, si Zhorzh Danton (Georges Danton; Arcis-sur-Aube, Francë, 1759 – Paris, 1794), Maksimilian Robespjeri (Maximilien Robespierre, 1758-1794) dhe të tjerë, përfunduan në gijotinë, të eliminuar nga fraksionet radikale brenda lëvizjes. 
Robespjeri ishte avokat francez dhe burrë shteti. U bë një nga figurat më me ndikim, më radikale dhe më të diskutueshme të Revolucionit Francez.  Njihej si “L’Incorruptible“ (I pakorruptuari). Udhëhoqi klubin politik të Jakobinëve dhe u bë udhëheqësi de fakto i Francës gjatë periudhës më të përgjakshme të revolucionit. Radikalizimi i tij i skajshëm dhe frika e  deputetëve të Konventës Kombëtare se do të ishin viktima të radhës, çuan në grusht shteti të njohur si Reaksioni Termidorit. Më 27 korrik 1794 (9 termidor), Robespjeri u shpall i jashtëligjshëm dhe pas një përleshjeje, u arrestua, me ç’rast u plagos në nofull. Më 28 korrik 1794, pa kurrfarë gjykimi, u ekzekutua në gijotinë në Paris, në moshën 36-vjeçare. Kjo shënoi fundin e terrorit. Pas kësaj, Revolucionit Francez u bë më i moderuar.   
*   *   *
Në mitologji, shprehja ndërlidhet me perëndinë romake Saturnin (ose greke Kronosin) i cili i hante fëmijët e vet që mos t’ia merrnin pushtetin.  
*    *    *
Qëndrimi Shqipërisë ndaj Kosovës – Cilado qeveri e Shqipërisë duhet ta dijë se rruga e Tiranës për në Beograd kalon nëpër Prishtinë. Çdo gjë jashtë kësaj është tradhti kombëtare, është tradhti e lartë. Kryeministri Rama shkonte në Beograd duke e anashkaluar Kosovën. Një veprim i tillë nuk mund t’i lejohet, atij dhe askujt tjetër. Asnjë politikan i Tiranës s’mund të takohet me politikanët serbë, pa pëlqimin dhe pa miratimin e Prishtinës.
*   *   *
Ballkani i Hapur (Open Balkan) ishte një nismë ekonomike dhe politike rajonale, e ndërmarrë në vitin 2019 nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kësaj nisme Kosova nuk iu bashkëngjit. Pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës në kufijtë ekzistues, nismat e këtilla janë të kota. 
Hashim Thaçi është akuzuar dhe është dënuar në mungesë nga Serbia që në vitet 1990 për  veprimtarinë e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Në vitin 1997 Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e kontrolluar nga regjimi serb, e dënoi Hashim Thaçin, në mungesë, me 10 vjet burg për veprimtari terroriste. Serbia kishte lëshuar urdhër-arreste për të, që nga viti 1993 “për shkak të rezistencës dhe sulmeve ndaj forcave policore serbe.” Atëherë shtrohet pyetja: “Si do të mund të shkonte Hashim Thaçi në Beograd, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës apo të kryetarit të Kosovës, për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit të Hapur?!” Kjo s’do t’i lejohej as Albin Kurtit.
*   *   *
Aleksandar Vuçiqi përqendron trupa ushtarake pranë kufirit të Kosovës, kurse kryeministri Edi Rama komunikon me të apo me Beogradin, sikur asgjë s’ka ndodhur. Një veprim i tillë i Ramës, për Prishtinën është i papranueshëm. 
Politikën e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, kryeministri Rama e harmonizon me atë të Bashkimit Evropian. Por, kur është fjala për politikën dhe interesin gjithëkombëtar, Tirana nuk duhet t’i bindet as Brukselit. Tirana duhet të kërkojë nga Brukseli që t’ia mbyllë Serbisë dyert e integrimit në Union.
*    *   *
Është për t’u habitur se si shokët dhe miqtë shqiptarë të kryeministrit Rama – në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporë nuk e kanë këshilluar, nuk e kanë sugjeruar, nuk e kanë “qortuar” atë, që gjatë qeverisjes së vet të jetë më në krye të detyrës. Nuk është e mundur që bashkëpunëtorët e tu të kenë keqpërdorur pushtetin, e ti të mos dish gjë. Ata në burg dhe nën hetim, kurse ti në liri, me atlete të bardha. Askush nuk pret dot që sot e tutje të biesh në gju në mënyrë teatrale para kryeministres së Italisë Xhorxhia Melonit (Giorgia Meloni, Romë, 1977- ).          
*   *   *
Për problemet në Shqipëri përgjegjësi mban kryeministri Edi Rama. Politika e jashtme që ndjek ai nuk është aq e baraspeshuar apo e balancuar. Grekët e vjetër kanë thënë: “Mos u bëj i skajshëm / Mos e tepro / Mos ia nxirr fundin” (Mēdén ágan). Shumë njerëz që kanë qenë anëtarë të qeverisë të udhëhequr prej tij, ndodhen në burg, ndodhen nën hetime ose edhe janë dënuar për abuzime, keqpërdorime, shpërdorim detyre, korrupsion, vjedhje. Flitet për avullimin e miliona eurove, në mos dhe më shumë. Kjo është e tmerrshme, e dhimbshme, e palejueshme, e dënueshme. Përse ky njeri nuk i ka parandaluar vjedhjet, hajdutërinë, ligësinë, poshtërsitë …?! Dikush do të thotë: “Po është vetë ai që ka vjedhur.” Dhënia e dorëheqjes nga kryeministri Rama dhe formimi i një qeverie teknike nuk është kataklizëm.
*   *   *
Edi Rama shërben si kryeministër i Shqipërisë që nga shtatori i vitit 2013, duke drejtuar disa mandate qeverisëse radhazi. Në mandatin e parë, PS-ja e drejtuar prej tij ka qenë në koalicioni me LSI –në. Ky mandat ka zgjatur në periudhën shtator 2013 – shtator 2017. Pas këtij mandati pasojnë mandatet Rama II, Rama III. Ai është kryeministri i parë shqiptar me disa mandate rresht. Rama është në krye të qeverisë trembëdhjetë vjet radhazi. Një qeverisje kaq e gjatë nga i njëjti person apo nga e njëjta parti politike, nuk shkon në dobi të proceseve demokratike. Nuk mund të bëhet krahasimi me qeverisjen 16-vjeçare të kancelares gjermane Angela Merkel. Ajo ka qenë kancelare prej viti 2005 deri në vitin 2021. Gjermani është shtet ligjor, kurse Shqipëria ende ndodhet në tranzicion.     
Duhet theksuar se zgjedhjet e fituara nga PS-ja, opozita e udhëhequr nga Sali Berisha i ka kontestuar, duke thënë se procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejtë, korrekt dhe demokratik. Sipas Berishës, Rama i ka blerë votat dhe i ka vjedhur votat.   
*   *   *
Protestat e dhunshme dëshmojnë për shkarkimin e një energjie destruktive. Thyerja e pronave publike apo private dhe djegia e tyre janë provë e destruksionit që manifeston një pjesë e protestuesve. Askush s’e di se kush janë protestuesit me maska dhe në shërbim të kujt janë.  
Protestat e dhunshme mund të ndikojnë në zvarritjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
*   *   *
Shqiptarët dhe hebrenjtë – Shqipëria është i vetmi vend në Evropën e pushtuar nga nazistët ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Asnjë hebre nuk iu dorëzua autoriteteve gjermane nga popullsia vendase. Kjo ndodhi falë kodit tradicional shqiptar të Besës, i cili e konsideron mbrojtjen e mysafirit dhe të mikut si një detyrë të shenjtë mbi jetën. Familjet shqiptare – si ato myslimane, ashtu edhe ato të krishtera – strehuan, morën në mbrojtje dhe pajisën me dokumente false qindra hebrenj vendas dhe mijëra të tjerë që erdhën si refugjatë nga vendet fqinje. Për këtë arsye, Muzeu i Kujtesës së Holokaustit “Yad Vashem” në Izrael ka nderuar dhjetëra shqiptarë me titullin “Fisnikë mes Kombeve”.
Një protestuese e maskuar e heq flamurin e Izraelit nga Ambasada e Izraelit – Gjatë protestave në Tiranë, një vajzë e maskuar ka shkulur dhe hequr flamurin e Izraelit nga Ambasada e Izraelit në Tiranë. Një protestuese me maskë hoqi flamurin nga ndërtesa e ambasadës. Për shkak të tensioneve dhe zhvillimeve rreth protestave, Ambasada e Izraelit njoftoi mbylljen e saj të përkohshme. Institucionet shtetërore shqiptare, politikanët dhe vetë ambasada e dënuan ashpër aktin e heqjes dhe përdhosjes së flamurit.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në krye me ShBA-në, kundër forcave ushtarake dhe policore pushtuese serbe, në vitin 1999 – Operacioni i ndërhyrjes ushtarake udhëhiqej nga Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ). Në atë kohë, një pjesë e madhe e kabinetit të tij kanë qenë amerikanë me prejardhje hebraike, përfshi edhe Medlin Ollbrajtin (Madeleine Albright, 1937-2022). 
Gjenerali Vesli Klark (Wesley Clark) nga ana e babait ka prejardhje hebraike. I lindur me emrin Wesley Kanne, babai i tij biologjik ishte Benjamin Jacob Kanne, avokat dhe politikan hebre nga Çikago.
Gjatë vitit 1999, në kabinetin zyrtar dhe në postet e nivelit të kabinetit të Presidentit Bill Clinton shërbenin disa zyrtarë të shquar me prejardhje hebraike: 
Anëtarët e përhershëm të Kabinetit (sekretarët): Robert Rubin – sekretar i Thesarit deri në korrik të vitit 1999; Lawrence Summers – nga korriku i vitit 1999 deri në fund të mandatit e zëvendësoi Robert Rubinin dhe shërbeu si sekretar i Thesarit; Dan Glickman – sekretar i Bujqësisë gjatë gjithë vitit 1999;  
Zyrtarë të nivelit të Kabinetit (Cabinet-level officials): Samuel Berger – Këshilltar për Sigurinë Kombëtare; Jack Lew – Drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe të Buxhetit (OMB); Charlene Barshefsky – Përfaqësuese e Tregtisë e Shteteve të Bashkuara (USTR); Richard Holbrooke – Ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara nga gushti i vitit 1999; Janet Yellen – Kryetare e Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë deri në gusht të vitit 1999.  
*   *   *
Në Shqipëri nuk mund të ketë grusht shteti ose puç. Shqipëria është anëtare e NATO-s ndaj ushtria nuk implikohet në proceset politike në Shqipëri apo në protesta.
Shënim: Grusht shteti (ose puç, frëngjisht coup d’état) nënkupton ndërrimin jokushtetues të pushtetit, zakonisht të dhunshëm, të kryer nga një grup i vogël brenda aparatit shtetëror, siç është ushtria, policia, shërbimet e inteligjencës ose një pjesë e zyrtarëve të lartë politikë. 
*   *   *
Në Shqipëri nuk do të ketë luftë civile. Protesta po, por jo edhe luftë civile. Shqiptarët s’janë dot aq të pandërgjegjshëm për t’u vrarë ndër vete dhe për të vrarë njëri-tjetrin. Gjatë gjithë historisë së përgjakshme, shqiptarët janë përplasur me stuhitë e kohës, me furtuna, me erëra të furishme. Shqiptarët e dinë mirëfilli se janë të rrethuar me fqinjë grabitqarë, me hiena që nuk u nginë së pushtuari trojet ilire, dardane dhe arbërore. Shqiptarët s’kanë plumba kundër vëllezërve të një gjaku. 
Një prift i tha gjeneralit që e shoqëronte: “Gjeneral, ky është një popull që nuk mund të rijë pa vrarë. Kur s’kanë armiq për të vrarë, vriten ndër vete. Armiqtë e këtij populli që vijnë për ta nënshtruar atë, përfundojnë së kërkuari kockat e djemve të tyre në shkrepat e egra, ku vazhdimisht bie shi i imët. Sa më parë të largohemi që këtej, gjeneral.”          
*    *    *
Kanë kaluar 36 vjet nga rënia e regjimit monist në Shqipëri. Ajo ende vazhdonte jetë në tranzicion, akoma s’e ka kaluar fazën e tranzcionit. Kjo tregon se shoqëria shqiptare ndodhet në shkallë të ulët të zhvillimit. Shqiptarët përmbyten në vorbullën e ngecjes, të prapambetjes, të provincializmit, të etjes për t’u pasuruar, qoftë edhe në mënyrë të paligjshme. Të pasurohem unë, qoftë edhe brenda natës, ani se fqinji im nuk ka para për të blerë një bukë, për të blerë barna, për ta paguar rrymën, për të blerë dru zjarri. Të pasurohem unë, të zë pozita të larta, qoftë edhe në mënyrë të pamoralshme, ta çojë djalin apo vajzën për “shkollim” në Londër apo në Amerikë, që kur të kthehet që andej, ta bëj ligjërues në universitet, ministër, deputet, deri edhe kryetar shteti. 
Ç’janë këto moderatore me ato veshje të shtrenjta që s’i sheh as te moderatoret e Biseda në CNN (Cable News Network)?! Kujt i duhen ato veshje, kujt i shërbejnë ato veshje, ç’duan të tregojnë me veshje të tilla?! Kjo është dëshmi e prapambetjes, e moralit të dyshimtë. Shqipëri nuk jam unë me vilat e shtrenjta, me veturën e shtrenjtë, me paratë në llogaritë bankare, shëtitjet nëpër botë me konkubina, drekat dhe darkat e shtrenjta, dasmat dhe ceremonitë e shpeshta. Shqipëri është çdo shqiptar, përfshi edhe atë që mezi e siguron bukën e gojës. Ç’më duhet mua pasuria dhe luksi, kur dhjetë të tjerë pranë meje, vuajnë dhe jetojnë në skamje.         
*    *    *
Është për t’u habitur me BE-në se si nuk i ndihmuan Shqipërisë për ta frenuar hajdutërinë dhe për ta ndalur atë?! Është për t’u habitur me Brukselin se si kurrë nuk i ndihmuan Shqipërisë të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike? Çdo ditë dhe vite me radhë vijnë nga Brukseli emisarë, por krejt e kotë. Më mirë është të mos vijnë. Ata, më kot i harxhojnë nëpër udhëtime, paratë e qytetarëve të vet.             
*   *   *
Është mëkat dhe e dhimbshme të shohësh se si protestuesit apo një grup i tyre i sulmojnë dhe i dëmtojnë institucionet dhe pronat publike, si dhe pronat private. T’i thyesh tregtizat apo bizneset e Shqipërisë së varfër dhe të vogël, është mëkat dhe e dhimbshme. Protestat në Serbi filluan në nëntor të vitit 2024. Ato zgjatën pothuajse deri në ditët tona. Protestuesit serbë, studentët dhe qytetarët, nuk shkaktuan dëme si në Shqipëri. Mos digj shtetin tënd, mos ia vërë flakën mëmëdheut. 
Në shtetin me sistem demokratik siç është Shqipëria, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Ato duhet të jenë të qeta. Protestuesit duhet ta dinë se pushteti merret në zgjedhje të lira dhe demokratike dhe jo në rrugë. Për të konkurruar për qeverisje, protestuesit duhet të kenë program politik apo platformë politike. Para kësaj, ata duhet të profilizohen si subjekt politik. Ata duhet ta dinë se as PS-në dhe as PD-në nuk mund ta shlyejë kush me gomë. 
Është indikativë se si këto protesta morën hov në kohën kur udhëheqësit e BE-së punojnë në mënyrë intensive me Tiranën zyrtare për integrimin e Shqipërisë në Union. Integrimi i Shqipërisë dhe i Kosovës është çështje jetike për botën shqiptare. Por, ka vende që nuk e duan Shqipërinë dhe Kosovën në BE. Të gjithë duhet ta dinë se s’ka fuqi në botë që mund t’i nxjerrë shqiptarët nga gjiri evropian. 
*   *   *
Problem i Shqipërisë nuk është vetëm kryeministri Edi Rama. Problemi i Shqipërisë ka dimension shoqëror. Para të këqijave dhe ligësive që kanë ndodhur me dekada, për interesa meskine i kanë mbyllur sytë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti i Tiranës, i kanë mbyllur sytë akademikët, janë hequr se s’kanë parë, as kanë dëgjuar, profesorët universitarë. Me dekada janë shtirur se s’kanë par gjë të keqe – inteligjencia, intelektualët, njerëzit me shkollë, filozofët, sociologët, ekonomistët, shkrimtarët, poetët, analistët politikë – argatë të politikës dhe të pushtetarëve, mediumet – po ashtu argatë dhe shërbëtorë të qeveritarëve.
Ndër shqiptarë ka poetë sa s’i merr lapsi. Sa të duash. Shumicën prej tyre askush s’i lexon. Ata janë shndërruar në ekzibicionistë që çdo vit botojnë nga ndonjë vëllim poetik. Ata u japin mirënjohje njëri-tjetrit dhe i përfshijnë nëpër antologjitë e njëri-tjetrit. Kësaj kategorie të pseudo-poetëve fare pak u intereson gjendja kaotike në rrugët e qyteteve arbërore.  
Sikundër shihet, nëpër institucionet shkencore dhe arsimore më të larta të kombit rinë  indiferentë dhe indolentë dijetarë oportunistë, konformistë dhe demagogë. 
Është e dhimbshme ta shohësh një të ri protestues, të përgjakur nga shkopi i gomës i policisë së vendit të vet. Ne këndej kufirit jemi përplasur me policinë serbe, malazeze, sllavo-maqedonase dhe jugosllave.       
*   *   *
Të gjithë kanë marrë mësim prej protestave. Edi Rama më së shumti. Është momenti të mbizotërojë arsyeja. Problemet dhe kërkesat duhet të kapërcehen me urti dhe me marrëveshje. Të gjithë duhet t’u kthehen punëve. Nxënësit dhe studentët – shkollave dhe amfiteatrove. Protestat mbase e kanë zgjuar politikën shqiptare nga gjumi dimëror. Kërkesat e protestuesve duhet të shqyrtohen, në të mirë të së tashmes dhe të brezave që vijnë. Rinia shqiptare duhet t’i harxhojë energjitë e veta në shkollë, më amfiteatër, në punë dhe në familje. Është çasti për të gjykuar kthjellët. Veprimet e skajshme nuk shpijnë gjëkundi.
Në saje të protestave, Shqipëria kurrë s’ka për të qenë ajo që ka qenë apo ashtu si ka qenë. Korrupsioni, abuzimet, vjedhjet, vilat, veprimet e paligjshme, të kundërligjshme, keqpërdorimet, shpërdorimet nga qeveritarët, nga pushtetarët, nga politikanët, nga liderët partiakë – për një kohë të caktuar do të reduktohen. Kjo është ana e mirë e protestës. 
Për fat të keq, edhe nën një qeveri të re, Shqipëria do të vazhdojë të ballafaqohet me grupet e kultivimit, të përdorimit dhe të shpërndarjes së mjeteve narkotike. Shqipëria është e vogël për t’u përballur me bandat e tilla. Sidoqoftë, organet e rendit duhet ta bëjnë punën e vet. Shqipëria nuk duhet të lejojë e të bëhet Kolumbia e Evropës.            
Shqiptarët nuk janë hakmarrës. Ata që e kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi.