Ballina IA Afera e shefit të Nvidia-s: Dashuria në kohën e luftërave për çipat

Afera e shefit të Nvidia-s: Dashuria në kohën e luftërave për çipat

Donald Trump ishte në dijeni të lidhjes së shefit të Nvidia-s me një grua të dyshuar si spiune kineze. Megjithatë, presidenti amerikan heshti. A shpresonte ai të siguronte përparësi në luftën për pushtet me Kinën?

Nga Thomas Fischermann, Bangkok, Eva Wolfangel, Berlin, Heike Buchter, Nju-Jork, dhe Jens Mühling, Shangai

Pak më shumë se një vit më parë, presidenti amerikan Donald Trump mësoi nga shërbimet e tij të inteligjencës për një rrezik të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare. Jensen Huang, 63 vjeç, drejtuesi i prodhuesit të çipave Nvidia, kompanisë më të vlefshme në botë në atë kohë, ishte afruar me një grua të dyshuar si spiune kineze. Se sa e afërt kishte qenë kjo marrëdhënie, Huang e pranoi vetë të dielën e kaluar: „Unë e kam tradhtuar bashkëshorten time“, shkroi ai në një email drejtuar punonjësve të kompanisë. Që në pranverë, sekretari i Shtetit Marco Rubio kishte shpërndarë mes zyrtarëve më të lartë një memorandum sekret, ku thuhej se gruaja ishte rekrutuar posaçërisht nga Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit për të mbledhur informacione rreth Huangut.

Po presidenti? Nuk ndërmori asgjë. Në maj, ai madje e ftoi Huangun ta shoqëronte në Pekin për takimin me Xi Jinping. Në tetor, i dha atij Medaljen Kombëtare të Shkencës (National Medal of Science), çmimin më të lartë shkencor të vendit. Dhe të dielën në mbrëmje, vetëm disa orë pas rrëfimit të Huangut, Trump u tha gazetarëve se Huang ishte „një njeri i nderuar“. Ishte kjo pakujdesi? Apo presidenti e kishte kuptuar fare mirë se këtu bëhej fjalë për shumë më tepër sesa besnikëria bashkëshortore e një drejtuesi korporate – pikërisht për luftën rreth atyre çipave që do të përcaktojnë se kush do ta sundojë botën gjatë dekadave të ardhshme?

Kjo histori, e cila prej ditësh po del në dritë pjesë-pjesë, i ka të gjitha elementet e nevojshme për një triller spiunazhi. Ajo fillon në qershor të vitit 2024, në një bar në Taipei, pak pas mesnatës: Një kineze me emrin Alice Huang – e cila, pavarësisht mbiemrit të njëjtë, nuk ka lidhje familjare me shefin e Nvidia-s – e fton atë t’i bashkohet një grupi drejtuesish të inteligjencës artificiale. Ai pi një uiski me ta. Fotografitë e asaj mbrëmjeje shfaqen në internet; më vonë, Alice Huang publikon në rrjet fotografi ku shfaqet përkrah tij. Më pas, shërbimet amerikane të inteligjencës fillojnë ta përgjojnë gruan dhe gjatë përgjimeve hasin vazhdimisht emrin e Jensen Huangut.

Pak javë më vonë, punëdhënësi i Alice Huangut, Megaspeed, një degë e riemërtuar e një kompanie kineze të lojërave elektronike, me vetëm një zyrë të vogël në Singapor, fillon të blejë çipa Nvidia në vlerë prej miliarda dollarësh. Një zyrtar i Departamentit amerikan të Tregtisë do t’i gjejë më vonë këta çipa shumë të kërkuar në një qendër të përpunimit të të dhënave në Malajzi, të paketuar në kuti kartoni, sikur të ishin depozituar aty vetëm përkohësisht. Gjurmët e financuesve të marrëveshjes miliardëshe çojnë përmes kompanive guaskë në Ishujt e Virgjër Britanikë dhe Ishujt Kajman, deri në Hongkong dhe Shangai.

Huang u shpjegon njerëzve më të fuqishëm të botës të ardhmen sipas modelit amerikan

Të martën, portali amerikan i lajmeve The Information, duke iu referuar dy personave që e njohin Alice Huangun, raportoi se marrëdhënia e dashurisë kishte ndihmuar në furnizimin e kompanive kineze me çipa në vlerë prej 7,5 miliardë dollarësh – dhe tani ekziston dyshimi se gjatë këtyre furnizimeve mund të jenë anashkaluar pjesërisht edhe kufizimet amerikane të eksportit. Ende nuk është e qartë nëse e gjithë kjo do të konfirmohet.

Megjithatë, çdo ditë dalin në publik informacione të reja shpërthyese – dhe në qendër të tyre qëndron Jensen Huang. Ky njeri është pothuajse i pazëvendësueshëm për qeverinë amerikane dhe përfaqëson një lloj diplomati shëtitës amerikan të çipave: Ai ua shpjegon njerëzve më të fuqishëm të botës të ardhmen sipas modelit amerikan – dhe njëkohësisht ua shet atë. Çipat më të avancuar të Nvidia-s i japin Trumpit fuqi negociuese ndaj çdo vendi që dëshiron të zhvillojë inteligjencën artificiale (IA), ndërsa presidenti vendos për licencat e eksportit që kompanisë i nevojiten për të zhvilluar biznes në shumë vende.

Në maj të vitit 2025, Huang njoftoi në Riad, nga skena e një forumi investimesh saudito-amerikan, se Nvidia do t’i furnizonte kompanisë së sapothemeluar të inteligjencës artificiale të fondit shtetëror saudit më shumë se 18.000 çipa të gjeneratës së saj më të re; Trump e falënderoi nga podiumi. Në mesin e tetorit, Huang u ul në një skenë në Berlin, përkrah kancelarit federal Friedrich Merz, dhe u shpjegoi gjermanëve se duhej ta transformonin ekonominë e tyre në dobësim përmes inteligjencës artificiale: „Ky revolucion industrial është kaq i madh, kaq i fuqishëm. Ju nuk do të keni një mundësi të dytë.“

Për Donald Trumpin bëhet fjalë për një çështje vendimtare. „Ne jemi përpara Kinës në inteligjencën artificiale“, u tha ai gazetarëve në shtator, në resortin e tij të golfit në Doonbeg të Irlandës, „dhe, sinqerisht, dua që kjo të vazhdojë kështu, sepse kush fiton në inteligjencën artificiale, fiton.“ Më pas, ai e përsëriti këtë në platformën e tij Truth Social, me shkronja të mëdha. Ai nuk e çoi mendimin deri në fund, por, nëse ndiqet pikëpamja mbizotëruese në administratën e tij, ajo që nënkuptohet është fitorja në lojën e madhe për mirëqenie, epërsi ushtarake dhe pushtetin për t’ia diktuar rregullat pjesës tjetër të botës – një përballje mes dy fuqive të mëdha, në përfundim të së cilës bota mund të ndahet përsëri.

Korporata e Huangut ndodhet pikërisht në pikën vendimtare të kësaj përballjeje. „Nvidia është unike“, thotë Mishel Kondi, analiste e lartë në Center for Advanced Defense Studies në Uashington, një institut kërkimor që zbulon rrjetet e kontrabandës dhe strukturat e krijuara për të fshehur veprimtaritë e tyre. Së bashku me gazetarët e The New York Times, ajo ka shqyrtuar rrjetin e ndërlikuar të kompanive që lidhen me Alice Huangun dhe Megaspeed. Sipas këtij hulumtimi, çipat e Nvidia-s gjenden jo vetëm në konsolat e lojërave elektronike, por edhe në teknologjinë e mbikëqyrjes dhe madje përdoren edhe nga ushtria. „Kjo e bën këtë rast kaq të rëndësishëm“, thotë Kondi.

/DIE ZEIT