Rënia e kryekriminelit serb Aleksandar Vuçiq është akt i rëndësishëm për fillimin e demokratizmit të Serbisë dhe për vendosjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë në rajon. Pa Viçiqin – eksponent të ideologjisë serbomadhe – rajoni nuk mund të jetë më i keq, mund të jetë më i qetë dhe më i qëndrueshëm. Rënien e tij duhet mbështetur ma mëdyshje dhe pa ngurrim.
* * *
Serbia duhet t’i japë fund të jetuarit me mite dhe legjenda. Nuk jetohet me mite në shekullin XXI, në kohën e teknologjisë digjitale, në kohën e inteligjencës artificiale. Akademikët e vjetruar serbë vazhdojnë të jetojnë në mite dhe legjenda, me mite dhe legjenda, por të rinjtë serbë duhet të çlirohen nga të qenët robër të rrëfimeve për xhindet që mbjellin frikë dhe kuçedrat me shtatë krerë. Edhe miti për Kosovën, për betejën e Kosovës, nuk u krijua në vitin 1389. Ai u trillua dhe u sajua kah fundi i shekullit XIX për ta justifikuar pushtimin serb të Dardanisë. Është koha që Serbia të demistifikohet, të çmitizohet, të pranojë realitetin. Serbët nuk janë popull hyjnor, nuk janë astral. Serbia është e vogël për të qenë e madhe. Nuk jetohet me histori të rrejshme. Koha moderne nuk njeh megalomani dhe mendjemadhësi. Le ta matë Serbia sa e ka borxhin e jashtëm. Në fund të gushtit të vitit në vazhdim, borxhi i jashtëm i Serbisë arrin 29.25 miliardë euro. Shumë kjo astronomike! Kjo është meritë e të mençurit Vuçiq!
* * *
Serbia ka nevojë për ndryshime demokratike, jo për ndryshime kozmetike, sa për sy e faqe, por për ndryshime demokratike rrënjësore.
Serbia e udhëhequr nga qeveria e profesorëve të studentëve duhet ta kalojë Rubikonin, duhet të marrësh vendim të rëndësishëm dhe të pakthyeshëm, pas të cilit nuk ka më kthim prapa. Serbia ndodhet para një zgjedhjeje të madhe. I duhet të ndërmarrë një hap guximshëm që do të ndryshojë plotësisht rrjedhën e ngjarjeve.
Sot e tutje, Serbia nuk mund të rijë në dy karrige: edhe me Bashkimin Evropian edhe me Rusinë e Putinit. Serbia studentore duhet ta përkufizojë politikën e shtetit: Do t’i takojë zonës ruse të interesit apo asaj perëndimore. Do t’i përkasë sferës ruse të ndikimit apo asaj të BE-së?!
Vuçiqi thithte mjete financiare, ndihma dhe investime nga Bashkimi Evropian, ndërsa i qëndronte besnik Moskës dhe Putinit.
* * *
Qeveritarët e ri të Serbisë duhet t’i japin fund ideologjisë nacionaliste dhe ultranacionaliste serbomadhe, duhet t’i japin fund idesë së Serbisë së madhe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit. T’i japin fund ideologjisë serbomadhe anakronike dhe retrograde të llojit të shekullit XIX, fund “Naçertanies” (1844) së Ilija Garashaninit (1812-1874), fund albanofobisë së autorit të librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913) të Vladan Gjorgjeviqit (1844-1930), fund gjeografit Jovan Cvijiq (1865-1927), fund politikës së Nikola Pashiqit (1945-1926), fund ideologjisë së Vasa Çubriloviqit (1897-1990), fund politikës së Karagjorgjeviqëve, fund politikës së Aleksandar Rankoviqit (1909-1983), fund ideologjisë së babait të kombit serb Dobrica Qosiqit (1921-2014), fund akademikëve serbomëdhenj, autorë të “Memorandumit të ASShA” (Memorandum SANU, janar 1986) të quajtur nekrolog i Jugosllavisë së Titos, fund politikës së përgjakshme të piromanit dhe kasapit të Ballkanit Slobodan Milosheviqit (1941-2006), fund epigoneve të tij – Vojisllav Sheshelit (Sarajevë, 1954- ), Tomislav Nikoliqit (1952- ), Aleksandar Vuçiqit (1970- ).
Serbia “e re” e studentëve është mirë ta rikujtojë edhe kryeministrin Zoran Gjingjiq (Shamac, Bosnjë dhe Hercegovinë, 1952 – Beograd, 2003), të vrarë në atentat nga nacionalistët serbomëdhenj. Ishte kryeministri i parë i Serbisë i zgjedhur në mënyrë demokratike. U vra në atentat me snajper më 12 mars 2003 përpara ndërtesës së Qeverisë në Beograd. Ishte figurë kyçe e ndryshimeve demokratike në Serbi. Në vitin 2000 udhëhoqi rrëzimin e regjimit të Slobodan Milosheviqit. Gjingjiqi ishte shkolluar në Gjermani në University of Konstanz (1979).
* * *
Testi i demokracisë në Serbinë e qeverisur nga Lista e Studentëve matet me qëndrimin e saj ndaj Kosovës. A do ta njohë qeveria e re pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj?
Fituesit e zgjedhjeve – studentët – thonë se lidhur me Kosovën do ta respektojnë Kushtetutën e Serbisë, sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë.
Qeveria e re serbe:
– duhet të bashkëpunojë me institucionet përkatëse të Kosovës për gjetjen e të pagjeturve;
– duhet të mbajnë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë. Sulmi i armatosur i terroristëve serbë ndaj Kosovës ndodhi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator 2023. Sipas institucioneve kosovare të sigurisë, plani fillestar i sulmit ishte aneksimi i Veriut. Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku (1973-2023) dhe disa terroristë serbë. Këtij grupi terrorist i përkiste edhe nënkryetari i Listës Serbe dhe biznesmeni Milan Radojçiq.(!978- ). Ai e ka pranuar publikisht se vetë e ka organizuar dhe e ka udhëhequr grupin e armatosur që hyri në Banjskë. Më 24 shtator 2024, Presidentja Vjosa Osmani, Afrim Bunjakun e shpalli “Hero të Kosovës”.
– duhet të mbajnë përgjegjësi për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it – Sulmi i protestuesve serbë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it ndodhi më 29 maj 2023, në Zveçan, në veri të Kosovës, gjatë tensioneve lidhur me çështjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore. Si pasojë e dhunës së përdorur nga turma, mbetën të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre me lëndime të rënda;
– duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Kosovës për gjenocidin e kryer ndaj tyre;
– duhet t’ia paguajë Kosovës zhdëmtim për shfrytëzimin kolonialist, prej vitit 1912 deri në ditën e çlirimit të saj;
– duhet të mbajë përgjegjësi para shqiptarëve për dëbimin e tyre për në Turqi, sipas elaboratit të Vasa Çubriloviqit;
– duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për politikën represive, restriktive, diskriminuese, shfrytëzuese, për burgosjet, torturat ndaj të burgosurve, dënimet drakoniane.
* * *
Qeveria e studentëve serbë dhe e profesorëve të tyre duhet t’i japë fund përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Malit të Zi.
Qeveria “demokratike” e re serbe duhet t’u japë fund aspiratave territoriale të Serbisë ndaj Kroacisë.
* * *
Ndaj Republikës Serbe të BH-së, Serbia e Vuçiqit kishte aspirata aneksioniste. Hynte aty si në shtëpinë e vet, pa respektuar kurrfarë ligji dhe protokolli të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Studentët qeveritarë të Serbisë duhet t’i japin fund destabilizimit të Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk duhet ta mbështesin politikën secesioniste të kreut të Republikës Serbe (Republika Srpska) të BH-së, prorusit Milorad Dodik (Banja-Llukë, BeH, 1959- ).
Qeveria e re serbe duhet t’i pranojë aktgjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) ku u dënuan udhëheqës politikë dhe ushtarakë serbë që mbanin përgjegjësi për krimet serbe të kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë. Kriminelin e luftës, simbol i krimeve dhe i gjenocidit, gjeneralin Ratko Mladiq (1942/1943 – 2026), Vuçiqi e varrosi me ceremoni shtetërore.
Pushtetarët e rinj serbë duhet ta njohin gjenocidin e Srebrenicës në BH të kryer nga serbët në vitin korrik të viti 1985. Numri zyrtar i viktimave të dokumentuara dhe të identifikuara nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është 8,372 burra dhe djem boshnjakë myslimanë.
Serbia e studentëve duhet të quhet “Serbi e re”. Kjo Serbi e re duhet ta respektojë Marrëveshjen e Dejtonit. Zyrtarisht: Marrëveshje kornizë e përgjithshme për paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo marrëveshje i dha fund Luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. U arrit më 21 nëntor 1995 në bazën ushtarake Wright-Patterson në Dejton, Ohajo, SHBA. U nënshkrua zyrtarisht më 14 dhjetor 1995 në Paris. Pjesëmarrësit kryesorë ishin Slobodan Milosheviqi – për Serbinë / Jugosllavinë, Alija Izetbegoviqi – për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Franjo Tugjmani – për Kroacinë, nën ndërmjetësimin e diplomacisë amerikane.
* * *
Ç’qëndrim do të kenë pushtetarët e ri të Serbisë ndaj Rusisë? Do të jenë me BE-në dhe ShBA-në, duke qëndruar në distancë ndaj Rusisë dhe Kinës, apo do të ecin vijës së Vuçiqit i cili, si Titoja dikur, lidhej edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin, duke mbetur më afër Moskës.
Qeveria studentore, e profesorëve dhe e artistëve duhet t’i vënë sanksione Rusisë për invadimin e Ukrainës. Beogradi duhet të ndjekë politikë parimore dhe jo të rijë në dy a më tepër karrige.
A do t’i japë fund qeveria e studentëve dhe e profesorëve ideologjisë serbomadhe dhe politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste të Slobodan Milosheviqit, apo do të vazhdojnë rrugën pushtuese të tij, siç veproi kryekrimineli Vuçiq me bashkëpunëtorët kriminelë të tij?!















