Opozita shqiptare do të kërkojë që me hapjen e Kushtetutës për ndryshim të emrit, të inicohen edhe ndryshime të tjera për avancimin e pozitës së shqiptarëve në vend. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se kërkesat e tyre do t’i bazojnë në Marrëveshjen e Ohrit dhe deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare, të nënshkruar pas zgjedhjeve parlamentare.
Pasi të kalojë Referendumi do të dalim me amendamente të caktuara në bazë të deklaratës së nënshkruar të të gjithë partive politike shqiptare dhe në frymën e Marrëveshjes së Ohrit që të bëhen disa ndryshime kushtetuese. Ja ku hapet Kushtetuta dhe duhet ne si shqiptarë dhe besoj të gjithë partitë që e nënshkruan deklaratën e janarit të 2017-tës do t’i qëndrojnë fjalës dhe do ta ndryshojnë Kushtetutën që edhe shqiptarët ta ndjejnë këtë shtet si të vetin. Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, siç qëndron edhe në deklaratën e partive politike shqiptare por që ishte edhe pjesë e marrëvehsjes së Ohrit por edhe në preambullë, ose shteti të jetë shteti i të gjithë qytetarqve ose i maqedonasve, shqiptarëve dhe etnive të tjera – tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.
Por për partitë shqiptare në pushtet, ndryshimet që pritet të bëhen në Kushtetutë janë tematike, kryekëput për emrin. Nga Lëvizja Besa e Afrim Gashit thonë se nuk do të insistonin në asgjë që do të pengonte procesin e integrimeve.
Ndryshimet kushtetuese që do të pasojnë pas referendumit janë ndryshime kushtetuese tematike dhe bëhen me qëllim të integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian por nuk përjashtohet mundësia që me partnerët qeveritar të bisedohet edhe për ndonjë freksi tjetër të Kushtutës. Gjithsesi dua të potencoj që nuk do të dëshironim që me asgjë të ta pengojmë agjendën euro-atlantike të vendit si nevojë shumë e madhe edhe për shtetin por edhe për qytetarët e Maqedonisë – u shpreh Orhan Murtezani, Lëvizja Besa.
Për BDI-në, aspekti normativ i Marrëveshjes së Ohrit rrumbullakohet me publikimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare. Sipas partisë së Ahmetit, në Kushtetutë shqiptarët kanë arritur barazinë në shtet dhe mbetet punë vetëm në përfaqësimin adekuat në institucione, zhvillim të barabartë ekonomik, sundimin e së drejtës, etj.
Kushtetuta me doemos duhet të hapet për t’u bërë ndryshime në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes dhe Referendumi do t’i referohet vetëm marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Sa u takon çështjeve të tjera rreth barazisë vlerësojmë se me përmbylljen e pjesës normative të Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe me zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve i cili është miratuar dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare bashkë me marrëveshjen për cështjen e emrit, shqiptarët i plotësojnë nevojat e tyre rreth përdorimit të shqipes në mënyrë zyrtare dhe të barabartë në të gjithë institucionet dhe organet shtetërore në Maqedoni dhe, siç thash më herët, Kushtetuta mund të hapet vetëm për çështje të cilat janë subjekt i referendumit – theksoi Artan Grubi, BDI.
Në Deklaratën e partive politike shqiptare pikë e veçantë është “Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën” ku synoheshin:
- Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutë ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese.
- Arritja e barazisë së plotë gjuhësore. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Maqedoni.
- Debat gjithpërfshirës mbi flamurin, himnin, stemën shtetërore, në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.
Nuk dihet nëse partitë shqiptare në pushtet do t’i mbështesin nismat eventuale të opozitës shqiptare por në deklaratë të gjitha partitë nënshkruese janë zotuar për mbështetje të çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare.
Fatlume Dervishi
Besian Leka
Vjollca Aliti