Në përfundim të një takimi gushtin e vitit të kaluar në Zyrën Ovale, ku po diskutoheshin sanksionet ndaj Venezuelës, presidenti Donald Trump iu kthye ndihmësve të tij më të lartë me një pyetje shqetësuese.
“Duke parë se shturja tejet e shpejtë e Venezuelës kërcënon sigurinë rajonale, përse Shtetet e Bashkuara nuk e pushtojnë vendin problematik?”
Pyetja në formë sugjerimi tronditi dhe shtangu të pranishmit në takim, përfshi ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, si dhe ish-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, H.R. McMaster, që të dy këta të larguar nga administrata tashmë.
Zbulimi i bisedës së mbajtur sekret deri më tani vjen nga një zyrtar i lartë i administratës, tejet familjar me atë se çfarë ndodhi në atë mbledhje.
Në shkëmbimin e ideve që zgjati rreth 5 minuta, McMaster e të tjerët iu kthyen duke i shpjeguar Trumpit sesi ndërhyrja ushtarake do të dështonte e rrezikonte të humbiste edhe mbështetjen të fituar me aq shumë mund mes qeverive të vendeve amerikano-latine, për të ndëshkuar presidentin Nicolas Maduro për futjen e Venezuelës në rrugën e një diktature të ashpër, sipas zyrtarit në fjalë që nuk dëshiron të identifikohet.
Por, Trumpi u tërhoq! Megjithëse nuk dha asnjë sinjal se ishte i gatshëm të urdhëronte planet për ndërhyrje ushtarake, ai vuri në dukje ato që i konsideroi si raste të së kaluarës të diplomacisë së suksesshme përmes armëve në rajon, – thekson zyrtari, – si pushtimet e Panamasë dhe Grenadës në vitet ’80.
Ideja, me gjithë përpjekjet e ndihmësve të tij për ta hedhur poshtë, gjithsesi do të vijonte të mbetej në kokën e presidentit.
Ditën tjetër, më 11 gusht, Trumpi alarmoi miqtë dhe armiqtë, teksa fliste për “opsionin ushtarak” për largimin e Maduros nga pushteti. Deklaratat publike fillimisht u hodhën poshtë në qarqet e politikbërësve amerikanë, si një lloj reagimi i stuhishëm që njerëzit mund edhe të presin nga një yll i “reality show”-t i kthyer në kryekomandant të Forcave të Armatosura.
Por, menjëherë pas kësaj, ai e ngriti çështjen për diskutim me presidentin kolumbian, Juan Manuel Santos, vijon më tej rrëfimin zyrtari amerikan. Edhe dy zyrtarë të lartë kolumbianë, të cilët folën në kushte anonimati gjithashtu, konfirmojnë këtë raportim.
Më pas, në shtator, në suazat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trump e diskutoi sërish çështjen, këtë herë më gjatë, në një darkë private me udhëheqësit e 4 aleatëve të Amerikës Latine, përfshi Santosin, një ngjarje e deklaruar nga 3 zyrtarët anonimë dhe e raportuar nga “Politico” në muajin shkurt.