Nga Blendi Gashi
Krerët e institucioneve kosovare, si çdoherë kur vjen koha për marrjen e ndonjë lajmi të mirë ngarendin të shprehin urimet dhe t’ja mveshin meritat vetes. Kjo ndodhi edhe të mërkurën kur Komisioni Evropian dha rekomandim pozitiv për heqjen e vizave.
Presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, kryekuvendari Veseli por jo vetëm, menjëherë reaguan duke uruar qytetarët dhe cilësuar një moment historik dhe vlerësim për angazhimet shumë vjeçare për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane, për çka premtuan se në fundvit heqen vizat, premtim që gjithsesi nuk e dha komisionari i BE-së, Avramopulos në konferencën për media.
Përkundër euforisë së krerëve të shtetit, duhet thënë se Kosova ka fituar vetëm “njw betejë” pasi “lufta” e vërtetë e pret në muajt në vazhdim konkretisht në vjeshtë.
Tashmë fjalën e fundit do e kenë Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të Punëve të Brendshme të BE-së, sidomos ky i fundit, pasi përveç pesëshesh mosnjohëse ka rrezik që edhe ndonjë shtet mos të jep “dritën jeshile”, si Franca e Gjermania për shkak të frikës se kosovarët mund t’ia mësyjnë me të madhe vendeve të tyre.
E thonw kwtw njohësit e integrimeve evropiane.
Avni Mazreku, njohës i integrimeve evropiane në një intervistë dhënë për tesheshi.com më 28 shkurt të 2017-tës ka treguar kohë më parë procedurat për heqjen e vizave.
Ai ka deklaruar se versioni më optimist për heqjen e vizave është nëse shtetet votojnë sipas mënyrës së parë të votimit, të shumicës së kualifikuar që nënkupton 55 për qind e shteteve duhet të jenë pro, që i bie 16 shtete pro, të cilat duhet të përfaqësojnë 65 për qind të popullësisë të BE-së, dhe këtu vendoset pikë.
“Megjithatë edhe nëse ndodh ky skenar, katër shtete mund të bëhen bashkë dhe ta përdorin mekanizmin e minorancës bllokuese, që përfaqësojnë 35 për qind të popullësisë të BE-së. Në rastin e Kosovës janë pesë shtete që nuk e kanë njohur, që i bie se katër shtete mund të bëhen pro dhe ta përdorin këtë mekanizëm për raste bllokuese. Por, fatmirësisht të pesë shtetet që nuk na kanë njohur nuk i përbëjnë 35 për qind të popullësisë të BE-së”, ka deklaruar Mazreku.
Ndërsa njohësi tjetër i integrimit evropian, Taulant Kryeziu në një intervistë dhënë më 3 mars të 2018-tës ka deklaruar se Këshilli i BE-së, (ku të gjitha 28 shtetet anëtare të BE-së janë të përfaqësuara), duhet të miratojë amendamentin e propozuar.
“Me Traktatin e Lisbonës, që të miratohet vendimi nga Këshilli me shumicë të kualifikuar, apo ajo qe quhet metodë me shumicë të dyfishtë, kërkon aprovimin e 55% të vendeve anëtare (16 vende),72% nëse vendimi nuk është propozuar nga Komisioni, dhe që përfaqëson të paktën 65% të popullsisë së BE-së (nga 505 milion duhet të jenë të përfaqësuar 328 milion).
Po ashtu për të ndaluar mundësinë që shtetet e mëdha të stopojnë propozime, është futur edhe mundësia e pakicës bllokuese që kërkon 4 shtete që përfaqësojnë 35% të popullsisë së BE-së”, ka deklaruar Kryeziu.