Për herë të parë në Botërorin e kësaj vere, u deshën më shumë se 90 minuta për të vendosur një fitues.
Spanja dhe Rusia u impenjuan përtej kohës së rregullt në duelin me eliminim direkt dhe në stadiumin “Luzhniki” ishin goditjet e penalltive që sanksionuan atë që nuk pritej, daljen e bujshme të iberikëve jashtë turneut.
Me 38 vjet e 352 ditë mbi supe Ignasheviç u bë futbollisti më i vjetër që shënon autogol në një botëror, pasi devijoi goditjen e Marko Asensio duke prishur ekuilibrat në dëm të kombëtares së tij. Një detaj i hidhur në ditën kur mbrojtësi theu rekordin e Lev Jashin me më shumë paraqitje te Rusia në evente madhore.
Samedov dhe Golovin nën mbështetjen e të gjithë stadiumit Moskovit morën në dorë frenat e lojës për Rusinë por mungoi gjithmonë pasimi final. Më shumë se 70% e mbajtjes së topit në pjesën e parë nuk e ndihmoi Spanjën ta përkthejë në një avantazh në rezultat pasi vendasit barazuan me penallti.
Një prekje topi me dorë e Pike’ në zonë, bëri arbitrin të akordonte 11 metërsh dhe nga pika e bardhë Zjuba çoi sfidën në 1-1.. Ky ishte goli i parë me penallti i Rusisë në një botëror që prej firmës së Karpin në vitin 2002.
Spanja nuk kishte mundur kurrë një ekip organizator botëror dhe vuajti edhe këtë radhë me Rusinë, edhe në pjesën e dytë.
78 mijë e 11 spektatorë me biletë ndikuan në një atmosferë elektrizuese. Iniesta u hodh në fushë për të ndryshuar diçka në lojën e Spanjës, por rusët mbrojtën me fanartizëm portën nga goditjet e Iago Aspas, Isko dhe Marko Asensio.
As 90 minutat dhe as dy pjesët shtesë nuk e zgjidhën dot kualifikimin duke çuar gjithçka te penalltitë, në sfondin e një shiu të papritur.
Pikërisht këtu, dështimet mbajnë emrin e Koke dhe Iago Aspas, mjaftueshëm për të lënë ekipin jashtë turneut.