Mbi pesëmijë është numri i studentëve që marrin një diplomë në nivelin bachelor, pothuajse çdo vit.
Përgjysmë më pak i përfundojnë studimet në nivelin master, në universitete publike, duke mos llogaritur këtu edhe kuadrot e tjera që i nxjerrin kolegjet private, raporton KTV.
Por, pak nga ata që përfundojnë me sukses studimet, arrijnë të gjejnë një vend pune. Kjo për shkak se studentët nuk zgjedhin drejtimet për të cilat tregu i punës ka vende të lira.
Kjo gjendje krijon mjegull mbi shifrat e papunësisë. Në njërën anë duke qenë studentë nuk konsiderohen si të papunë, e në anën tjetër, kur marrin një diplomë nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre.
Edhe studentët, të cilët janë duke i kryer studimet janë skeptikë se pas përfundimit të studimeve do të mund të gjejnë një vend pune.
Kritika ndaj Ministrisë së Arsimit, e cila ka lejuar një situatë të tillë, ka shoqëria civile.
Kurse, Rron Gjinovci nga organizata ORCA, e cila bën monitorimin e arsimit në vend, thotë se Qeveria duhet të ndërhyjë në përmirësimin e kësaj gjendjeje që është kthyer në kaotike, shkaku i numrit të madh të studentëve.
Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se janë duke punuar në hartimin e një plani konkret lidhur me këtë çështje.
“Lidhur me çështjen e të diplomuarve, sigurisht që ne jemi duke diskutuar rreth një plani sa më të mirë që programet e studimeve t’i kemi konform tregut të punës”, ka thënë Valmir Gashi, këshilltar politik në MASHT.
Numri më i madh i studentëve të diplomuar në Kosovë vazhdon jetë nga Fakulteti Ekonomik dhe Juridik.