Nën moton “Mirë se vini mërgimtarë”, sivjet Komuna e Gostivarit do t’i mirëpret në mënyrë dinjitoze mërgimtarët tanë dhe do tu mundësojë atyre një qëndrim të këndshëm në vendlindje gjatë pushimeve verore.
Hapi i parë që ndërmori Komuna e Gostivarit në këtë drejtim është riaktivizimi i Zyrës së Mërgimtarëve në kuadër të administratës komunale prej më 1 korrik dhje e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 gusht, ndërsa ofron shërbime falas nga 12 orë në ditë, thuhet në njoftimin e komunës.
Krahas kësaj, gjatë qëndrimit në vendlindje, mërgimtarëve u mundësohet që pa pagesë t’i dërgojnë fëmijët e tyre të moshës parashkollore në çerdhet e Gostivarit, për çka tashmë Komuna ka siguruar kuadër plotësues, si dhe ndjekjen e kurseve falas të gjuhës shqipe.
“Për t’ju dëshiruar mirëseardhje, në ditët kur fluksi i mbërritjes së mërgimtarëve do të jetë më i madh, aktivistët e Forumit Rinor të shoqëruar edhe nga administratorët komunal, në hyrje të qytetit do tu ndajnë atyre fletushka me agjendën e aktiviteteve kulturore-sportive të projektit “Ditët e mërgimtarëve”, nënvizohet në komunikatën e komunës.
Aktivitetet e ndryshme kulturore-zbavitëse dhe rekreativo-sprotive do të fillojnë më 15 korrik (e diel) në sheshin e qytetit me shfaqjen e Stand Up komedisë në performancë të humoristit të mirënjohur Hasim Memishi Sopi. Ndërsa nga aktivitetet kulturore, janë paraparë edhe dy shfaqje tjera teatrale.
Në agjendën e pasur janë përfshirë edhe disa koncerte, një me këngë dhe valle folklorike, një me këngë zbavitëses shqipe, një koncert rinor multietnik dhe një me Ilahije.
Për fëmijët do të organizohet një koncert special si dhe një kuiz diturie, ndërsa në agjendë është edhe organizimi i një turniri në futboll të vogël, turnir shahu dhe Tuning Shoëme automobila.
Komuna e Gostivarit, mërgimtarët i konsideron si një kategori mjaft e rëndësishme qytetarësh si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror, andaj me qëllim që të ata të mos i shkëpusin lidhjet me atdheun dhe të vazhdojnë të mbeten faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, do të bëjë përpjekje maksimale që qëndrimin në vendin e tyre të origjinës, t’ua bëjë më tërheqës dhe t’i joshë brezat e rinj që ta vizitojnë rregullisht Gostivarin.
Komuna e Gostivarit synon që në këtë drejtim të shërbejë si një shembull pozitiv që do ta ndjekin edhe komunat tjera të vendit, si dhe Qeveria.
Për vitin e ardhshëm, Komuna e Gostivarit planifikon të zgjerojë aktivitet e saj në periudhën e pushimeve, ndërkaq inkurajon edhe sektorin civil dhe sektorin e biznesit që të ndërmarrin aktivitete të ndryshme dhe të bashkëpunojnë me Komunën, me të vetmin qëllim që Gostivari të bëhet destinacion i preferuar jo vetëm për mërgimtarët nga Gostivari me rrethinë, por edhe nga komunat fqinje. (INA)