Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në një intervistë për BBC-në se planet e Bashkimit Evropian për të ndërtuar qendra për përpunimin e migrantëve në Afrikën e Veriut nuk do të funksionojnë, nëse procesi nuk udhëhiqet nga vendet atje.
Duke folur gjatë një vizite në Nigeri, Macron tha se shumë vende afrikane janë të shqetësuara se qendrat e tilla do të veprojnë si një faktor tërheqës për migrantët.
Deri më tani, asnjë vend afrikan nuk ka rënë dakord për ngritjen e këtyre qendrave.
Udhëheqësit e BE-së u pajtuan për eksplorimin e një ideje të tillë javën e kaluar, në një samit në Bruksel.
Ata gjithashtu ranë dakord për të krijuar qendra të sigurta për pranimin e migrantëve brenda BE-së, por kanë dallime të thella rreth zbatimit të planit.
Macron tha se Evropa do të përballet me migrimin nga Afrika me dekada, për shkak të, siç u shpreh, rritjes së paplanifikuar të popullsisë në Afrikë.
Ai është kritikuar për deklarata të tilla në të kaluarën dhe disa e kanë akuzuar për përsëritje të retorikës koloniale.
Por, Macron po ashtu tha se BE-ja nuk mund të marrë vendime për vendet afrikane.
Macron tha se prioritet i tij kryesor është t’i dekurajojë njerëzit nga marrja e “rreziqeve të çmendura” vetëm për të arritur në Evropë./REL/