Serena Williams dhe Angelique Kerber janë finalistet e turneut të Wimbledonit, që po zhvillohet paralelisht me Botërorin e futbollit.Tenistja amerikane eliminoi në gjysmëfinale Julia Goergers, e të shtunën do të kërkojë që të fitojë titullin e 24-t të saj “Grand Slam”, për të barazuar Margaret Court.
Serena Williams e mbylli ndeshjen me tenisten gjermane me rezultatin 2-0, në një sfidë ku ajo pati kontrollin e lojës gjatë të gjithë kohës.
Në setin e parë ekuilibri zgjati vetëm 5 “game”, e më pas gjithçka foli për Williams, që e mbylli atë 6-2. Ndërsa në të dytin, Williams mori avantazhin në 5-2, por Goerges arriti të shkurtojë diferencën në 5-4, pasi fitoi “game”-n e 9 me shërbimet e Williams, që gjithsesi iu kundërpërgjigj në “game”-n pasardhës duke mbyllur përfundimisht llogaritë e sfidës.
Në finalen e së shtunës, Serena do të kërkojë të regjistrojë një tjetër rekord, atë të qenit e para teniste nënë, pas Evone Goolagong në vitin 1980, që fiton turneun londinez.
Por, për t’ia arritur këtij qëllimi do të duhet që në finale të mundë një tjetër gjermane, Angelique Kerber. Tenistja 30-vjeçare, fituese e dy turneve “Grand Slam” duket se është rikthyer në formë, teksa në gjysmëfinale mundi Jelena Ostapenkon me rezultatin 2-0.
Setin e parë, Kerber e fitoi me rezultatin 6-3. Në të dytin gjermanja arriti të marrë kryesimin deri në 5-1, por Ostapenko shfaqi momente reagimi teksa e shkurtoi diferencën në 5-3. Letonezja pati mundësi për ta çuar në 5-4 rezultatin e setit të dytë, por Kerber nuk lëshoi në lojë dhë arriti të mbyllë edhe këtë set me rezultatin 6-3, për të luajtur finalen e Wimbledonit me Serena Williams, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2016./Tch/