Kreu i diplomacisë gjermane paralajmëroi SHBA-në kundër një destabilizimi të Lindjes së Mesme për shkak të rikthimit të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
“Ai që shpreson për një ndryshim të regjimit nuk duhet të harrojë që mund të na shkaktojë probleme më të mëdha”, deklaroi ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas në një intervistë për gazetën rajonale “Passauer Neue Presse”.
“Një izolim i Iranit mund të favorizojë fuqizimin e forcave fundamentaliste dhe radikale”, shtoi ministri social-demokrat.
“Kaosi në Iran, ashtu si e kemi parë në Irak apo në Libi, vetëm destabilizon më shumë një rajon tashmë të paqendrueshëm”, nënvizoi ai.
Një ditë më parë, Uashingtoni rivendosi sanksione ekonomike kundër Iranit, pas tërheqjes së njëanshme nga marrëveshja historike për programin bërthamor iranian të arritur në vitin 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha.
Këto masa rrisin presionin kundër Iranit që të ndryshojë sjellje”, theksoi dy ditë më parë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili nuk ka reshtur së kritikuari marrëveshjen që prej ardhjes në pushtet.