Java e dytë e La Ligës do të mbyllet këtë të hënë me dy takimet Levante-Celta Vigo dhe Bilbao-Huesca, por mbrëmja e vonë e së dielës dhuroi një ndeshje spektakolare dhe me përmbysje rezultati.
Sfida e luajtur në fushën e Gironës i dha Realit të Madridit 3-pikëshin e dytë në po kaq javë të luajtura, duke e ngjitur në krye të klasifikimit, po aq sa ka edhe Barcelona, të vetmet ekipe me 6 pikë të plota për momentin.
Girona ishte ajo që kaloi e para në avantazh, duke befasuar “galaktikët” pa CR7 tashmë, kur shënoi me anë të Borja Garcia në minutën e 16, ndërkohë që Reali do të barazonte shifrat pak nga fundi i pjesës së parë, me një 11-metërsh të ekzekutuar nga Sergio Ramos.
Me fillim e pjesës së dytë do të vinte edhe furia e golave madrilenë, me Benzemanë në minutën e 52-të, Bale në të 59-n dhe sërish francezi në minutën e 80, për të përmbushur kështu “pokerin”.
Në ndeshjen tjetër të orëve të vona, Sevilla-Villarreal, nuk pati asnjë gol, duke bërë që skuadrat të ndanin nga një pikë, me vendasit që ngjiten në kuotën e 4 pikëve në dy javë, ndërsa “nëndetësja e verdhë” merr pikën e parë sezonale.
Më herët ishte zhvilluar edhe sfida mes Espanyolit dhe Valencias, e mbyllur në shifrat 2-0./TCH/