Manchester City i jep leksion futbolli Chelsea-t në Superkupën e Anglisë, ose siç quhet ndryshe FA Community Shield.Kampionët e Anglisë u shfaqën superiorë ndaj bluve të Londrës, që u dorëzuan me rezultatin e pastër 2-0, pa mund t’u bëjnë ballë Citizens, që treguan se janë një shkallë më lart se rivalët e tyre.
Spikati për formacionin e Pep Guardiolës Sergio Aguero, që realizoi të dy golat e sfidës, nga një në çdo pjesë. I pari i shënuar që në minutën e 13-të ishte i 200-ti në 293 ndeshje.
Dominimi i City-t në këtë përballje të zhvilluar në mitikun Wembley ishte total në çdo aspekt, aq sa është e vështirë të gjesh raste të pastra të Chelsea-t përgjatë gjithë lojës.
E nis me humbje në ndeshjet zyrtare Maurizo Sarri eksperiencën e tij te Chelsea, ku do t’i duhet shumë punë për të pretenduar pjesën më të lartë të renditjes kur të nisë Premier League./Tch/