Presidenti Donald Trump deklaroi hapur se kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara duhej ta mbyllte “tani” hetimin federal ndaj drejtuesve të fushatës që e ngjitën atë drejt Shtëpisë së Bardhë, në atë që u konsiderua si sulmi më i ri i zjarrtë ndaj hetimit të prokurorit special Mueller, që mund të rrezikojë edhe presidencën e tij.
Trump sulmoi gjithashtu gjyqin, i cili po zhvillohet këto ditë, ndaj ish-kreut të fushatës së tij, pikërisht nga ekipi i Robert Mueller.
Por, Sekretarja për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Huckabee Sanders u detyrua të shpjegonte se, “cicërimat” e së mërkurës nga Trumpi nuk përbënin një “urdhër” dhe se presidenti nuk po udhëzonte Prokurorin e tij të Përgjithshëm, Jeff Sessions, të bënte diçka.
“Ai është thjesht opinioni i presidentit”, tha ajo. Por sulmi i furishëm në “Twitter” nga Trump ngriti edhe njëherë dyshimet se ai mund të jetë duke u përpjekur drejtpërdrejt për t’i dhënë fundin e parakohshëm hetimit të prokurorit special, Robert Mueller, mbi bashkëpunimin e Rusisë me drejtues të fushatës së Trumpit.
Madje, ai sulm rigjallëroi edhe njëherë idenë se, edhe vet “cicërimat” e presidentit mund të shfrytëzohen si prova, se ai është duke u përpjekur të pengojë drejtësinë.
Ndërkohë, avokati i Trumpit, Rudy Giuliani tha se negociatat janë në vijim për të mundësuar marrjen në pyetje të presidentit nga Mueller, edhe pse ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut tha se “nuk mund të japë shumë shpresë” nëse do të ndodhë realisht diçka e tillë.
Ai tha se të dyja palët kanë këmbyer propozime për kushtet e një intervistimi të tillë, “dhe dje ne morëm një letër prej tyre, të cilën po e shqyrtojmë dhe po përgatitemi t’i përgjigjemi”./Tch/