Një epokë e re për 2 Koretë në Azi, ku shpresa për paqe mbizotëron kudo. E ku ka më mirë se një bashkim nëpërmjet sportit. Pikërisht kështu, sepse Koreja e Jugut dhe e Veriut kanë njoftuar se duan të kandidojnë në mënyrë të përbashkët për të organizuar Lojërat Olimpike në vitin 2032.
Ky projekt ambicioz është një sinjal i ri i diplomacisë së sportit, pas Lojërave Dimërore në Pyeongchang, të cilat shërbyen për të “thyer akullin” mes dy vendeve.
Ideja kërkon një nivel të ri bashkëpunimi e besimi reciprok mes 2 vendeve, që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Njoftimi për këtë kandidaturë erdhi nga një konferencë e përbashkët, e publikuar pas samitit mes presidentëve respektivë të dy Koreve.
Gjithashtu, ato do të marrin pjesë së bashku edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2020, të cilat do të zhvillohen në Tokyo. Mbetet për t’u pare nëse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të vendosë me kalimin e kohës që t’i japë fitoren kësaj kandidature, që do të ishte një mesazh i fortë për të gjithë botën.