Ballina Aktualitet Lajme MARRËVESHJA PËR EMRIN. Shumë përfitime dhe pak sqarime

MARRËVESHJA PËR EMRIN. Shumë përfitime dhe pak sqarime

Kur jemi tek shqiptarët, përveç asaj të përgjithshmes se përftimet janë të mëdha nëse hymë në NATO dhe BE, dhe asaj që me këtë garantohet identiteti dhe gjuha maqedonase, dispozitat e Marrëveshjes për emrin në gjuhën shqipe nuk janë sqaruar sa duhet, thonë publicistë, profesorë universitar dhe disa prej qytetarëve shqiptarë

Fatos RUSHITI

Kanë mbetur vetëm 8 ditë nga mbajtja e referendumit për emrin që po konsiderohet si ngjarja më e madhe historike pas Pavarësisë, përfshirë dhe kontekstin regjional. Debati vlon për përfitimet politik dhe ekonomike nga propaganduesit pro referendumit, ndërkaq opozita maqedonase nuk lëviz nga qëndrimet kundër Marrëveshjes me Greqinë, shkruan gazeta KOHA. Por kur jemi tek shqiptarët, përveç asaj të përgjithshmes se përftimet janë të mëdha nëse hymë në NATO dhe BE, dhe asaj që me këtë garantohet identiteti dhe gjuha maqedonase, dispozitat e Marrëveshjes për emrin në gjuhën shqipe nuk janë sqaruar sa duhet, thonë publicistë, profesorë universitar dhe disa prej qytetarëve shqiptar. Sipas publicistit Robert Nesimi,

Marrëveshja me Greqinë nuk është sqaruar mirë jo vetëm tek maqedonasit, por edhe tek shqiptarët.
“Sipas një ankete, Marrëveshjen me Greqinë e kanë lexuar vetëm nja 3% e qytetarëve të Maqedonisë. Nga ana tjetër, mendoj se ajo nuk është sqaruar mirë as te shqiptarët, por as te maqedonasit, mirëpo efekti kryesor i saj është shmangia e pengesës për anëtarësim në BE dhe NATO dhe këtë aspekt mendoj se e kanë të qartë të gjithë qytetarët”, thotë për KOHA, Nesimi. Nehat Ramadani nga Shkupi, profesor universitar për Menaxhment në Fakultetin e Administratës së Biznesit në UT, mendon se Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë është një marrëveshje historike, të cilën shqiptarët e kanë përshëndetur. Ramadani thotë se në përgjithësi, Marrëveshja me Greqinë nuk prek ndonjë çështje kritike për shqiptarët e Maqedonisë.

“Po të pyesni se sa prej qytetarëve shqiptarë e kanë lexuar marrëveshjen, mendoj se është një përqindje shumë e vogël që do të përgjigjen pozitivisht. Qytetarët shqiptarë problemin e ndryshimit të emrit, që është edhe pjesa kyçe e marrëveshjes, nuk e kanë marrë ‘afër zemrës’, por janë shumë të interesuar që kjo marrëveshje ta largojë pengesën kyçe midis dy shteteve, dhe përfundimisht t’i hapet rruga Maqedonisë që të integrohet në familjen euroatlantike”, thotë për KOHA, Ramadani. Ai sugjeron se çdo qytetarë duhet të tregoj interes për të ardhmen e vendit të tij, sepse vetëm në këtë mënyrë krijojmë një shoqëri demokratike më të pjekur. Ramadani mendon se vetvetiu, përgjegjësinë për të qenë aktiv e kanë edhe akademikët, intelektualët, institucionet akademike, shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare në përgjithësi, meqë sipas Ramadanit, të gjithë të lartpërmendurit kanë mundur të bëjnë edhe më tepër në këtë drejtim.

Se Marrëveshja me Greqinë nuk është sqaruar në detaje tek shqiptaret sa i përket përmbajtjes së saj, e thotë edhe publicisti Abdullah Mehmeti. “Qytetarët shqiptarë në Maqedoni dhe opinioni i brendshëm dhe i jashtëm shumë pak janë të informuar me përmbajtjen dhe detyrimet që kanë marrë palët nënshkruese të kësaj Marrëveshje. Ajo që të gjithë e dinë, është fakti që ajo është përgatitur një kohë të gjatë nga diplomatë dhe ekspertë ndërkombëtarë, ndërsa palët në kontest kanë zhvilluar bisedime me ndërmjetësim ndërkombëtar nëse pajtohen ose jo me pikat e veçanta të saj. Përveç tjerash, faktori ndërkombëtar ka punuar dhe investuar gjatë kohë për të sjellë në pushtet forca progresive në këto dy vende, jo vetëm për zgjidhjen e kontestit mes këtyre dy shteteve fqinje, por edhe për qëllime të tjera gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në rajon”, mendon Abdullah Mehmeti.

Sipas tij, pala shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm, është konsultuar, por për asgjë nuk ka vendosur në lidhje me këtë Marrëveshje. “Kundërshtarët e kësaj marrëveshje pa arsye mundohen ta lidhin çështjen e identitetit, historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe reperkusionet që mund të dalin nga kjo marrëveshje për avancimin e statusit juridik-kushtetues të popullit shqiptar në Maqedoni dhe të ardhmen e tyre në këtë shtet”, thotë Mehmeti. Siç thotë ai, me asnjë pikë të kësaj marrëveshje nuk kontestohet autoktonia e popullit shqiptar, e kaluara ilire e krahinës së lashtë të Maqedonisë, as mund të cenohet identiteti kombëtar i shqiptarëve dhe gjuha shqipe, sot dhe në të ardhmen.

Nga komuniteti i shkrimtarëve, Rrahim Ganiu – poet dhe romansier nga Shkupi, thotë se deri më tani është kuptuar esenca e kësaj marrëveshje, por jo dhe në detaje konkrete. “E kam dëgjuar Zaevin të thotë se gjuha shqipe nuk është kontestuar, por se bëhet fjalë për gjuhën maqedonase. Krejt OK se me këtë marrëveshje duhet të ruhet gjuha dhe identiteti i kombit maqedonas, por ne shqiptarët në këtë rast siç kemi qenë gjithmonë, u dashka të dalim për interesin kombëtar maqedonas. Personalisht nuk e kam lexuar vete marrëveshjen, por nga ajo që dëgjoj, nuk e vërej se kjo marrëveshje sanksionon diçka nga përbërja jone kombëtare”, thotë Ganiu. Ibrahim Bakiu, arsimtar i gjuhës angleze nga fshati Mateç i Komunës së Likovës, thotë se janë bombarduar me deklarimet e politikanëve për përfitime të shumë anshme duke folur dhe me shifra me para.

“Situata në pamje të parë duket pak e turbullt plot politikë dhe qytetarët shqiptar rrinë e vështrojnë se çfarë po ndodh , do të mbesin maqedonasit maqedonas apo jo. Mirë kjo që thuhet se do të kemi parajsën me hyrje në NATO dhe BE, por edhe nuk bëhet reklamë me se menjëherë kaq para do të derdhen në Maqedoni. Me dalë do të dalim të votojë kjo nuk diskutohet , jemi Amerikën apo jo”, thotë Ibrahim Bakiu. Violinisti i njohur Blerim Grubi, nga ajo që thotë, shihet se proklamuesit e referendumit kanë arritur të sqarojnë përftimet kryesore të Marrëveshjes me Greqinë edhe tek popullata shqiptare.

“Referendumi është çështje mjaft e rëndësishme historike për të gjithë Ballkanin ngaqë ky vend gjithmonë ka qenë mollë sherri për shumë konflikte që kanë ndodhur në histori. Si shqiptar, sa kemi parë dhe marrë vesh, ne nuk kemi marrë pjesë në ato takime shumë të rëndësishme që janë zhvilluar për zgjidhjen e emrit, por prapë se prapë disa herë janë zhvilluar edhe kontakte me përfaqësues shqiptarë, që do të thotë ne si subjekt shqiptar jemi pyetur edhe për disa gjëra që na prekin neve”, thotë për KOHA, Grubi. Më e rëndësishme sipas tij është kyçja e shqiptarëve në rezultatin përfundimtar të referendumit, meqë siç thotë Grubi, ky do të ishte mesazhi më i madh për të gjithë Botën se shqiptarët zgjedhin të jenë me Perëndimin.

Çlirim Qormemeti, qytetar nga Dibra, mendon se shqiptarët po rrinë indiferent ndaj kësaj marrëveshje, ndonëse siç thotë ai, pritet të dalin të votojë pro në referendum. “Është sqaruar nga mediat dhe nga partitë shqiptare në pushtet deri në një masë, por në komunikim të përditshëm, vërej se nuk ka jehonë kjo marrëveshje në aspekt të ndonjë të mire për gjuhë shqipe. Në fakt, për shqiptaret është çështje indiference më shumë, edhe pse pritet të dalin të votojnë pro në referendum, kjo më shumë për shkak të interesimit të madh të shteteve mike perëndimore”, thotë Qormemeti, që punon si këshilltar për burime njerëzore në Komunën e Dibrës. (koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews