Një javë para mbajtjes së referendumit për ndërrimin e emrit të Maqedonisë dhe anëtarësimit në NATO, policia e shtetit ka njoftuar se është në gatishmëri të plotë për krijimin e ambientit demokratik. Kështu është shprehur të dielën ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovksi, i cili ka theksuar se çdo tentim për pengimin e të drejtës së votës, do të sanksionohet.
“Maqedonia është shtet i lirë demokratik me tipare evropiane. Çdo lloj presioni, kërcënim apo shantazh gjatë procesit votues, do të pengohet dhe dënohet në pajtim me kornizën ligjore. Kjo vlen edhe për aktivitet në internet”, tha Spasovski. E drejta e votës, siç potencoi ai, është e drejtë e padiskutueshme dhe se sekreti i votës është i garantuar.
“Institucionet do të garantojnë realizim të suksesshëm të referendumit të 30 dhjetorit, gjegjësisht qytetarëve do t’ju mundësohet të votojnë në bazë të bindjeve dhe vullnetit të tyre. Vota e qytetarëve vendos për të ardhmen e Maqedonisë. Policia është në krye të detyrës që t’ju mundësoj qytetarëve shprehje të lirë të vullnetit të qytetarëve”, theksoi Spasovski.
Referendumi në bazë të të cilit qytetarët duhet të vendosin se janë “PËR” apo “KUNDËR” pranimit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, si dhe për NATO dhe BE, pritet të mbahet vikendin e ardhshëm. (koha.mk)