Ballina Aktualitet Maqedonia e Veriut Për stomatologët pak, për pacientët shumë

Për stomatologët pak, për pacientët shumë

Përkundër çmimeve që korrespondojnë në tregun dentar, qytetarët s’përballojnë shpenzimet dentare

Delvina KËRLUKU

Stomatologët specializantë që nuk kanë nënshkruar marrëveshje me FSSH-në, kanë kërkuar që shërbimet shëndetësore t’i kryejnë në llogari të shtetit që të mund të jenë konkurrues në treg. Çmimet e ulëta të stomatologëve privat, për shërbimin ndaj pacientit nënvlerësojnë punën e tyre. Ata thonë se çmimet për një shërbim dentar korrespondon me standardin e jetës të qytetarëve.

Sipas stomatologut Krenar Praparniku tarifa e shërbimeve dentare në vend dallojnë shumë, në krahasim me shtetet evropiane. “Krahasimet në raport të drejtë flasin për çmime të ulëta dentare, çdoherë duke krahasuar raportin rrogë mesatare dhe shërbim dentar (stomatologjike) specifik. Psh: Një trajtim endodontik (nervit të dhëmbit) të një dhëmballe në Zvicër është mesatarisht 1000 euro, në Maqedoni është nga 10-25 euro, e që në raport me rrogën mesatare do duhej të ishte 70-100 euro”, thotë stomatologu Papraniku, për gazetën Koha. Stomatologët janë të ndërgjegjshëm për standardin e ulët dhe gjendjen ekonomike të popullatës, në vend.
Stomatologia Teuta Dovolani, për gazetën Koha, thotë se duhet të ndërmerren masa me mekanizma dhe plane të mirë menduara që këto shërbime private në nivel vendi të ngrihen në vlera më të larta.

“Nga Fondi i shëndetësisë nuk ka asnjë iniciativë, por sipërmarrje nuk ka as nga ana e dhomës stomatologjike të Maqedonisë, që të gjendet një plan apo strategji të përpunuar dhe të konsultuar që ky problem të tejkalohet në të ardhmen”, tha për KOHA, stomatologia Dovolani.

Nga ana tjetër, përkundër çmimeve që korrespondojnë në tregun dentar, qytetarët s’përballojnë shpenzimet dentare. Që nga viti 2005, atëherë kur Fondi për Sigurime Shëndetësor lidhi kontratat me dentistët për ofrime të shërbimeve dentare, qytetarët kanë vazhduar të marrin shërbime të lira stomatologjike. Por, stomatologu Papraniku mendon se në vitet e para shërbimet kanë qenë aq të lira sa që për dentistët më shumë ishte një pune vullnetare dhe humane në shërbim të komunitetit se sa një fitim për ta. Edhe sot shërbimet për pacientët me libreza apo kartela shëndetësore janë një mundësi e lirë për shërbime primare stomatologjike (dentare) në Maqedoni.

Shërbimet private dallojnë për nga kualiteti i materialeve që përdoren dhe nga gama e gjerë e tyre, por edhe aty për shërbime bazike çdoherë ka një zgjidhje të lirë që mund të mbulohet financiarisht. Problem tjetër, gjegjësisht për stomatologët privat është kultura shumë e ulët e qytetarëve tanë, për të vizituar stomatologun, për të mirën e shëndetit të tyre. Ata shtojnë se harxhojnë shumë kohë për edukim në forma të ndryshme, në takimet e përditshme me pacientë, në kontrollet apo gjatë dhënies së shërbimeve dentare, në format tjera të komunikimit, rrjete sociale, mediume, me qëllim lehtësim të gjendjes orale. Ndërsa, nuk e mohojnë faktin se marrja e informacionit bazik në internet është shumë e lehtë, për mënyrën e pastrimit të dhëmbëve, përdorimi i duhur i brushës, ushqimet që lejohen bashkë me veset që ndikojnë në shëndetin oral.

Shumë lehtë mund të gjenden si informacion edhe në gjuhën shqipe. Thuajse asnjë klinikë dentare nuk e mbyll aktivitetin në stinën e verës, në Maqedoni. Ardhja e emigrantëve është kohë e artë për dentistët. Të tërhequr nga çmimet e ulëta në raport, i shfrytëzojnë pushimet për t’iu drejtuar klinikave të stomatologjisë, një fenomen që është pagëzuar si “turizmi dentar”. “Kërkesa për shërbime dentare është shumë e lartë në kohët e pushimeve verore por edhe ato dimërore. Përveç emigrantëve nga vendi ynë, ka edhe shumë pacientë të huaj që shfrytëzojnë linjat e lira fluturuese për të na vizituar. Ata janë të befasuar me kualitetin që ju ofrohet në krahasim me çmimet që paguajnë,kurse referimet që ata bëjnë tek vendasit e tyre rrisin frekuencën e vizitave tek stomatologu çdo vit e më shumë”, thotë për KOHA, stomatologu Papraniku.

Sipas anketës evropiane, pas Shqipërisë renditet Greqia me 68 për të të anketuarve që thonë se nuk i përballojnë dot shpenzimet, për shkak të gjendjes ekonomike të dobët të qytetarëve. Në Maqedoni këtë mendim e kanë 30 për qind e të anketuarve. Mesatarja evropiane është 36 për qind dhe vendet me ankesat më të ulëta janë Finlanda, Suedia dhe Holanda me 11 deri në 13 për qind. (koha.mk)