Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, të hënën pritet të arrijë për vizitë në Maqedoni, që vlerësohet si një nga vizitat më të rëndësishme të personaliteteve ndërkombëtare në mbështetje të referendumit të 30 shtatorit, për ndryshimin e emrit të shtetit dhe me këtë, zhbllokimin e procesit të integrimit euro-atlantik.
Para vizitës në Shkup, Mattis në një prononcim ka shprehur shqetësimin e tij mbi informacionet e ndërhyrjes së mundshme të Rusisë në procesin e referendumin, andaj edhe ka thënë se do të shkojë në Shkup për të bërë të qartë së SHBA-ja qëndron pranë popullit të Maqedonisë.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan është vlerësuar si shumë e rëndësishme nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
“Kjo vizitë është një sinjal i madh, pasi procesi i këtushëm është i rëndësishëm edhe për Uashingtonin pasi interesi kryesor për Uashingtonin është stabilitetit i Ballkanit, të mos ketë probleme të reja, përkundrazi të ketë paqe dhe stabilitet”, ka deklaruar Dimitrov.