Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami i shoqëruar nga nënkryetari Abdush Demiri, në Shkup u takuan me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Në këtë takim u bisedua për aktualitetin politik në vend dhe në veçanti për procesin e referendumit dhe për anëtarësimin e vendit në strukturat Euroatlantike.
Siç thuhet në njoftim për media, Kasami shprehu gatishmërinë e tij si lider partie dhe i opozitës shqiptare se është i gatshëm për të kontribuar maksimalisht që proceset e rëndësishme që e presin vendin të jenë të suksesshme për një të ardhme më të mirë të përbashkët dhe sa më shpejt vendi të bëhet pjesë e NATO-së dhe BE-së.
Të dy palët u dakorduan që takime të tilla të realizohen edhe në të ardhmen për të bashkërenduar çështje që kanë të bëjnë me interesin e shqiptarëve.