Kryeministri Zoran Zaev sonte është takuar me kreun e diplomacisë shqiptare, ministrin Ditmir Bushati. Në takimin, në të cilin ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, si dhe për perspektivat e bashkëpunimit të mëtutjeshëm mes dy vendeve.
Ministrit Bushati, theksoi se çelësi i vetëm për hapjen e rrugës së Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s është vota PRO Marrëveshjes së Prespës në Referendumin e 30 shtatorit.
Është detyrë historike e çdo qytetari shqiptar në Maqedoni dhe në diasporë të votojnë masivisht dhe t’i thonë PO Marrëveshjes në Referendum. Po ashtu, është mision jetik i të gjithë spektrit politik shqiptar të shfaqë unitet për të mobilizuar votën masive shqiptare më datë 30 shtator”- u shpreh Ditmir Bushati,ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa kryeministri Zaev informoi ministrin Bushati për aktivitetet aktuale lidhur me realizimin e referendumit për marrëveshjen e Prespës, si hap i rëndësishëm i Maqedonisë dhe integrimeve euroatlantike.
Për ne nuk ka alternativë kur bëhet fjalë për përmbushjen e qëllimeve tona strategjike, si anëtarësimi në BE dhe NATO, dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë pjesëmarrja dhe vota në referendum është zë për të ardhmen e vendit tonë”- u shpreh Zoran Zaev, kryeministër i Republikës së Maqedonisë.
Ndryshe, takimi u realizua në prag të vizitës së nesërme zyrtare të ministrin për Evropë dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati në Republikën e Maqedonisë.