Një pjesë e të akuzuarve për sulmin e përgjakshëm të 27 prillit të vitit të kaluar, u kanë ushtruar presion dëshmitarëve në procedurë. Gjykatësja Dobrilla Kacarska para fillimit të seancës së sotme i paralajmëroi të 33 të akuzuarit se nuk guxojnë t’i kontaktojnë përmes telefonit dhe t’u kërcënohen dëshmitarëve. Kacarska nuk bëri të ditur se kush ka ushtruar presion, nëse bëhet fjalë për ndonjërin nga të paraburgosurit ose ata ndaj të cilëve janë shqiptuar masa më të buta.
Me propozim të Prokurorisë sot janë marrë në pyetje katër dëshmitarë të punësuar në polici. Vllatko Naumovski, ndihmës komandant në Njësitin për intervenim të shpejtë, rrëfeu se si i kanë evakuuar deputetët e lënduar, policët dhe gazetarët nga press-qendra në Kuvend. Ndonëse ka kërkuar përforcim drejtpërdrejt, nga drejtori i atëhershëm i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, ka marrë urdhër që shpëtimin e deputetëve ta bëjë me policët që i ka në dispozicion.
Për hyrjen e përgjakshme të 27 prillit janë akuzuar 33 persona. Në seancat paraprake një pjesë e dëshmitarëve bënë të ditur se nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do t’i hapnin dyert e Kuvendit, turma s’ka pasur gjasa të hyjë në Parlament dhe të konfrontohet brutalisht me deputetët, gazetarët, sigurimin e Kuvendit dhe shërbimet.
Bojan Stojanovski