Nga Arta Berisha
Nga rezultatet e monitorimit për raste të veçanta rezulton se televizionet nacionale (RTK, KTV dhe RTV21) janë më të kujdesshme në raportim sesa mediet online; veçanërisht kur bëhet fjalë për informata të pafaktura që burojnë nga mediet sociale.
Televizionet nacionale RTK, KTV dhe RTV21 nuk i kanë dhënë hapësirë statusit të datës 14 gusht të ish-deputetit Gëzim Kelmendi. Meqë statusi është shkruar në mbrëmjen e 14 gushtit, ai nuk është bërë lajm në edicionet qendrore të datës 15 gusht.
Të tria televizionet nuk e konsideruar informatë të besueshme edhe statusin e Arti Lushit se Ismail Kadare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në mënyrë të pjesshme është trajtuar edhe informacioni për datën e lindjes së Adem Jasharit.
Këto raste mund të shërbejnë si shembull që televizionet si kategori e medieve tradicionale janë më pak të ndikuara nga informatat e paverifikuara që qarkullojnë në mediet sociale. Rezultatet e monitorimit tregojnë se në rastin e ditëlindjes së Adem Jasharit mediet audio dhe audiovizive kanë ndjekur lajmin ekzistues, por gjithashtu kanë kërkuar të zbulojnë dhe të verifikojnë në mënyrë të pavarur fakte të reja. Në edicionin qendror të datës 20 gusht Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) i ka kushtuar një kronikë kësaj teme.
«28 nëntor 1955, kjo është data e saktë kur ka lindur figura më e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari»«, është fjalia e parë e kronikës së transmetuar në RTK, duke iu referuar dokumenteve në Zyrën e Gjendjes Civile. Kronika vijon me një deklaratë të shefit të Zyrës së Gjendjes Civile të Komunës së Skenderajt, Arif Sadikut, i cili, sipas RTK-së, i referohet librit amzë të marrë nga qyteti i Nishit në Serbi.
«Shumë kjartë është i regjistruar që ka lindë me 28. 11. 1955, është një fakt që duhet të ceket kjartë dhe s’mundet me i ikë kësaj, që së pari gjenerali jonë e ka ba regjistrimin me 1.12.1955», citohet të ketë thënë shefi i Zyrës Civile të Skenderajt për RTK-në. Pjesë e kronikës së transmetuar në RTK është edhe Bekim Jashari, i cili, ndër të tjera, paralajmëron padi për shpifje. Në kronikën e RTK-së thuhet se Nexhmedin Spahiu, i cili edhe e hapi këtë temë, nuk ka pranuar të flasë. Spahiu është konfrontuar me pyetje edhe nga gazetarë të medieve të tjera dhe njëherë ka premtuar se do të shpalosë faktet që ka, pastaj nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Përhapja në portale e lajmeve të paverifikuara dhe që për burim e kanë një status në «Facebook» ose një postim në «Twitter» rrezikon të kalojë pa u vënë re nga Këshilli i Medieve të Shkruara si organi i vetëm mbikëqyrës i medieve të shkruara, por vetërregullues. Kjo edhe për faktin se qytetarët ose grupe të tjera nuk do të ankohen për diçka që ata nuk janë të prekur drejtpërdrejt. Duke iu referuar rasteve që janë analizuar, përjashtim bën familja Jashari e cila ka paralajmëruar padi për shpifje në gjykatë.
Violeta Hyseni, gazetare me përvojë të gjatë në medie, aktualisht anëtare e Bordit të Komisionit të Pavarur për Medie, konsideron se përparësia e medieve audio dhe audiovizuale është se ato janë të rregulluara me ligj për dallim nga mediat online, të cilat janë të vetërregulluara.
«Komisioni i Pavarur për Medie, si institucion kushtetues, licencon transmetuesit publikë e privatë, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit, si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuele. Kësisoj Ligji për KPM-në dhe aktet tjera nënligjore siç janë rregulloret për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, për komunikimet komerciale, për respektimin e të drejtave të autorit, si dhe Kodi Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale kanë ndikuar që mediet audiovizuale të jenë më të kujdesshme në raportim», thotë Kelmendi.
Megjithatë, sipas saj, kjo nuk nënkupton që ato nuk i shkelin standardet profesionale të gazetarisë, por janë më të vëmendshme ndaj sanksioneve ligjore që mund të pasojnë në rast të shkeljeve, të kushteve të licencës, Kodit të Sjelljes dhe akteve të tjera juridike. Komisioni i Pavarur për Medie gjithashtu inicion raste ex officio pasi edhe i monitoron mediet.
Sipas Flutura Kusarit, eksperte për çështjet e medieve, ende nuk ekziston një hulumtim i mirëfilltë shkencor që tregon se në mediat online ka më shumë keqinformim sesa në mediet audiovizive. Ajo bën një vlerësim të përgjithshëm duke thënë se faktorët që ndikojnë në gazetarinë që prodhohet janë: kushtet e vështira të punës së gazetarëve, shumë prej të cilëve nuk paguhen me rregull, nuk kanë pushim, sigurim shëndetësor dhe keqtrajtohen në forma të ndryshme.
Duke iu referuar ankesave që shkojnë në të dyja institucionet që rregullojnë punën e medieve audio/vizive dhe të shkruara, Komisioni i Pavarur për Medie ka disa herë më pak ankesa sesa Këshilli për Mediet e Shkruara. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 numri i tyre është nëntë. Vetëm katër janë për shkelje të Kodit të Etikës nga televizione kosovare. KPM-ja në dy raste ka gjetur se është shkelur Etika nga dy kanale televizive (RTK1 dhe T7).
Por, ndryshe qëndron situata për sa i përket numrit të ankesave në Këshillin për Medie të Shkruara. KMSHK-ja është një mekanizëm vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i medieve të shkruara. Respektimi në tërësi i Kodit Etik të gazetarisë është baza mbi të cilën vepron KMSHK-ja.
Sipas statistikave zyrtare, vetëm në gjashtëmujorin e parë kanë mbërritur gjithsej 80 ankesa, 55 prej të cilave janë shqyrtuar. Sipas të dhënave zyrtare, 33 ankesa janë kundër medieve online, ndërsa 22 kundër gazetave. Këshilli i Medieve të Shkruara i ka shqyrtuar të gjitha dhe 32 prej tyre i ka miratuar plotësisht, 8 pjesërisht ndërsa 14 ankesa nuk janë miratuar.
Edona Fetoshi, zyrtare në Këshill, ka shpjeguar se natyra e ankesave është për shkeljen e Kodit të Medieve të Shkruara në kapitujt që flasin për raportimin e së vërtetës, të drejtën për t’u përgjigjur, mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, si dhe privatësinë. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur për Medie që ka rol edhe monitorues ndaj medieve audio dhe audiovizuale, Këshilli për Mediet e Shkruara respektimin e Kodit Etik të Gazetarisë përpiqet ta bëjë përmes ankesave nga qytetarët.
Drejtori i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Petrit Çollaku, konsideron që zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe numri në rritje i portaleve përbën sfidë për Këshillin e Medieve të shkruara dhe mekanizmat e tjerë vetërregullues. «Unë besoj se të gjithë hisedarët e kësaj fushe duhet të ulen dhe të bisedojnë për të gjetur një mënyrë më të mirë për t’i përmirësuar raportimet e medieve online», thotë Çollaku. Ai thekson se duhet të punohet edhe më shumë për t’i edukuar lexuesit dhe për t’ju treguar se cilat lloje të portaleve mund të jenë burime të dezinformimit.
Në këtë drejtim, sipas drejtorit të AGK-së, duhet të angazhohet edhe KMSHK-ja. «Besoj se KMSHK-ja duhet të punojë më shumë në këtë drejtim që t’ua bëjë me dije publikut, përmes aktiviteteve të ndryshme, se si mund të mënjanohen nga keqinformimi osenga lajmet e rrejshme», konstaton Çollaku.
Duke qenë se është i pavarur politikisht dhe financiarisht, KMSHK-ja mbetet një ndër mekanizmat më me rëndësi në Kosovë në rregullimin e medieve (të shkruara), mendon Flutura Kusari. Ajo thekson se tani që KMSHK-ja është e qëndrueshme duhet të fokusohet në përmirësimin e shkrimit të vendimeve, të cilat duhet të jenë të arsyetuara më mirë.
Nga Komisioni i Pavarur për Medie, i cili mund t’i dënojë mediet audiovizive për shkelje të Kodit të Etikës ose të tjera, KMSHK-ja nuk mund ta bëjë këtë. Por mendimet e KMSHK-së mund të shërbejnë si provë për rastet që përfundojnë në gjykatë. AGK-ja në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prishtinë ka arritur të nxjerrë numrin më të saktë të rasteve të shpifjeve dhe të fyerjeve. Sipas regjistrit të gjykatës, gjithsej janë 59 raste kundër shpifjes dhe fyerjes, të cilat datojnë që nga viti 2009.
Po ashtu, sipas gjykatës, vetëm dy raste janë trajtuar nga gjykata në Prishtinë. Të dyja paditë janë tërhequr prapa për shkak të mosinteresimit të paditësve. Nga këto 59 raste, 10 janë ngritur nga zyrtarët shtetërorë, madje shumica prej tyre janë figura të larta. 5 raste janë ngritur nga avokatë dhe gjyqtarë kundër gazetarëve dhe medieve. 6 raste janë ngritur nga mediumi/gazetari kundër një mediumi/gazetari tjetër.
Konsiderohet e nevojshme që qytetarët të njoftohen më mirë për mundësinë e ankesave në Këshillin e Medieve të Shkruara dhe në Komisionin e Pavarur të Medieve, si një nga format më të përshtatshme për funksionimin e medieve në shërbim të interesit publik.
Deri të arrihet kjo pikë është e rëndësishme që portalet t’i heqin tërësisht nga rrjeti lajmet që rezultojnë të pasakta.
Portalet janë përgjegjëse për ripublikimin e informatave që janë shpifje ose fyerje. KMSHK-ja në shkurt të vitit 2018 ka konstatuar se një portal ka shkelur Kodin e Etikës duke e ripublikuar statusin e deputetit Fisnik Ismaili kundër Arbana Xharrës.
«KMSHK-ja pasi shqyrtoi artikullin, ankesën dhe përgjigjen e portalit konstatoi se shkelje e Kodit konsiderohet titulli i artikullit («Fisnik Ismaili zbulon kush e kishte rrahur Arbana Xharrën») ku pa asnjë distancim, pa thonjëza ose ndonjë formë tjetër të theksimit se bëhet fjalë për një deklaratë të një personi e jo qëndrim të redaksisë, ka shkelur Kreun II (Raportimi i së vërtetës)», thuhet në vendim të KMSHK-së të marrë në shkurt të 2018-s. Qytetarëve u mbetet të fokusohen më pak te titulli i portaleve e më shumë te burimi i lajmit të cilin e lexojnë.
Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose i BIRN-it dhe i AGK-së.