Anglia ul me këmbë në tokë Spanjën e Luis Enriques. “Tre Luanët” u hakmorrën në mënyrën më të mirë për atë humbje të një muaji më parë duke fituar me shifrat 3-2 brenda në stadiumin Benito Villamarin në Sevilla në një ndeshje spektakolare dhe që dhuroi emocione të shumta me Enriquen që pësoi disfatën e parë me La Rojan.
Pjesa e parë foli e gjitha në favor të Anglisë që shokoi Spanjën me tre gola shumë të bukur 2 nga Sterling dhe 1 nga Rashford. Pjesa e dytë i takoi Spanjës por ndryshe nga Anglia, La Roja nuk kishte saktësinë e duhur para portës. Në minutën e 57-të Paco Alcacer njeriu i momentit te spanjollët realizoi golin e vetëm të La Rojas në këtë sfidë vetëm pak sekonda pasi kishte hyrë në fushë.
Spanja tentoi me të gjitha mënyrat për të rihapur takimin por goli i dytë erdhi atëherë kur nuk kishte më kohë pikërisht në minutën e fundit të shtesës dhe mban firmën e kapitenit Sergio Ramos. Anglia mori kështu fitoren e parë në Nations League dhe tashmë ka shanse ta mbylli në vendin e parë grupin 4 të Ligës A, edhe pse gjithçka do të varet nga ajo çfarë do të bëjë Spanja në ndeshjen e ardhshme ndaj Kroacisë në transfertë. Në sfidën tjetër të Ligës A, Zvicra e shqiptarëve fitoi 2-1 në Islandën e largët dhe mbajti gjallë shpresat për vendin e parë në grupin 2 duke barazuar Belgjikën që ka një ndeshje më pak në kuotën e 6 pikëve.
Me Xhakën, Shaqirin por edhe Albian Ajetin që hyri në fushë nga stoli, Zvicra arriti të zhbllokonte shifrat me Seferovic në minutën 52-të pas asistit të Xhakës. Pak minuta më vonë statusin e njeriut asist e mori Xherdan Shaqiri që i serviri mbrojtësit Lang topin e golit të dytë për helvetët. Finalizimi spektakolar i Finnbogason, 9 minuta përpara fundit nuk i mjaftoi islandezëve për të marrë pikën e parë në Nations League.
Në Ligën B, vazhdon të fitojë Bosnje Hercegovina që mposhti 2-0 Irlandën e Veriut duke marrë fitoren e tretë në grup dhe duke blinduar vendin e parë. Edin Dzeko ishte heroi i bosnjakëve pasi realizoi dy herë. Në Ligën C, zhgënjimi i madh është Greqia dhe surpriza më e bukur është Finlanda. Me golat e Soiri dhe Glen Kamara përfaqësuesja skandinave mposhti 2-0 Greqinë në Tampere duke ruajtur kreun e grupit 2 me pikë të plota 12.
Në ndeshjen tjetër zhgënjeu Hungaria që nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Norvegjisë. Në Ligën D befasinë e mbrëmjes e dhuroi Moldavia që ndali në një barazim pa gola Bjellorusinë që humbi edhe kreun e grupit që u mor nga Luksemburgu që në ndeshjen tjetër mposhti lehtësisht 3-0 San Marinon.