Kompania gjigante e prodhimit të veturave “AUDI” është dënuar nga prokuroria gjermane me 800 milionë euro.
Ky dënim erdhi si pasojë e mashtrimit me software-t, që i bënin emetimet të dukeshin më pak toksike nga sa ishin në të vërtetë.
Audi ka pranuar të paguajë gjobën, dhe nuk do të bëjë ankesa lidhur me vendimin, edhe pse kjo pritet të ndikojë direk në fitimin e gjigantit gjerman, shkruan mapo.al, përcjellë Klan Kosova.
Skandali i mashtrimit me emetimet mendohet të ketë prekur gati 5 milionë makina të shitura nga grupi “Volkswagen” në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe lidhet më së shumti me automjetet e pajisura me motorë V6 dhe V8, të prodhuar nga “Audi” e të vendosur makinave të tij, atyre të “Volkswagen”-it dhe “Porsche”-it.
Nga sa pohuan drejtues të tij, makinat e prekura u reklamuan e iu shitën blerësve në mbarë botën në periudhën e viteve 2004-2018. Gjoba do të prekë gjithashtu edhe fitimet vjetore të kompanisë mëmë, “Volkswagen”-it.