Rreth katërdhjetë shkelje lidhur me realizimin e së drejtës së votës në referendum janë regjistruar gjatë organizimit dhe zbatimit të referendumit, informoi sot prokurori publik, Xhelal Bajrami, duke e prezantuar raportin për rrjedhën dhe zbatimin e referendumit.
Në rajonin e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, një lëndë është formuar gjatë fushatës, ndërsa të tjerat janë në ditën e deklarimit në referendum.
Bëhet fjalë për lëndë të formuar me bashkimin e tre paraqitjeve penale të parashtruara nga dy parti politike dhe një shoqatë qytetare, ndërkaq ka të bëjë me ngjarjen e njëjtë për gjoja thirrje të shqiptuar për ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit dhe shkelje të së drejtës së përcaktimit të votuesve.
“Ka të bëjë me padinë penale nga partitë politike VMRO-DPMNE dhe Zëri për Maqedoninë dhe Shoqatën qytetare Kongresi botëror maqedonas për ngjarje gjatë fushatës për fjalimin e kryeministrit. Kallëzimi penal është parashtruar në Prokurorinë e Shkupit prej nga është dërguar në PTHP Kumanovë. Lënda është formuar, caktuar tek prokurori publik kompetent dhe më tutje veprohet për kontrollin e pohimeve të përmbajtura në padinë penale”, sqaroi Bajrami.
Sipas tij, në ditën e votimit nuk janë regjistruar parregullsi në rajonet e Prokurorive themelore publike Kumanovë, Kriva Pallankë, Veles, Kavadar dhe Gjevgjeli.
Në Shkup, shtoi ai, janë regjistruar 29 ngjarje për të cilat është njoftuar Prokuroria Publike.
“Pjesa më e madhe e paraqitjeve kanë të bëjnë me incidente të parëndësishme prej të cilave 27 janë sqaruar që gjatë ditës së njëjtë”, thekson Bajrami.
Ai shtoi se indikacione për vepër penale konstatohen për ngjarje në Aerodrom, ku një person ka ardhur në oborrin e shkollës ku votohej, ka filluar të bërtasë dhe t’i ofendojë të pranishmit. Pas reagimit të tre nëpunësve policorë, personi është shtyrë dhe goditur dhe ndaj tij do të parashtrohet padi penale për sulm të personit zyrtar lidhur me kryerjen e punëve zyrtare nga fusha e sigurisë.
Prokurori publik informoi edhe se janë konstatuar edhe shkelje të rendit dhe qetësisë publike, tentime që të fotografohen fletëvotime, por edhe paraqitje për xhirime të paautorizuara të personave, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për ekipe të gazetarëve të cilat nuk kanë qenë të shënuara në mënyrë të dukshme.
Bajrami, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se nëse ka indikacione për vepra të kryera penale në Saraj apo vende të tjera do të ketë padi penale.
Ai tha se tani për tani edhe pse paralajmëruan nga partia politike VMRO-DPMNE ende nuk janë parashtruar padi penale për parregullsi gjatë ditës së zbatimit të referendumit. Sapo t’i marrim, tha Bajrami, Prokuroria do të veprojë.