Nga Edison YPI
Ju ishit skllevër, por hiqeshit të lirë, të qeshur, të lumtur. Ju mbaheshit për trima, por dridheshit nga frika. Ju hiqeshit më të ndershmit e botës, por s’latë bijë dhe mbesë dhe kushurirë pa e shitur në Itali sapo muarët vesh se kushtonte jo më pak sa një lopë. Ju ishit të uritur dhe të rreckosur, por mbaheshit për të ngopur, të veshur e të mbathur. Ju tani jeni të lirë, por ankoheni gjithë kohën, si të pakënaqur, të palumtur. Ju votoni, por të zgjedhurit nuk i respektoni. Ju votoheni, por për zgjedhësit nuk doni t’ja dini. Ju, kishit pak libra, por lexonit shumë, romane, poezira. Ju tani keni pafund libra, por lexoni “Aventurat e Noc Rrokut”.
Ju kishit pak mundësi për të parë televizion, por shihnit shumë filma.Ju tani keni pafund televizione, por shihni pak ose aspak filma. Ju mbrëmjeve shihni shumë programe televizive me analista dhe opinionista që të lenë pa ment me dijenitë dhe shkathtësitë e tyre gjirizore, por ata duke qënë të shitur nuk thonë dhe nuk do j’ua thonë kurrë të vërtetat që j’u interesojnë juve, por rrenat që u interesojnë atye që u kanë hedhur kockën.Ju që s’kishit as makina as qerre por kishit shumë qef të udhëtonit, nuk mund të shkonit dot, le në Gollobordë apo Korab, por as në Spille ose Patok, se quheshin zona kufitare dhe të gjente belaja.
Ju tani keni mjete të fuqishme të shpejta dhe rrugë për të udhëtuar, por udhëtoni fare pak ose aspak. Po të kalosh, për shembull, në një vend magjik, nga Peqini në Lushnje përmes Darsisë dhe Dumresë, sheh kodra dhe liqere me të ikë menia e kresë, por gjatë asaj rruge sheh a s’sheh nja dy a tre makina, edhe ato të banorëve lokalë. Ju thoshit se e donit atdheun kur Shqipëria dergjej nën thundrën e një çete vrasësish që e quanin veten çlirimtarë, fitimtarë etj., por tani që Shqipëria nuk është e vrasësave por e juaja, ju nuk doni Shqipërinë, doni Italinë, Gjermaninë, Amerikën. Ju të rinjtë mbaroni shkollat jashtë, por s’gjeni dot punë brenda se karriket i kanë zënë të vjetrit dhe s’i lëshojnë fytin tua sharrosh. Ju Kosovën ua çliroi NATO, por ua zaptoi mafia. Ju Maqedoninë perëndimore nuk ua preku kush, por po ua bëjnë çorap politikanët llafazanë dhe hajdutë zgjedhur prej jush të cilët çirren për Liri dhe Shqiptari derisa e kthejnë në çast pllakën sapo ulen në një kolltuk dhe nisin të heshin si peshq.
Ju doni taksa të ulëta, mundësisht asnjë taksë, por doni dhe makinën të vijë të marri plehrat, doni tu asfaltohen rrugët dhe rrugicat dhe të gjitha lehtësirat e tjera, me pare të rëna nga qielli. Ju i telefononi tjetrit, por gjithmonë për hallin tuaj, kurrë për ndonjë hall të tijin. Ju e ndihmoni partinë të vijë në pushtet, por kurrë në mënyrë idealistike, gjithmonë për ndonjë interes, për shembull, për t’ju gjetur një punë.
Ju hiqni spinën e dushit, demek për kursim, por jeni aq të trashë sa nuk dini dhe nuk kuptoni se heqja e spinës nuk është veprim as inteligjent dhe as kursimtar, por thjesht një budallallëk. Ju, kur jeni shitësa nuk ja vini kurrë çmimin mallit, por kur jeni blerësa jeni gjithë kohën të revoltuar për çmimin që mungon, dhe ç’është më e bukura, me shpresë për të dalë fitimtar gjatë një lufte të heshtur nervash disaminutëshe me shitësin, ju nuk ja vini kurrë në dukje atij mungesën e çmimit të produktit mbi një copë karton, ndërkohë që për t’i kërkuar faturën tatimore as që bëhet fjalë.
Ju, kur jeni hallexhinj, bërtisni në kupë të qiellit kundër korrupsionit, por kur bëheni nëpunësa shndrroheni menjëherë nga bërtitësa të revoltuar në të korruptueshëm dhe të korruptuar të heshtur dhe tinzarë. Ju kur jeni fukarenj dhe shihni ndonjërin që pasurohet, j’u çrregullohet gjumi, jeni gati ta shqyeni dhe të merrni kazmën t’ja shembni atë që ka ndërtuar, por kur qëllon që j’u bie ndonjë lek në dorë dhe nisni e majmeni, filloni ta urreni, dhe bëni çmos që mundësisht edhe ta vrisni armatën e fukarenjve, alter egon tuaj, veten e dikurshme, nga frika se mos kthehet e hakmerret për tradhëtinë. Ju edhe punoni, por keq. Ju dini të punoni dhe mirë, madje të keni edhe rendiment të kënaqshëm, por vetëm në punët e liga, thashethemet, intrigat, spiunimet.
Ju keni apartamente të mëdhaja të bollshme të teprueshme, por, meqënse të jetuarit nëpër kotecat e dikurshëm j’u ka hyrë në gjak, e pamundur të mos ja merrni frymën vetes duke i mbyllur ballkonet me lloj lloj vetratash dhe duraluminash për tu treguar më të squt se arkitekti. Ju keni mbi kokë qiell dhe kaltërsi, por nuk i ngrini kurrë kryet t’i shihni. Ju keni Histori, por përtoni ta njihni, preferoni ta shihni nëpër filma ku protagonistët dhe heronjtë nuk janë kurrë njerëz normalë, por gjithmonë ose tuhafa ose vrasësa.
Ju keni gjeografi, por nuk doni ta shkelni. Ju keni fshatra të bukur si ëndërra, por refuzoni t’i vizitoni. Ju keni pyje të magjishëm, të bukur dhe të freskët, por i prisni. Ju keni mes jush njerëz të ditur dhe të ndershëm, por nuk i respektoni. Ju keni miq që j’u duan, por nuk i doni, i refuzoni. Ju flisni keq me fjalë të rënda dhe të hidhura për fqinjin, të largëtin, të huajin, por ngaqë ata i keni frikë, atyre u rrini larg, nuk u afroheni. Ju flisni butë, me fjalë të ëmbëla për të afërmin, mikun, familjarin, por ngaqë të afërmëve nuk nuk ua keni frikën sepse prej tyre nuk j’u vjen asnjë rrezik, u afroheni jasht mase, i invadoni, i rrini ngjitur, u zini gjithë hapësirën, i bezdisni, i tmerroni, i lodhni dhe i dëshpëroni.
Ju keni ligje moderne, por nuk i respektoni.Ju jeni të rrethuar me qytetërim, por prej tij nuk doni të mësoni, nuk doni të kuptoni, sepse ju nuk ndjeni.