Lazio prishi ecurinë e mirë europiane të skuadrave italiane këtë mesjavë, teksa u mposht në Frankfurt nga Eintrachti me rezultatin 3-1, në një sfidë që rezultoi shumë e komplikuar për bardhekaltrit.
Gjermanët kaluan në avantazh që në minutën e 4-t, me golin e shënuar nga da Costa, por Lazio riktheu baraspeshën në minutën e 23-të, me mesfushorin dhe kapitenin Marco Parolo.
Gjithsesi barazimi zgjati vetëm 5 minuta, pasi Kostiç shënoi sërish për vendasit, ndërsa në minutat 36 dhe 45+3 të pjesës së parë, Dusan Basta mori dy kartonë të verdhë dhe la skuadrën e Simone Inzaghit me 10 futbollistë.
Kjo bëri që në 30 minutat e fundit Lazio të dorëzohej totalisht dhe të mos kishte fuqi për të reaguar ndaj humbjes, ndërsa në minutat shtesë Frankfurti gjeti edhe golin e katërt me anë të da Costës, i cili shënoi dygolëshin personal.
Në fillim të pjesës së dytë ishte Joviç që shënoi sërish në portën e lacialit Proto, ndërsa në minutën e 59’ Correa realizoi një ndërhyrje shumë të ashpër ndaj kundërshtarit dhe u ndëshkua me një karton të kuq direkt, duke lënë skuadrën e Inzaghit me 9 futbollistë. Po në grupin H, Olympic Marseille nuk arriti të gjejë fitoren e parë, teksa undal në barazim 2-2 në Qipro, përballë skuadrës së Apollonit.
Chelseat të Sarrit i mjaftoi një gol i Alvaro Moratës në minutën e 70 të takimit, që të merrte 3 pikët në “Stamford Bridge”, ndaj hungarezëve të Mol Vidit dhe të ngjitej në kuotën e 6 pikëve në krye të grupit L, ndërsa Paoku i Selanikut triumfoi me rezultatin e thellë 1-4 në Bjellorusi ndaj Bates.
Skuadra skoceze e Rangers fitoi me rezultatin 3-1 ndaj Rapidit të Vienës, ndërsa sulmuesi shqiptar Eros Grezda e pa sërish ndeshjen nga stoli, pasi nuk ka rigjetur ende formën e tij më të mirë.
Në sfidat e tjera, Sevilla u dorëzua në Rusi përballë Krasnodarit, që fitoi me rezultatin 2-1, ndërsa Villareali mori një barazim spektakolar 3-3 në Moskë, përballë skuadrës së Spartakut.