Ballina Aktualitet Lajme MOST: Referendumi i qetë, qytetarët qartë e shprehën vullnetin e tyre

MOST: Referendumi i qetë, qytetarët qartë e shprehën vullnetin e tyre

Në ditën e referendumit qytetarët qartë e shprehën vullnetin e tyre, ndërsa votimi kaloi në atmosferë të qetë me jehonë më të ulët se zakonisht dhe me probleme më të vogla teknike dhe parregullsi, në të cilat institucionet reaguan në mënyrë përkatëse, thuhet në vlerësimin preliminar të procesit zgjedhor të Asociacionit qytetar MOST.

Nga fundi i ditës, siç tha në konferencën e sotme për shtyp drejtori ekzekutiv i MOST, Darko Aleksov, në numër të vogël të vendvotimeve janë vërejtur tensione dhe veprime të caktuara, të cilat, siç tha, nuk mund të karakterizohen si sistematike, por të izoluara dhe për shkak të kësaj nuk kanë ndikim mbi rezultatin e votimit. Aleksov theksoi se administrata zgjedhore u përgjigj në detyrën, këshillat zgjedhorë kanë qenë të mirëpërgatitur, regjistrimi i monitoruesve të MOST-it kaloi pa probleme dhe të gjitha vendvotimet, në të cilat MOST kishte monitorues, potencoi, janë hapur dhe asnjë nga monitoruesit nuk ka paraqitur probleme gjatë hapjes.

Janë vërejtur, theksoi votime grupore, gjegjësisht votim familjar, por bëhet fjalë për raste të vogla dhe të izoluara. “Në numër të vogël të vendvotimeve para fundit të votimit kanë vërejtur përpjekje për prishje të rregullit një person një votë, që nuk mund të karakterizohet si sistematike, por si rast i izoluar dhe për shkak të kësaj nuk kanë pasur ndikim mbi rezultatin e votimit”, tha Aleksov. Theksoi se janë vërejtur lëshime edhe gjatë zbatimit të votimit të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe se 11 votuesve nuk u është respektuar fshehtësia e votimit, ndërsa votimi i të burgosuve ka kaluar pa probleme të regjistruara.

Në vendvotimin në Australi, siç tha, është vërejtur incizim i personave të cilët kishin dashur të votojnë nga ana e pjesëtarëve të lëvizjes “Bojkotoj”, ndërsa etiketimi publik dhe gjuha e urrejtjes që ishte përdorur nga atje, potencon, kishte ndikim negativ në atmosferën para ditës së votimit në Maqedoni. Aleksov potencon se gjatë fushatës para referendumit nuk kishte fushatë kundër, por siç tha, megjithatë opinioni edhe pse vetëm kishte fushatë “për” kishte mundësi që t’i shohë argumentet dhe opsionet edhe “për” dhe “kundër” përmes numrit të madh të emisioneve debatuese të cilat emetoheshin.

Aleksov theksoi se partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE-ja nuk kishte qëndrim të definuar qartë për referendumin dhe se në gjysmën e parë të fushatës një pjesë e anëtarëve të saj bënin thirrje për bojkot, ndërsa në pjesën e dytë këto aktivitete u intensifikuan dhe kaluan në bojkot të hapur të referendumit. “Fushata ishte dinamike me numër të madh të takimeve me qytetarët dhe fushatë nga dera në derë. Njëkohësisht organizata ndërkombëtare dhe vendore dhe subjekte të tjera mbanin debate informative dhe tribuna.

MOST vlerëson se këto aktivitete kontribuuan për rritjen e nivelit të njohurive dhe informimin e qytetarëve”, tha Aleksov. Theksoi se edhe pse kishte një numër të caktuar të votuesve të cilët nuk ishin në Listën Zgjedhore, kjo nuk ndikoi në jehonën e zgjedhjeve dhe apeloi që institucionet në afat sa më të shkurtër t’i eliminojnë problemet shumëvjeçare të sistemit në udhëheqjen dhe azhurimin e Listës Zgjedhore. Drejtori Ekzekutiv i MOST-it, si pozitive, efikase dhe në atmosferë kolegiale e vlerësoi punën e KSHZ-së, veçanërisht e përshëndeti transparencën e tyre në punë.