Nga Dashnor Kaloçi
Kineasti dhe regjizori i njohur, Kujtim Çashku, njëherazi president i Akademisë së Filmit dhe Multimedias, “Marubi”, gjatë një interviste të dhënë para disa kohësh në TV Scan për emisionin “Rrëfim” të gazetares dhe moderators së njohur, Albana Shehu Qirjako, ka publikuar një foto të rrallë, madje duhet thënë unike. Të burgosurit politikë shqiptarë në burgjet e regjimit komunist.
Foto-ja e cila është shkrepur nga vetë Kujtim Çashku me aparatin e tij personal, i përket fundit të dhjetorit të vitit 1990 dhe është bërë në kampin-burg në Shën Vasi të Sarandës. Po si arriti Çashku të futej në një burg politik dhe aq më shumë të fotografonte të burgosurit politik që vuanin dënimin aty?! Asokohe Çashku ishte veprimtar dhe në krye të Forumit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i formuar më 16 dhjetor të vitit 1990 nga një grup intelektualësh të njohur, si: Prof. Dr. Arben Puto, Kristo Frashëri, Njazi Jaho, Xhevahri Spahiu, etj. Ky forum më pas u pagëzua si; Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe një nga prioritetet e tij kryesore, ishte sensibilizmi në arenën ndërkombëtare për burgjet e atij regjimi, ku akoma mbaheshin dhe vuanin dënimin mjaft të dënuar të ndërgjegjies. Në këtë kuadër, figurat kryesore të atij Komiteti, ndërrmorën një tur vizitash në të gjitha kampet dhe burgjet politike që funksionin akoma në Shqipëri nga Jugu në Veri.
(Asokohe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, iu atashua dhe Viktor Dosti, i biri i Hasan Dostit, i cili që nga viti 1944 e deri në 1991-in, së bashku me vëllezërit dhe motrat, e kaluan jetën në burgjet e kampet e internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës). Në kuadrin e këtyre vizitave që bëri Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ishte dhe ajo që ata bënë në kampin-burg të Shën Vasisë, ku është bërë dhe foto-ja në fjalë nga regjizori Kujtim Çashku. Siç duket mjaft qartë, aty kanë dalë një një grup të burgosurish politikë (16 të dënuar) që asokohe vuanin dënimin në atë burg të cilin regjimi komunist e kishte ngritur në fundin e viteve ’70-të, me qëllim që të dënuarit që mbaheshin aty, të punonin në brezaret e agrumeve, kanaleve kulluese, tarracave etj.
Të dënuarit politik që kanë pozuar aty, duken se janë kryesisht të moshave të thyera dhe fare pak të rinj. Gjëja kryesore që bie në sy në këtë foto, pothuaj të gjithë të dënuarit, janë me flokë dhe të veshur jo keq?! (Kjo, po të kemi parasysh faktin se gjatë gjithë periudhës 1945-1990, të gjithë burgosurit politikë, mbaheshin të qethuar dhe me rroba të vjetra). Veshja e këtyre të burgosurve të Shën Vasisë dhe flokët e gjata të tyre, tregojnë se ata kanë qenë në prag të lirimit, ashtu siç ndodhi dhe me të vërtetë dy tre muaj më vonë.
Një gjë tjetër që bie në sy tek kjo foto, është dhe parrullat e shkruara në fasadat e ndërtesave që duken anash dhe pas tyre, ku janë shkruar një sërë citatesh dhe slloganesh, siç ndodhte rëndom në regjimin komunist të para viteve ’90-të. Tek të gjitha këto parrulla, dallohet që është shuar me gëlqere të bardhë, emri i Enver Hoxhës…?!
Gjë e cila tregon gjithashtu se regjimi komunist ishte në agoninë e tij. Duhet theksuar se në vitin 1990, në prag të vizitës që do të bënte në Shqipëri, Kryetari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Perez de Kuelar, regjimi komunist i Tiranës, nën udhëheqjen e Ramiz Alisë, mbylli burgun famëkeq të Burrelit dhe të dënuarit që mbaheshin aty, i dërgoj kryesisht në një burg tjetër që ndodhej në Kosovë të Lushnjes, por edhe në Shën Vasi të Sarandës, etj.
Dhe me këtë veprim, pra mbylljen e burgut të Burrelit dhe restaurimin e tij, Tirana zyrtare po bënte një “makiazh”, pasi mendonte që ruante sadopak “fytyrën” e saj, para opinionit ndërkombëtar dhe gjithashtu ndaj të huajve, politikanë, diplomatë, reporterë e gazetarë, që pritej të shoqëronin kreun e OKB-së gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Në kontigjentin e të dënuarve që u hoqën nga Burreli dhe u dërguan në Kosovë të Lushnjes, bënin pjesë edhe emra tashmë të njohur, si; Kurt Kola, Spartak Ngjela, Osman Kazazi, Fatos Lubonja etj, të cilët regjimi komunist i Tiranës i konsideronte dhe i trajtonte si “persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore”.
Ashtu sic theksuam në krye të këtij shkrimi, kjo foto është vërtetë e rrallë, pasi gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, në mënyrë kategorike ishte rreptësisht e ndaluar që një i dënuar mund të dilte në fotografi. Dhe aq më shumë një grup të dënuarisht, siç janë këtë të dënuar që kanë pozuar në foton në fjalë. Dalja e një të dënuri politik, apo dhe për krime ordinere, ishte një herezi dhe as që mund të mendohej. Kjo gjë shikohet qartë edhe nga publikimet e bëra në media pas vitit 1990 e deri më sot, ku foto të burgosurish politikë janë bërë publike fare pak. Dhe ato janë kryesisht ato të kartelës së të dënuarit, të cilat janë nxjerrë nga arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendëshme.
Por për hir të së vërtetës, si për të vërtetuar aksiomën se; “përjashtimi vërteton rregullin”, duhet thënë se ka pasur edhe tek tuk ndonjë të dënuar, që kanë dalë në fotografi gjatë periudhës që vuanin dënimin në një burg politik. Kjo ka ndodhur diku nga fundi i viteve ’60-të në kampin burg të Rubikut, (rrethi Mirditë) ku të dënuarit e ndërgjegjies që ishin aty, punonin për ndërtimin dhe montimin e Uzinës së Shkrirjes dhe Pasurimit të Bakrit. Asokohe në atë kamp-burg, ishte me detyrën e komandantit, nënkolonel Bajram Korvafa, (ish-partizan me origjinë nga Vlora), për të cilin thuhej se ishte “usta i thekur i alkolit”.
Nisur nga ky fakt, një prej të burgosurve që sapo i kishte ardhur familja në takim, i “dhuroi” komandant Korvafës, një shishe raki Skrapari 22 gradë, të cilën ai e shijoj shpejt e shpejt. Dhe nga ardhja në qejf, ai i lejoj disa të burgosur që të dilnin në fotografi aty brenda kampit, por kjo gjë duhej mbajtur e fshehtë nga pjesa tjetër e të dënuarve, ndryshe ata do kishin pasoja. Gjithsesi, disa të dënuar, si Mark Alija dhe Mal Metalija (nga Mamurrasi), Luigj Miri (nga Gurzi i Laçit), ndoshta dhe ndonjë tjetër, arritën që të dalin në foto dhe ato t’i nxirrnin jashtë kampit e t’i rauanin me fshehtësinë më të madhe në familjet e tyre. Këto foto të bëra nga Mark Alija, Luigj Miri dhe Mal Metalija, tashmë janë të njohura se janë publikuar edhe në rubrikën dossier në Gazeta Shqiptare, në fillimin e viteve 2000. Por duhet thënë, se tek këto foto, të dënuarit kanë pozuar vetëm, dhe jo më shumë se dy tre persona. Dhe po kështu në objektivin e aparatit fotografik, nuk duket asgjë nga kampi-burg të Rubikut, ndryshe nga kjo e bërë 20 e sa vjet më vonë në kampin e Shën Vasisë, ku dallohen qartë godinat e ndërtesat e tij.
Nga të gjitha sa thamë më sipër, kjo foto e shkrepur nga kineasti dhe regjizori i njohur, Kujtim Çashku, mendojmë se mbetet një foto-dokument i rrallë dhe me mjaft vlera historike. Gjatë publikimit të saj në emisionin “Rrëfim” në TV SCAN, Çashku tha se nuk njihte asnjë prej tyre dhe i bëri thirrje të gjithë personave që kanë dalë aty, apo dhe familjarëve të tyre, që mund të paraqiten pranë Akademisë së Filmit “Marubi”, për të marrë nga një foto.(TemA)