Kryeministri Zoran Zaev realizoi takim zyrtar me zv. ndihmës sekretarin shtetëror për Evropë dhe Euro-Azi, Matthew Palmer.
Me këtë rast, që të dy mbajtën një konferencë shtypi ku shpalosën detaje rreth takimit dypalësh, njofton Telegrafi Maqedoni.
Sipas Zaevit, ky takim ka ndodhur në një çast mjaft të rëndësishëm për Maqedoninë, pra disa ditë pas votimit të së premtes.
“Me Palmerin u pajtuam se vendimi i 80 deputetëve ka domethënie historike. Ky votim i deputetëve të pozitës dhe opozitës për t’u hapur rrugën ndryshimeve kushtetuese për realizimin e Marrëveshjes së Prespës, edhe njëherë e vërtetoi përcaktimin euro-atlantik për të ardhmen e vendit tonë.
Deputetët dhe forcat demokratike në vend, me guxim morën përgjegjësi dhe shkruan historinë dhe e larguan Maqedoninë nga kërcënimi që përsëri të kthehet në të kaluarën e errët, penguan rrezikun nga izolimi katastrofal.
Të përzgjedhurit e guximshëm të popullit, me guxim e treguan gatishmërinë për të realizuar vegimin që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-së dhe t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE”, tha Zaev.
Nga ana tjetër Matthew Palmer tha se është nder që të jetë në Maqedoni në këtë periudhë kur u votua për Marrëveshjen e Prepsës, që i hap rrugën të ardhmes evropiane të Maqedonisë dhe popullit.
“Me kryeministrin patëm bisedë për marrëveshjen, procesin e zbatimit, për procesin e NATO-së, të BE-së, si edhe për marrëdhëniet dypalëshe Maqedoni-SHBA. Do të doja të nënvizoja se populli maqedonas dhe liderët, teksa lëvizin drejt anëtarësimit në BE, lidershipi dhe populli mund të mbështeten në miqësinë dhe mbështetjen e SHBA-ve”, tha Palmer./Telegrafi/