Drejtoresha e infermierisë në “East Lancashire Hospitals” në kuadër të NHS-së, ka deklaruar për Gazetën Shneta se janë duke hulumtuar mundësitë për rekrutimin e stafit të mesëm nga Kosova. Christine Pearson ka thënë se infermieret do të duhej të plotësonin të gjitha kërkesat e Këshillit Britanik për Infermieri dhe Mami si dhe testin e gjuhës angleze
Ditët e fundit mediat britanike raportuan se Shërbimi Kombëtar i Shëndetit (NHS) në Britani të Madhe po i shqyrton mundësitë për rekrutimin e infermiereve nga vendet e Evropës juglindore, veçanërisht nga Kosova. Këtë e ka konfirmuar Zyra për Medie e këtij shërbimi në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Drejtoresha e Infermierisë në “East Lancashire Hospitals” në kuadër të NHS-së, Christine Pearson, ka thënë se rekrutimi i stafit të infermierëve viteve të fundit ka qenë sfidë për NHS-në në Angli. Ajo ka deklaruar se spitalet në Lancashire kanë investuar shumë poashtu në rritjen e numrit të vendeve të punës për stafin e mesëm.
“Ne kujdesemi shumë që të përgatisim stafin tonë dhe jemi krenarë që arrijmë t’i mbajmë shumicën e infermiereve që studiojnë në klinikat tona, duke i kthyer vendet e tyre në pozita të përhershme pune. Por megjithatë kemi ndërmarrë edhe një numër projektesh për rekrutimin ndërkombëtar për të mundësuar mbajtjen e sigurt të nivelit të personelit në repartet e spitaleve tona”, ka deklaruar Pearson.
Si pjesë e këtyre projekteve është edhe hulumtimi për rekrutimin e infermiereve nga Kosova. Pearson ka thënë se janë ende në fazat e hershme të hulumtimit.
“Aktualisht po hulumtojmë mundësitë e rekrutimit të stafit të infermiereve nga Kosova. Ende jemi në fazën e hershme të këtij opsioni dhe ka ende punë për të kuptuar procesin e regjistrimit të infermiereve në Kosovë”, ka deklaruar ajo.
Kryeinfermierja angleze ka treguar edhe kushtet që do të duhej t’i plotësonin motrat medicinale nga Kosova, në rast se ky projekt fillon të zbatohet në spitalet angleze.
“Infermieret do të duhej të plotësonin të gjitha kërkesat e Këshillit Britanik për Infermieri dhe Mami, si dhe do të duhej të kalonin testin e gjuhës angleze në nivelin e kërkuar”, ka deklaruar Pearson.
Kosova është në alarm për ikjen e personelit mjekësor në vendet evropiane. Muaj më parë edhe ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë deklaroi se po punojnë për të sjellë infermierë nga Kosova e Gjermania.
Ndërkaq sipas Odës së Mjekëve të Kosovës vetëm për tre muaj vendin e kanë lënë më shumë se 90 mjekë. Ikja e personelit mjekësor po ndodh kryesisht për shkak të kushteve të punës dhe rrogave të ulëta.