Ballina Aktualitet Opinione Postreferendumi

Postreferendumi

Syrja Rashidi

Referendumi kaloi dhe tani, si rëndom, bëhen analiza se cilat janë efektet që prodhon ky rezultat. Vlerësimet janë të ndryshme, varësisht nga cili “bunker” jepen. Nga ato që thonë se referendumi ishte i suksesshëm deri te ato që thonë se ishte fijasko e vërtetë. Vlerësimi i drejtë është diku në mes: rezultati i referendumit është pozitiv por jo mjaftueshëm i mirë për t’i dhënë argumentin e një fitore të madhe bartësve kryesor të kësaj iniciative. Pra ky rezultat më shumë e komplikoi situatën, se sa ofroi zgjidhje të këtij ngërçi. Rrjedhimisht edhe dilema se ky referendum paska qenë i panevojshëm, se ky referndum më shumë e komplikoi situatën, tani më merr dimenzionin e vërtetë. Por si nuk u gjind një zë që këtë ta thotë atëherë kur e tha Aleanca për Shqiptarët?

Evidente, i shtyrë nga rezultati i papritur për të (flitet se faktorëve ndërkombëtar u ka premtuar dalje prej një miljon votuesish), kryeministri, si bllof e hodhi idenë e zgjedhjeve të parakohshme, si mekanizëm presioni ndaj opozitës për t’i pranuar ndryshimet kushtetuese. Pa qenë i vetëdijshëm se çështja kruciale që shtrohet në këtë situatë nuk është se kush do qeveris me vendin pas zgjedhjeve, por ku shkon dhe cila është ardhmëria e këtij vendi. Përgjigje për këtë nuk pritet që të japin as zgjedhjet e paralajmëruara të jashtëzakonshme. Zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme dhe të domozdoshme, por për shkak të faktit se ky rezultat, në mos tjetër, dëshmoi se kjo qeveri nuk ka legjitimitet të udhëheq vendin në të ardhmen.

Debatet e brendshme ne taborin shqiptar se kush bëri më shumë dhe kush më pak për daljen e shqiptarëve në këtë referendum, vetëm se i japin argumentin qarqeve të LSDM-së për ta mbuluar dështimin e vetë. Atyre që natë e ditë lusnin zotin që dalja te shqiptarët të mos jetë aq dalluese nga dalja e maqedonasve. E vetmja çështje që e vështirësonte daljen e shqiptarëve në këtë referendum ishte pikërisht disponimi antiqeveritar.

Pra, situata pas referendumit është shumë më e komplikuar se sa, fitohet përshtypja, është e vetëdijshme klasa politike, sidomos ajo maqedonase. Po vërehet so kjo lojë “bixhozi” e quajtur referendum i ka vënduar në siklet dhe në pozitë të palakmushme edhe miqtë dhe mbështetësit tanë ndërkombëtarë.

Askush në këtë situatë nuk llogarit në faktorin politik shqiptar dhe në shqiptarët nëpërgjithësi,në faktin që, pa përjashtim, shqiparēt janë të përcaktuar për vlerat euroatlantike, gjë që u dëshmua edhe me mbështetjen në këtë referendum. Jo një herë kemi alarmuar se shqiptarët në këtë proces janë në bisht të ngjarjes, të përjashtuar nga bisedimet dhe përpilimi i marrëveshjes së Prespës.

Ështe evidente se roli i perfaqësuesve shqiptar, i atyre që kanë uzurpuar të drejtën të përfaqësojnë shqiptarët, është ai i kuririt: nga dera e LSDM-së deri te dera e VMRO-së. Të japim përshtypje se jemi faktorë të rëndësishëm në këtë proces, ngjajshëm me shkuarje-ardhjet në Athinë në kohën e qeverisë Gruevski.

Dhe për fund, ajo që quhet ndërhyrje e jashtme apo përzierje ruso-serbe në këtë proces. Krejt ajo që kemi parë apo që kemi dëgjuar deri më tani mund të duket lojë fëmijësh në krahasim me atë që pritet të ndodhë. Jo më larg se mbrëmë, ministria e jashtme ruse, përmes zëdhënëses së sajë, paralajmëroi faktorët perëndimor të mos përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë. Është evidente se këtë rezultat të referendumit e llogarisin si argument të mjaftueshëm për ta justifikuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në proceset në Maqedoni. Iç më larg nuk shkoi edhe presidenti serb Vuçiq me deklaratën e tij që të respektohet vullneti i popullit në Republikën e Maqedonisë.