Drejtoria për Trashëgimi Kulturore nuk di të jap një përgjigje të saktë lidhur me fatin e strukturës që po vesh ndërtesën e Arkivit të Tetovës. Sektori Civil kundërshton strukturën metalike, dhe kërcënon me protesta, por për Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore, është e paqartë nëse ruajtja e fasadës së vjetër të Arkivit, përbën apo jo vlerë trashëgimore për të. Sipas drejtoreshës së Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, vlerë përbën materiali arkivor, dhe jo ndërtesa.
Kontroll nuk është bërë nga Trashëgimia Kulturore sepse objekti, edhe pse është ndërtuar në vitin 1903, nuk është trashëgimi kulturore. Trashëgimi kulturore është përmbajtja e arkivit që ruhet në të, por me vet këtë fakt edhe objekti, Ex Lege bëhet trashëgimi kulturore”- tha Eleonora Petrova Mitevska, nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
https://youtu.be/aIN-kT_xPAs
– A nënkupton kjo se me ligj, tani edhe objekti është mbrojtur?
Po, por ne jemi në kontakt me institucionet përgjegjëse. Mbrojtja e objektit është bërë me qëllim të mbrojtjes së asaj që ndodhet në të, pas mbrojtjes së përmbajtjes së arkivit atëherë do fillojë përpunimi i fasadës ashtu sikurse ka qenë ndërtuar në vitin 1903, edhe me ngjyrën edhe me dekorin që ka pasur objekti në fillim”- u shpreh Eleonora Petrova Mitevska, nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
– A do të thotë kjo se do të largohet edhe fasada metalike?
Po, dhe do bëhet njësoj sikurse ka qenë në vitin 1903”- përgjigjet Eleonora Petrova Mitevska, nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Nga ana tjetër, sektori civil nuk beson në këto premtime, dhe shprehet i qartë se do të shfrytëzojë edhe të drejtën e protestës për të kundërshtuar fasadën metalike të këtij objekti.
Patëm premtim se do stopohen punët dhe objekti do kthehet në gjendjen e mëparshme. Tani më habit fakti, sepse kalojmë andej, për ta parë punën dhe shohim që punimet vazhdojnë ndërkohë që kemi përgjigje tjetër. Kush qëndron pas kësaj pune që e përkrah një punë që nuk është e lejuar as nga institucionet por edhe vetë popullata është e revoltuar”- tha Elmedina Abdullahu, aktiviste.
Lidhur me këtë ngjarje, Ministria e Kulturës kërkon gjithashtu përgjegjësi.
Drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore duhet urgjentisht të urdhërojë ndërprerjen e punimeve dhe kthimin e objektit në gjendjen e mëparshme, ose në të kundërtën do të përballet me padi penale”- u shpreh Asaf Ademi, ministër i Kulturës.
Nga gjithë ky proces, vetëm Komuna e Tetovës hesht, teksa punimet vazhdojnë për rrënimin e kësaj pjese të trashëgimisë kulturore.