Ballina Aktualitet Lajme (VIDEO) TË BURGOSUR ME PROBLEME PSIKIKE? “PSIKOLOGËT NA TRAJTOJNË SI KAFSHË”

(VIDEO) TË BURGOSUR ME PROBLEME PSIKIKE? “PSIKOLOGËT NA TRAJTOJNË SI KAFSHË”

Të burgosur që vuajnë dënimin nëpër institucionet e ndëshkim-korrektimit në Maqedoni, thonë se ndihen të rrezikuar nga të burgosur të tjerë të cilët janë me gjendje të paqëndrueshme psikologjike-emocionale. Një i burgosur të cilin arritëm ta kontaktojmë, për TV21 rrëfeu ngjarje të shumta që ka përjetuar në dy burgje të ndryshme, ku deri më tani ka vuajtur dënimin. Përpjekjet për vrasje dhe vetëvrasje në burg janë të shpeshta, thotë ai.

“Ka pas rast i cili ka tentuar ta mbysë tjetrin në dhomë, e ka sulmuar njeriun duke fjet, u ka ngritur dhe ka dashur t’ia ndalë frymën dhe atë nuk e kanë çuar diku ta izolojnë, por vetëm ia kanë ndërruar dhomën”, u shpreh i burgosuri.

I burgosuri, i cili nuk deshi t’i shfaqet identiteti tha se më shqetësues janë personat të cilët kanë kryer krime të rënda qëndrojnë në qeli me persona që kanë kryer vepra më të lehta, siç janë rrahjet, ose vjedhjet. Krahas kësaj, ai thotë se psikologët, në vend që t’i ndihmojnë të burgosurit përmes komunikimit u japin atyre ilaçe qetësimi.

“Këtu ne nuk kemi punë me psikolog dhe mjek por me veterinerë, i cili të sheh dhe të jep trajtim të kafshës. Do me thënë ai ka ardhur që ta kryejë punën e tij, ta marrë rrogën dhe të largohet. Nuk ka ndonjë risocializim që mundesh të komunikosh me ndokënd dhe t’i tregosh çfarë problemi ke, dhe të të japin ndonjë trajtim për ta larguar problemin. Vetëm të japin ilaçe qetësimi dhe nëse nuk i merr këto hapa, normal që do rrezikohemi nga ata që kanë problem psikik. Nuk ka ndonjë trajtim, sepse nuk ka seriozitet tek mjekët e burgut”, tha i burgosuri.

Informacionet për të burgosur që shfaqin paqëndrueshmëri psikike, por jo të theksuara, për TV21 i konfirmojnë edhe burime anonime nga persona që punojnë brenda njërit prej institucioneve ndëshkuese-korrektuese në vend. Urania Pirovska e cila drejton zyrën e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Maqedoni tha se gjendja e rënduar psikike dhe përdorimi i qetësuesve është pasojë e mungesës së mbrojtjes së duhur shëndetësore nëpër burgje.

“Është normale që të burgosurit të kenë probleme psikike për vetë faktin se bëhet fjalë për njerëz të privuar nga liria. Është fakt se mbrojta shëndetësore nuk e mbulon vetëm pjesën e përkrahjes psikike, por ndodh shpesh që ata të kenë probleme të karakterit psikik, të mos kenë mundësi të flasim me psikiatër dhe më së shpeshti përdorin qetësues, kjo është përditshmëri në institucionet ndëshkuese-përmirësuese për pothuajse të gjithë të burgosurit”, u shpreh Urania Pirovska, Kryetare e Komitetit të Helsinkit – Shkup.

Mungesën e personelit mjekësor e pohon edhe drejtori i drejtorisë për zbatimin e sanksioneve Jovica Stojanoviq. Thotë se edhe krahas mungesave mundohen t’i kushtojnë rëndësi kujdesit shëndetësor të të burgosurve. Megjithatë drejtori që mbikëqyr të gjitha burgjet në vend, nuk na i konfirmon dot pohimet se nëpër burgjet e vendit ka të burgosur me gjendje mendore të paqëndrueshme. Nuk e mohon faktin se ka raste dhune dhe paraqitje të ndryshme për të cilat reagohet në kohë.

“Gjithnjë kur ndodh ndonjë gjë, e çfarëdo qoftë natyre qoftë, dhunë ose tjetër gjë, ne veprojmë dhe dërgojmë persona në vendngjarje që ta vërtetojë gjendjen faktike”, tha Jovica Stojanoviq, Drejtor I Drejtorisë për zbatimin e Sanksioneve.

Mbrojta shëndetësore e të burgosurve në Maqedoni është kritikuar edhe në raportin e fundit të Komitetit Evropian për Parandalimin e torturës, dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese. Publikuar në tetor 2017 mes të tjerash në raport Komiteti shpreh shqetësim të thellë për mossigurimin e vazhdueshëm të mbrojtjes shëndetësore për të burgosurit duke kërkuar kështu përforcimin e saj.

Përgatiti: Besir Arifi