Ballina Aktualitet Lajme Zijadin Sela kritikon Zaev: Po amniston krimet e Ali Ahmetit (VIDEO)

Zijadin Sela kritikon Zaev: Po amniston krimet e Ali Ahmetit (VIDEO)

Për kryetarin e partisë Aleanca për Shqiptarët, Zijadin Sela, referendumi i së dielës në Maqedoni ishte një kurth i opozitës. Në një intervistë për televizionin Klan MAQEDONIA, Sela ka deklaruar se referendumi vetëm sa ka komplikuar situatën politike në vend. Sa i takon zërave për një koalicion me opozitën për të tejkaluar ngërçin politik, Sela është shprehur se në këtë mënyrë kryeministri Zaev do të amnistojë krimet që qeveria e kaluar Gruevski-Ahmeti bëri ndaj shqiptarëve.

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Zijadin Sela, duke komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoni ka deklaruar se mbajtja e referendumit për të futur në fuqi marrëveshjen me Greqinë dhe ndryshimet kushtetuese ishte i panevojshëm. Në një intervistë për filialin maqedonas të televizionit Klan, Sela ka nënvizuar se duke shkuar në referendum, qeveria ra në grackën e opozitës.

Zijadin Sela: “Referendumi e ka komplikuar situatën. Numri i artë prej 80 deputetësh do të arrihej pa referendum. Referendumi ishte një karrem që e gëlltiti qeveria, sepse opozita e dinte se referendumet çdo herë kanë dështuar sepse është i fryrë numri i votuesve dhe nuk arrihet censusi. Tani opozita ka argumentin për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese vetëm e vetëm për interesin politik ditor”.

Sidoqoftë, Sela ka shprehur shpresën se Maqedonia mund ta tejkalojë këtë ngërç në Parlament nëse partitë vendosin interesat kombëtare mbi ato politike.

Zijadin Sela: “Besoj se do të gjenden njerëz të arsyeshëm brenda opozitës maqedonase, që do të japin kontributin që të arrihet 80-shi, por situata është e komplikuar”.

I pyetur se cilën rrugë do të zgjedhë Maqedonia mes zgjedhjeve të parakohshme dhe një koalicioni qeverisës gjithëpërfshirës, Sela nuk ka përjashtuar asnjë prej tyre. Por ai ka theksuar se, në rast të një koalicioni do të amnistohet përndjekja që dyshja Gruevski-Ahmeti u bëri shqiptarëve gjatë qeverisjes së kaluar.

Zijadin Sela: “Asgjë nuk është e pamundur. Varet se cili është përcaktimi dhe qëllimi që kërkon të arrish. Duke përfaqësuar atë pjesë të popullsisë më të prekur nga koalicioni i kaluar dhe i interesuar që drejtësia të mos bëhet vetëm ndaj palës maqedonase, por edhe aleatit të saj BDI, mendoj se VMRO do të amnistojë funksionarët e saj. Por çfarë bën LSDM-ja? LSDM-ja në momentin që kundërshton idenë e amnistimit të krimit të VMRO-së amniston korrupsionin dhe krimin politik të partnerit të tij, BDI”.

Ndërsa ka hedhur poshtë akuzat për abuzim gjatë kohës kur ka qenë kryetar i Bashkisë së Strugës, Sela ka shtuar se kryeministri Zaev nuk është i besueshëm për shkak se kur ishte ministër i Shëndetësisë kishte akuzuar partnerin e tij të koalicionit, Ali Ahmeti, për përvetësim fondesh./abcnews.al