Deri në mes të dhjetorit trupi koordinues kuvendor për pajtim do te duhet të dalë me propozim ligj i cili ka të bëjë me amnistinë për ngjarjet e 27 prillit, kurse deri në fund të kësaj jave do të ketë edhe takim në të cilin do të përpilohet edhe draft-versioni i parë. Koordinatorja e trupit ndër-partiak për pajtim dhe integrim, deputetja Emilija Aleksandrova, tha se propozim-ligji do të synojë vendosjen e bazave për pajtim, duke mos prekur procedurat në gjyqësor, percjell Fakte.
“Që i gjithë ky proces të ketë sukses dhe të përfundojë në mënyrën e vërtetë, edhe ndryshimet kushtetuese sipas kërkesave tona që ishin pjesë e amendamenteve, edhe kërkesa jonë e katërt për ngjarjet e 27 prillit, megjithatë duhet të jemi të vetëdijshëm se shteti është në proces të sjelljes së ligjeve reformuese, të cilat gjithashtu do të kenë ndikim mbi fillimin e procesit të negociatave në qershor të vitit të ardhshëm”, tha Emilja Aleksandrova, deputete e VMRO-DPMNE-së PAVARUR.
Për LSDM-në ligji do te thotë trajtim human për kategoritë e ndryshme të pjesëmarrjes së 27 prillit. Thonë se është spekulim se do te ketë drejtësi selektive.
“Konsideroj se në opinionin publik mendimi është i pandarë lidhur me dallimet në përgjegjësinë që ka të bëjë me organizimin e kësaj ngjarjeje, me kryerjen e dhunës, përgjegjësinë udhëheqëse dhe qytetarët e joshur që nuk kanë bërë asnjë dhunë më 27 prill”, tha deputeti i LSDM-së, Hari Llokvenec.
Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk do të marrim pjesë në një trup në të cilin do të ketë drejtësi selektive.
“Ligji ynë për amnisti është vënë si pikë e rendit të ditës në seancën e ardhshme, më 26 nëntor, ku do të shqyrtohet. Atë që e kemi thënë ne si VMRO-DPMNE, rreth trupit për pajtim është se nuk do të marrim pjesë në një trup në të cilin do të ketë drejtësi selektive. Atë që mund ta shohim edhe nga deklaratat e kryetarit të Qeverisë së RM-së, gjatë paraqitjes së tij në një emision këtë fundjavë, është se ai trup për pajtim, më shumë mund t’i ngjajë një trupit për rrafshim. Prandaj, për këtë arsye ne nuk do të marrim pjesë në atë trup”, tha Nikolla Micevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Kundër amnistisë për pjesëmarrësit e 27 prillit është edhe Aleancës për Shqiptarët. Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev tha se ligji i amnistisë do të nënkuptonte shfajësimin e atyre që nuk morën pjesë në dhunë dhe nuk ishin organizatorë të ngjarjeve të dhunshme në Kuvend./TV21