Vazhdon të bëjë jehonë në mediat e Ballkanit arratisja e befasishme e Nikolla Gruevskit nga Maqedonia një ditë para se policia të mësynte në banesën e tij dhe zyrat e VMRO-DPMNE për ta arrestuar dhe për të mbyllur në qelinë e burgut të Shutkës.
Tashmë është bërë e njohur që Gruevski ka hyrë në Shqipëri nga kufiri i gjelbër me Maqedoninë dhe ka përdorur një pasaportë tjetër për t’u larguar drejt Hungarisë, por mediat malazeze dhe serbe kanë zbardhur të plotë itinerarin e ish-kryeministrit të Maqedonisë.
Sipas mediave serbe dhe malazeze se Gruevski ka kaluar ndërmjet 3 shteteve duke ndjekur itinerarin Maqedoni-Shqipëri-Mali i Zi-Serbi për të mbërritur më pas në Hungari, aty ku ka kërkuar azil politik me pretendimin se në vendin e tij i rrezikohet jeta.
Gazeta malazeze “Vijesti” raporton se pas Shqipërisë, Gruevski ka hyrë në Mal të Zi më 11 nëntor në orën 19:19 përmes vendkalimit kufitar Bozhaj.
Ndërkohë, në të njëjtën ditë rreth orës 22:16, ish-kryeministri maqedonas është larguar nga Mali Zi duke hyrë në Serbi përmes vendkalimit kufitar Dobrakovo.
Mësohet se ai ka hyrë në Serbi me një makinë me targa 55AO5, teksa shoqërohej nga zëvendës ambasadori hungarez në Mal të Zi, Casar Josef Zoltan dhe konsulli Felegjazi Shaba.
Por media malazeze nuk ndalet me kaq, pasi ka publikuar edhe disa foto të Gruevskit, që sipas tyre pretendohet të jenë realizuar kur ish-kryeministri ka kaluar kufirin nga Mali i Zi për në Serbi.