Institucionet tani dy ditë nuk mund ta gjejnë ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski për t’i dorëzuar vendimin refuzues për shtyrjen e vuajtjes së dënimit prej dy vjet burg.
Gruevski duhet personalisht ta pranojë vendimin dhe menjëherë të shkojë në burg për vuajtjen e dënimit për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes së makinës luksoze qeveritare në vlerë prej 600 mijë euro. Sipas ligjeve ekzistuese, nëse edhe të hënë nuk arrihet t’i dorëzohet vendimi, atëherë do të shpallet fletarrest për dërgimin e tij në burg.
Në disa media në gjuhën maqedonase është spekuluar mbi mundësinë e largimit të tij nga Maqedonia, por kjo nuk është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Para se t’i refuzohet kërkesa për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, Kuvendi i Maqedonisë nuk kishte arritur të siguronte dy të tretat e votave për t’i hequr mandatin e deputetit.
Për heqjen e mandatit kishin votuar 58 deputetë, kurse kundër 29 deputetë. Nisma ishte paraqitur në Komisionin për Çështje të Mandateve, pas informimit se Kuvendi ishte njoftuar gjykata për dënimin e ish-kryeministrit Gruevski me dy vjet burgim.
Shumica parlamentare kishte kërkuar marrjen e mandatit me arsyetimin se “Nikolla Gruevski nuk është i denjë të ushtrojë detyrën e deputetit”.
Ndërkohë, ndaj Gruevskit po zhvillohet edhe disa procese tjera gjyqësore. Aipo gjykohet për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime tjera financiare.
Ai të hënën duhet të paraqitet në vazhdimin e gjykimit për lëndën “Titanik” që ka të bëjë me keqpërdorimet e dyshuara në zgjedhjeve lokale të vitit 2013. Jozyrtarisht bëhet e ditur se në rast se paraqitet në gjykatë, ai edhe mund të dërgohet në vuajten e dënimit.