Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, të hënën duhej të paraqitej në burgun e Shuto Orizares, pas dënimit me dy vjet burg nga „PSP“ për rastin „Tank“.
Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruesvsi ka postuar në ë faqen e Facebook një status, por ende nuk është konfirmuar nëse ai vërtet është bërë nga Gruevski. Në këtë status thuhet: “Në ditët e fundit kam marrë kërcënime të panumërta për jetën. Tani jam në Budapest dhe kërkova azil politik nga autoritetet hungareze“, shkruan Nikolla Gruevski në faqen e tij personale në Facebook.
Autoritetet janë duke kërkuar Gruevskin, kundër të cilit është shpallur edhe fletëarrest ndërkombëtar. Njësitë policore e kanë kërkuar edhe në selinë e partisë së tij VMRO/DPMNE. Ato njëkohësisht po verifikojnë edhe autenticitetin e mesazhit në rrejtet sociale. Mesazhi i Gruevskit përfundon me premtimin që “gjithmonë do të mbetet besnik në çështjen e Maqedonisë. Kurrë nuk do të heq dorë.”
Gruevski u dënua me dy vjet burg në rastin “Tank” për blerjen e një Mercedesi luksozë me vlerë 570 mijë Euro. Prej të hënës (12.11.2018) policia e Maqedonisë është në kërkim të ish-kryeministrit, sepse ai nuk është paraqitur ditën e hënë, për të filluar vuajtjen e denimit me burg në Shuto Orizare në Shkup.
Nikolla Gruevski ishte kryeministër i Maqedonisë nga viti 2006 deri në vitin 2017, ai është i akuzuar gjithashtu edhe në katër raste të tjera, të cilat drejtohen nga Prokuroria Publike Speciale.